E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Itali/ Meloni: Qeveria do të vendosë interesat kombëtare të energjisë në krye të përparësive

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, e cila është gati të bëhet kryeministrja e ardhshme e Italisë, u zotua sot të vendosë interesat kombëtare në trajtimin e kostove në rritje të energjisë. Deklarata e Melonit u bë pasi kompania ruse Gazprom informoi gjigantin e gazit ENI se nuk do ti dërgoj gaz natyror Italisë, duke shtrënguar më tej furnizimet, pasi Moska kërkon që t’i bëjë presion Evropës për luftën e saj kundër Ukrainës. 

Meloni ka mbështetur fuqishëm Ukrainën. Një nga postimet e saj të para pas fitores ishte përgjigjia ndaj një urimi të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.  “Ju e dini se mund të keni mbështetjen tonë besnike për kauzën e lirisë së popullit ukrainas!” shkroi ajo më 27 shtator. 

Meloni pati këtë javë takime me dyer të mbyllura me aleatët, si dhe qeverinë në largim. Pjesa më e madhe e këtyre bisedimeve kishin të bënin me kostot e larta të energjisë dhe përgjigjen e BE-së, pasi Gjermania njoftoi se do të shpenzonte deri në 200 miliardë euro për të ndihmuar konsumatorët dhe bizneset që të përballonin kostot, ndërkohë që refuzon të mbështeste një kufi të çmimit evropian të gazit, siç ka kërkuar Italia dhe vende të tjera.

Meloni tha se nëse qeveria e saj ndërmerr një veprim të ngjashëm, ai nuk duhet të shihet si një reagim populist, nacionalist, por një strategji “e qartë”, për “të mbrojtur interesat kombëtare për të arritur në zgjidhje të përbashkëta”. “Qëndrimi i Italisë duhet të fillojë me mbrojtjen e interesave të saj kombëtare për të gjetur zgjidhje të përbashkëta”, tha Meloni.

Që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt, Rusia ka shkurtuar furnizimet me gaz natyror të dërguara në Evropë për të ngrohur shtëpitë, për të prodhuar energji elektrike, si dhe për të punuar fabrikat. Italia ka shpenzuar 60 miliardë euro që nga viti i kaluar për të lehtësuar dhimbjen e çmimeve të larta të energjisë për familjet dhe industrinë.

Qeveria në largim e kryeministrit Mario Draghi, ka refuzuar të marrë hua më shumë para për një paketë më të thellë ndihme, duke përmendur nivelin e lartë të borxhit të Italisë. Italia ka bërë presion për një kufi të çmimit evropian të gazit natyror rus, por deri më tani nuk ka qenë në gjendje të bindë pjesën tjetër të 27 vendeve të BE-së. Apnews

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›