Brovina - Sfishta: Të shtrijmë bashkëpunimin në të gjitha qytetet universitare shqipfolëse

Dy drejtorët e qytezave studentore propozojnë ngritjen e Shoqatës së Qendrave Studentore Shqipëri dhe Kosovë. Drejtoria e Qytetit Studenti Tiranë, bashkëpunim të frytshëm me Qendrën Studentore Prishtinë
Sfishta: Qyteti Studenti, ndër më modernit në rajon – na intereson kjo përvojë e zhvillimit P
rej 6 vitesh dy drejtoritë e qyteteve Studentore, të Tiranës dhe Prishtinës, ushtrojnë një bashkëpunim konkret në shkëmbimin e eksperiencave dhe përvojave mes tyre. Gjithçka në funksion të adaptimit dhe përshtatjes së rregullave të reja menaxheriale për t’i shërbyer në mënyrë sa më efiçente studentëve dhe komunitetit të gjerë studentor. Aktualisht ky bashkëpunim synon të shtrihet në fusha më të gjëra reciprociteti si në atë artistike, kulturore dhe sportive. Vizita e një përfaqësie të Drejtorisë së Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve Prishtinë, e kryesuar nga drejtori Fatmir Sfishta dhe dy këshilltarë të Ministrisë së Arsimit të Kosovës, Ilmi Ramadani dhe Rakip Gjoshi, duket se ka hedhur urat e vërteta të bashkëpunimit mes qytetit Studenti dhe Qendrës Studentore të Prishtinës. Kjo vizitë do të pasohet nga takime me krerët e Qendrave Studentore në qytetet si Elbasan, Korçë, Vlorës, Durrës dhe Shkodër. Po ashtu, dy iniciatorët e këtij bashkëpunimi Brovina dhe Sfishta, do të ndërmarrin një tur takimesh edhe në qendrat studentore të Kosovës. Në një intervistë për gazetën “55” drejtori i Qendrës Studentore të Prishtinës, Fatmir Sfishta shprehet se mes dy drejtorive, asaj të Tiranës dhe Prishtinës ka nisur një moment i rëndësishëm drejt rritjes së raporteve bashkëpunuese. Edhe pse është ende në hapat fillestarë konkretizimi i shkëmbimit të eksperiencave, kreu i Qendrës Studentore të Prishtinës, Sfishta thotë se, te homologu i tij, Brovina ka gjetur gatishmërinë për të eksploruar çdo hapësirë bashkëpunimi, në funksion të përshtatjes së traditës dhe përvojës mes Drejtorisë së Qytetit Studenti dhe Qendrës Studentore të Prishtinës. Ai vlerëson punën e homologut të tij Brovina, në krye të Drejtorisë së Qytetit Studenti, të cilën e cilëson si “qytezë studentore moderne”, ndërsa kërkon që këtë model zhvillimi, ta përshtasë në një të ardhme të afërt në Qendrën Studentore të Prishtinës. Ja si shprehet më tej ai.
Prej sa vitesh ushtrohet ky bashkëpunim mes dy drejtorive?
Në fakt, kjo iniciativë ushtrohet prej 5-6 vitesh. Por, në mandatin tim, kjo është hera e parë që ne jemi në Tiranë në kuadër të bashkëpunimit që kemi lidhur me drejtorinë e qytetit Studenti, të cilën synojmë ta çojmë më tej, ta kthejmë në një ritual të përhershëm se kështu është më rezultative. Dua të falenderoj zotin Brovina për gatishmërinë që tregoi. Kemi shumë arsye që këtë bashkëpunim ta vazhdojmë edhe në të ardhmen. Ardhja ime sot, në këtë vizitë, konsiston në shumë aspekte si në aspektin e formës menaxheriale që ushtrohet këtu dhe forma të ndryshme të bashkëpunimit, të cilat ne, në një të ardhme mund t’i realizojmë së bashku si në aspektin kulturor, sportiv apo dhe në aspekte të tjera të cilat janë në interes të ndërsjellë. Pra, të dy drejtoritë synojnë të shkojnë drejt një vizioni bashkëpunues, që sigurisht do i takojë së ardhmes, por e rëndësishme është që janë hedhur hapat e parë drejt kësaj rruge.
Të ndalemi tek shkëmbimi i përvojës. Çfarë veçorish specifike shihni në qytetin Studenti të cilat mund t’i adaptoni në organizimin e jetës studentore në Prishtinë?
Vetë përvoja, vetë tradita më e gjatë si qytet Studenti, të jep të kuptosh se përvoja menaxheriale, kapaciteti apo numri i studentëve është shumë më i madh se në Prishtinë, numri i bujtinave po ashtu është shumë i madh se te ne dhe realisht kemi shumë se çfarë të marrim nga ky bashkëpunim që kemi lidhur me qytetin Studenti. Por, normalisht që kemi edhe çfarë të ofrojmë, kjo kryesisht në anën e menaxhmentit, të cilën ne e kemi aplikuar në Prishtinë dhe realisht na ka rezultuar e suksesshme. Por, theksoj edhe njëherë se përvojën dhe traditën që ka qyteti Studenti këtu, nuk e kemi ne atje. Ne na intereson kjo përvojë dhe kjo traditë. Ajo që mund të jetë në interes për ne, është pikërisht përshtatja e këtyre praktikave tuaja të suksesshme, të cilat kanë sjellë këtë zhvillim dhe këtë progres që ne shohim në qytetin Studenti. Një qytet me standard të lartë urbanizimi, kushte të mira strehimi, shërbim shëndetësor të posaçëm si në asnjë vend tjetër, Postë Policie më vete dhe dhjetëra biznese e forma të tjera argëtimit, të cilat normalisht e bëjnë më komode jetën e studentëve këtu. Këtu është bërë një punë e jashtëzakonshme si nga drejtori Brovina ashtu edhe nga stafi i tij. Siç dihet, Shqipëria dhe Kosova kanë kaluar një tranzicion të vështirë dhe kjo është reflektuar edhe në jetën e studentëve. Mirëpo, ne nuk jemi “magjistarë” që brenda ditës apo brenda natës ta ndryshojmë situatën, por hap pas hapi, edhe duke shkëmbyer përvojat tona, të cilat realisht kanë qenë të hershme, mendojmë që cilësinë e jetës së studentëve ta rrisim dhe ta përmirësojmë. Synimi ynë ky është dhe i vetëm, të bëjmë gjithçka në funksion të përmirësimit të kushteve për studentët dhe jetën studentore.
Çfarë mund t’i ofroni qytetit Studenti të Tiranës, në kuadër të këtij bashkëpunimi reciprok?
Mendoj se në fushën e teknologjisë informative ne kemi ecur pak më përpara. Dhe kjo është një përvojë të cilën z.Brovina mund ta huazojë ose ta eksplorojë edhe më shumë se si ka funksionuar në Prishtinë dhe çfarë efektesh pozitive ka sjellë atje ky sistem informacioni. Gjithashtu, mendoj se ka fusha të ndryshme të menaxhimit të studentëve, në të cilat ne mund të ofrojmë asistencën tonë. Por, më lejoni të theksoj se ka më shumë hapësira që ne të marrim prej qytetit Studenti të Tiranës. Të marrim dhe të huazojmë sesa të ofrojmë, kjo për shkak të traditës dhe përvojës shumë vjeçare të qytetit Studenti, Tiranë, ky shihet shumë qartë se organizimi dhe jeta studentore funksionon për mrekulli. Është diçka që konstatohet lehtë.
Cilat janë synimet për të ardhmen? Në çfarë fushash konkrete do vijojë bashkëpunimi?
Më duhet të shtoj se jo vetëm ne si dy drejtori, por ka dhe Ndërmarrje të Trajtimit të Studentëve në qytetet të tjera të Shqipërisë si Elbasan, Shkodër, Vlorë, Korçë etj, dhe mendoj se së bashku me drejtorin Brovina, të organizojmë një gamë më të gjerë, si në kuadër të studentëve ashtu dhe në kuadër të organizimit të kompeticioneve të përbashkëta artistike, kulturore dhe sportive. Kështu, kjo traditë mund të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe të jetë më e intensifikuar se deri më tani.
Synoni krijimin e një Shoqate të Drejtorive Studentore?
Ideja jonë është e hershme, mirëpo mendoj se me këtë vizitë që po zhvillojmë në Tiranë, të cilën pres që edhe drejtori Brovina ta zhvillojë në Prishtinë në një të ardhme të afërt, mendoj që shumë gjëra t’i shpalosim në letër dhe të hedhin hapin tjetër, drejt realizimit të saj. Mendoj se për këtë do flasë më gjerësisht vetë z.Brovina.
Bujar Brovina: Ngritja e Shoqatës, fuqizon Qendrat Studentore – do jenë vendimmarrëse
Drejtori i qytetit Studenti shpalosi dje propozimin për ngritjen e një shoqate Studentore me bazë të gjerë përfaqësimi si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë. Në takimin e zhvilluar me homologun e tij të Prishtinës, Sfishta drejtori Brovina tha se ngritja e kësaj Shoqate do fuqizojë rolin e qendrave studentore në organizimin e jetës studentore si dhe do funksionojë si njësi vendimmarrëse, ndërsa dhe një përparësi do kenë studentët në mbledhjen e sugjerimeve dhe propozimeve të tyre për projekte të ndryshme që janë të dobishme për organizimin e jetës studentore. “Dëshiroj të përshëndes bashkëpunimin me Drejtorinë Studentore të Prishtinës. Gjej rastin të falenderoj edhe drejtorin që mori iniciativën për këtë takim dhe mund të them që ka qenë shumë i frytshëm, gjithmonë në kuadër të bashkëpunimit dhe të eksperiencave. Por, përsëri marr shkas nga drejtori i Qendrës Studentore të Prishtinës, që ky bashkëpunim nëpër rrethe të funksionojë në bazën e një Shoqate, Shoqata e Qendrave Studentore të Shqipërisë dhe Kosovës. Të adaptojmë modelin e Shoqatës së Bashkive. Kjo shoqatë të jetë me një status të veçantë, ku të bëhen dhe përzgjedhjet, ku të marrë përmasa institucionale hierarkike me zgjedhjen e kryetarit, nënkryetarit dhe sekretarit. Në këtë Shoqatë që do të ngremë, mund të fillojmë edhe binjakëzimet me qendrat studentore të Evropës dhe do jetë pikërisht kjo Shoqatë që do e kryejë këtë funksion”- u shpreh drejtori i qytetit Studenti, Bujar Brovina. Duke u ndalur te shkëmbimi i eksperiencave mes qytetit Studenti të Tiranës dhe Qendrës Studentore të Prishtinës, Brovina tha se është një nismë shumë konkrete që eksploron mundësi bashkëpunimi në të ardhmen mes dy drejtorive. Ai tha se Drejtoria e qytetit Studenti është e gatshme t’i ofrojë përvojën dhe traditën e saj, Qendrës Studentore të Prishtinës. Por, po ashtu qyteti Studenti ka edhe se çfarë të marrë. “Nga bashkëpunimi që lidhëm sot me stafin e qendrës studentore të Prishtinës, ramë dakord në shumë aspekte. Drejtori më sugjeroi instalimin e kamerave të vëzhgimit në qytetin Studenti, të cilën mund të them se do ta marr si eksperiencë. Çdo bujtinë do ketë një kamera monitorimi në hyrje të saj. Diçka e mirë dhe që mendoj se vlen se përvojë për ne, është sistemi i ngrohjes që ne e kemi me kapacitet të pjesshëm, por Qendra Studentore e Prishtinës e ka aktualisht me kapacitet të plotë. Sistemi i ngrohjes tek ne është vetëm 40%. Do ta shohim me vëmendje këtë projekt. Shumë shpejt edhe ne si Drejtori e Tiranës do vizitojmë Qendrën Studentore të Prishtinës, ku do të marr disa pika kryesore evidente, të cilat mund t’i ezaurojmë këtu në qytetin Studenti. Gjej rastin të përshëndes edhe njëherë drejtorin për vizitën e tij” - tha më tej, drejtori Brovina.
...