SHBA/ Miratohet ligji për financimin e qeverisë federale

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA miratoi një projekt-ligj për financimin e qeverisë federale, duke shmangur një mbyllje të pjesshme, më pak se gjashtë javë përpara zgjedhjeve afatmesme në SHBA ku kontrolli i Kongresit është në rrezi .
Projektligji , i cili përfshin 12.3 miliardë dollarë shtesë për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër pushtuesve rusë, u miratua nga Senati me mbështetjen dypartiake. Në Dhomën e Përfaqësuesve, ai kaloi me një votim 226 pro dhe 200 kundër, me 10 republikanë që ishin në anën e demokratëve.
Përveç ndihmës financiare për Ukrainën për financimin e shërbimeve qeveritare, projektligji autorizon presidentin Joe Biden të tërheqë deri në 3.7 miliardë dollarë për t’i dërguar në Kiev sistemet e tepërta të armëve amerikane.
Përveç kësaj, mes raporteve për forcat ruse që kërcënojnë sigurinë e centraleve bërthamore të Ukrainës dhe sugjerimeve të presidentit rus Vladimir Putin për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, 35 milionë dollarë janë caktuar “për përgatitjen dhe reagimin ndaj incidenteve të mundshme bërthamore dhe radiologjike në Ukrainë”.
Kongresi i SHBA ka përdorur miratimin e financimit në minutën e fundit në 43 nga 46 vitet e fundit.
Hera e fundit që Kongresi lejoi skadimin e financimit për qeverinë federale ishte në dhjetor 2018, kur demokratët kundërshtuan fuqishëm planet e presidentit të atëhershëm Donald Trump për një mur në kufirin SHBA-Meksikë duke çuar në një bllokim 35-ditor.
/rtsh.al/