Tekniku shmang polemikat Kranjçarin e kam mik
Periudha e pragndeshjes Mali i Zi-Shqipëri (më 25 maj në stadiumin e Podgoricës) është shoqëruar edhe nga një zhurmë e madhe mediatike në shtypin kroat, ku dy trajnerët përkatës, Josip Kuzhe i Shqipërisë dhe Zllatko Kranjçar i Malit të Zi, përfliten si kandidatët kryesorë për të marrë stolin e Dinamos së Zagrebit. Kjo është shoqëruar gjithashtu edhe me zbardhjen e disa mëkateve të dy teknikëve në të kaluarën e tyre. Por i pyetur nga gazetarët shqiptarë, Kuzhe ka shmangur fjalët polemizuese në lidhje me trajnerin e Malit të Zi, Zllatko Kranjçar, duke zgjedhur të mos pranojë të komentojë për problemet e “mikut” tij (të cilin do ta ketë kundërshtar për 90 minutat e 25 majit) me alkoolin. “Ai është miku im i ngushtë, kemi luajtur bashkë për 8 vjet, kështu që nuk më intereson shumë jeta e tij private”, deklaroi trajneri kuqezi, i cili është më i fokusuar te “derbi” kroat me mikun e tij në fushë.
#