E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali Berlusconi ne Kasacion me 30 korrik

Gjykata më e lartë në Itali ka përcaktuar 30 korrikun, si datën kur do të merret në shqyrtim apelimi i ish-kryeministrit Berlusconi, mbi akuzën për evazion fiskal, shumë më herët nga sa pritej.

Gjykata e Kasacionit vendosi mbi ditën kur apelimi u dorëzua formalisht. Seanca e dëgjimit mund të parandalojë në këtë mënyrë statutin e kufizimeve nga skadimi i një prej akuzave ndaj tij, bëjnë të ditur analistët. Në maj, një gjykatë apeli mbështeti dënimin e Berlusconi-t. Ajo pranoi gjithashtu afatet prej 4 vjetësh burgim dhe 5 vjetësh pezullim nga çdo lloj posti publik. 76-vjeçari u dënua për fryrjen artificiale të çmimeve të të drejtave të shpërndarjes, të filmave të blera nga kompania e tij, Mediaset, në mënyrë që të shmangte taksat. Berlusconi mohon akuzat dhe ka thënë se ato janë të motivuara politikisht. Sistemi i Drejtësisë italiane është tejet i ngadalshëm në lidhje me trajtimin e apelimeve, ndaj dhe vendimi i së martës nga Gjykata e Kasacionit shkaktoi një reagim të fuqishëm nga pala mbrojtëse e Berlusconi-t. “Nuk kam parë kurrë një seancë dëgjimore të programuar kaq shpejt sa kjo. Jam i habitur”, tha avokati Franco Coppi për agjencinë e lajmeve Reuters. “Kjo është një trysni e vërtetë mbi të drejtat e mbrojtjes”. Nëse kjo gjykatë do të mbështesë sërish dënimin e Berlusconi-t, atëherë ai nuk do të ketë më të drejtë për apelim. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›