Itali - ja kush mund të zëvendësojë kryeministrin Berluskoni
Pas ikjes së kryeministrit grek Jorgos Papandreu radha për të lënë qeverinë po i vjen edhe kryeministrit italian Silvio Berluskoni. Në mediet italiane gjatë këtyre ditëve është përfolur se një kandidaturë e mundshme për zëvendësimin e tij mund të jetë ish-komisionari Europian Mario Monti. Por nuk është e thënë, kandidaturat janë të shumta. Në Itali, nën presion gjithmonë e më të madh nga vendet e Eurozonës për zbatimin e reformave të domosdoshme, mundësia e krijimit të një qeverie teknike sipas stilit grek po bëhet gjithmonë e më reale.
Ditën e martë, aleati kryesor i Berlusconit, Umberto Bossi, iu bashkua zërave që kërkojnë largimin e 74-vjeçarit nga detyra e kryeministrit. Humbja e shumicës në Parlament gjatë votimit të një ligj dëfteu se Kryeministri Berluskoni nuk kishte besimin e Kuvendit. Gjithsesi për Italinë, nuk do të ishte hera e parë që shkohet në qeveri teknike, popullore edhe në kriza të mëparshme ekonomike, si ajo e fillimit të viteve 1990. Ndërkohë, me fundin e epokës Berluskoni që duket shumë pranë, shtrohet pyetja se cili mund të jetë Kryeministri i ardhshëm i Italisë.
Kandidati kryesor është Mario Monti – Ish-Komisionari Europian i Konkurrencës është një prej emrave më të lakuar. Në këtë detyrë, të cilët e mbajti ndërmjet viteve 1999-2004, ai fitoi nofkën “Super Mario”, për vendosmërinë me të cilën luftoi bankat e fuqishme rajonale gjermane dhe bashkimin e kompanive “General Electric” me “Honeywell”. Kredencialet e tij në Bruksel kanë origjinë që në mesin e viteve 1990, pasi shërbeu në periudhën 1995-99 si Komisioner i Tregut të Brendshëm dhe Shërbimeve. Aktualisht 68 vjeç, profesori lombard i ekonomisë zotëron mbështetjen e figurave të mëdha politike italiane, si Gianfranco Fini dhe konsiderohet si një prej ekspertëve financiarë më të mirë në Europë. Presidenti italian Napolitano para dy ditësh e emëroi Mario Montin si senator të përjetshëm në një lëvizje e cila shikohet si një shenjë e fortë, sipas të cilës Napolitano mund t’i kërkojë atij të formojë qeverinë e re brenda pak ditësh. Italia do të përshpejtojë zbatimin e reformave të kërkuara nga BE pas presionit të bërë nga këta të fundit për marrjen e masave kundër krizës. Partitë në pushtet dhe në opozitë ranë dakord, që të kalojnë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve ligjin e stabilizimit dhe plotësimet përkatëse të tij.
Eminenca gri e Berlusconit, Gianni Letta – I konsideruar gjerësisht si krahu i djathtë i Berlusconit, nëse kryeministri do të largohet, Letta do të ketë avantazhin e mbështetjes së partisë më të madhe në vend. Një ish-gazetar dhe prezantues televiziv, Letta ka qenë shefi i kabinetit të Berlusconit në tre prej qeverive të tij. Lidhjet e 76-vjeçarit me Berlusconin datojnë që në fillimin e viteve ‘80, kur ai u shndërrua në një biznesmen duke iu bashkuar grupit “Fininvest”. Në vitin 2006, ai humbi në garën për president të Italisë, ndaj ish-drejtuesit të partisë komuniste, Giorgio Napolitano.
Sekretari i PDL/ Angelino Alfano - Një prej “premtimeve” të politikës italiane, 41-vjeçar, Alfano ka avantazhin e energjisë dhe karizmës, ndërsa në rolin e ministrit të Drejtësisë, është shndërruar në ministrin më të ri në historinë moderne të Italisë. Në të shkuarën, është vendosur shpesh nën presion nga mediat, për faktin që u bë nismëtar i një ligji që pengoi një ndjekje penale për Berlusconin në vitin 2009. Një ndjekës besnik i Berlusconit që prej mesit të viteve 1990, avokati siçilian u shndërruar në lider të Partisë së Lirisë këtë verë, pasi partia e tij humbi në zgjedhjet vendore në Milano dhe Napoli, dy ish-bastione të këtij krahu politik.
Kryetari i Senatorëve Renato Schifani – Ashtu si kolegu i tij Alfano, kryetari i Kuvendit është një avokat në profesion dhe prej kohësh besnik i kryeministrit Berlusconi. Në vendin që mban, Schifani do të shndërrohej automatikisht në president të vendit në rast të vdekjes së 86-vjeçarit Napolitano. 61-vjeçar, Schifani gëzon disa avantazhe. Ai zotëron përvojën e mjaftueshme dhe njëkohësisht, është aq i ri sa duhet për të udhëhequr një qeveri teknike në këtë situatë të vështirë. Megjithatë, pritet të jetë e vështirë që opozita të miratojë këtë alternativë, pasi ashtu si Alfano dhe Letta, edhe Schifani është një bashkëpunëtor i ngushtë i Berlusconit.