E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për të ndalur Iranin, ushtro presion mbi Kinën

11-11-2011 / Nga Ilan I. Berman (Nju Jork Tajms)

Dy ditë më parë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, IAEA, (organizatë për mbikëqyrjen bërthamore e OKB-së) publikoi një raport lidhur me programin bërthamor të Iranit. Ky raport siguron dëshmitë më bindëse deri më sot në përpjekjen për të provuar se Irani është afër prodhimit të një arme bërthamore. Por, teksa Irani i afrohet pragut bërthamor, mënyra më e mirë për ta ndaluar mund të jetë ajo e ndëshkimit të kompanive kineze që furnizojnë Teheranin dhe i mundësojnë progresin bërthamor. Administrata Obama duket se e ka kuptuar këtë. Vizita e fundshtatorit në Kinë e David S. Cohen, nën-sekretar për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare i Departamentit amerikan të Thesarit, përbënte paralajmërimin më të qartë gjer më tani ndaj Pekinit se bankat dhe institucionet financiare mund të përballen me sanksione nëse ato do të vazhdonin të bënin biznes me subjektet iraniane. Ky veprim është kuptimplotë. Më shumë se një vit më parë, Presidenti Obama nënshkroi një ligj me një seri sanksionesh gjithëpërfshirëse me qëllim asfiksimin e sektorit të energjisë së Iranit. Megjithatë, deri më tani, Kina më së shumti ka marrë një notë kaluese në lidhje me angazhimin e saj me Iranin. Këto lidhje janë të gjera dhe po zgjerohen. Në vitet e fundit, dinamizmi ekonomik i Kinës ka sjellë me vete një oreks të pangopur për energji. Kjo e ka bërë Iranin e pasur me energji një partner natyral dhe strategjik. Në vitin 2009, Irani u rëndit si furnizuesi i dytë më i madh i Kinës me naftë. Importet nga Irani përbënin 15% të importeve vjetore të Pekinit. Në shkëmbim, Kina ka ndihmuar dhe përkrahur kërkesën e Iranit për kapacitet bërthamor. Diplomatikisht, Kina e ka bërë këtë duke vështirësuar mbikëqyrjen ndaj programit bërthamor të Iranit dhe duke i rezistuar zbatimit të sanksioneve serioze kundër Teheranit. Në mënyrë më të drejtë për drejtë (dhe më të rrezikshme), ajo ka bërë një sy qorr ndaj blerjeve të Iranit nga burime kineze të teknologjisë së ndjeshme dhe materialeve për programin e tij bërthamor. Me kalimin e kohës, liderët kinezë janë bindur se Uashingtoni i jep më shumë prioritet tregtisë bilaterale me Pekinin se shqetësimeve që kanë të bëjnë më programin bërthamor të Iranit, dhe se për këtë arsye SHBA-të nuk do të miratojnë dënime të rënda për marrëdhëniet e Kinës me Iranin. Kjo ka lejuar zyrtarët kinezë të japin premtime boshe ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për të frenuar programin bërthamor të Iranit, teksa në heshtje luajnë rol kyç në ushqyerjen e kërkimeve bërthamore të Teheranit. Rezultati është i qartë: Kur bëhet fjalë për Iranin, Kina sot nuk është pjesë e zgjidhjes; është pjesë e problemit. Siç ka vënë në dukje edhe David Albright i “Institutit për Shkencën dhe Sigurinë Ndërkombëtare”, Kina po bëhet nxitësi kryesor i Iranit duke e furnizuar me shumicën e pajisjeve që Teherani ka nevojë në mënyrë që të mbajë lart përpjekjet e tij bërthamore “përpara syve” të sanksioneve ndërkombëtarë. “Kina nuk ka vënë në zbatim në mënyrë adekuate kontrollet e saj tregtare ose ligjet e sanksioneve”, argumentoi më herët gjatë vitit Albright. Në të vërtetë, një goditje e bashkërenduar me Kinën ndaj firmave të përfshira në tregti bërthamore me Iranin do të gjymtonte në mënyrë efektive programin atomik të Teheranit. I shqetësuar për efektet e mundshme destabilizuese ekonomike, Uashingtoni historikisht nuk ka ushtruar presion ndaj Pekinit lidhur me marrëdhëniet e tij me Teheranin. Por, nëse administrata Obama është serioze në lidhje me ndalimin e programit bërthamor të Iranit, ajo duhet ta bëjë këtë duke vënë sanksione ndaj kompanive të tilla si: “China National Offshore Oil Corporation” (CNOOC), e cila ka zhvilluar në terren projektin vigan të Iranit në fushën e gazit, “Parsi i Veriut”, që prej vitit 2006; dhe “PetroChina”, e cila mbikëqyr importin e rreth tre milionë tonë gazi natyror të lëngshëm nga Irani, për çdo vit. Të dyja këto kompani kuotohen në Bursën e Nju Jorkut, prandaj duhet të bëhen subjekt i ndëshkimeve sipas ligjeve ekzistuese. Ekskursioni i fundit në Pekin i Cohenit, kishte për qëllim të bindë qeverinë kineze se duhet të zvogëlojë me vendosmëri lidhjet e saj me Teheranin, ose në të kundërt të përballet me kostot reale ekonomike. Ky mesazh duhej të ishte shoqëruar me zbatimin e ndëshkimeve konkrete ekonomike, duke filluar nga ndalimi i projekteve energjetike me bazë në SHBA deri tek ndalimi i transaksioneve që janë nën juridiksionin amerikan, me qëllim bindjen e kompanive kineze, përfshirë “CNOOC”-in dhe “PetroChina”-n për të pakësuar kontaktet e tyre ekonomike me Iranin. Në të njëjtën kohë, nevojiten më shumë sanksione dhe ngrirje asetesh për të vënë në vështirësi individët e caktuar dhe entitet kineze që aktualisht janë të përfshirë në përparimin bërthamor të Iranit. Pas së gjithash, shpresa e fundit për të shmangur në mënyrë paqësore përpjekjet bërthamore të Iranit qëndron në bindjen e Pekinit se të bërit “biznes si zakonisht” me Teheranin, thjesht nuk është më e mundur.

Autori është zv/President i Këshillit Amerikan të Politikës së Jashtme

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›