E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, protestë e mbështetësve të Berluskonit

ROME-Qindra mbështetës të ish-kryeministrit të Italisë, Silvio Berlusconi kanë protestuar në Romë kundër dënimit ndaj tij për mashtrim tatimor.

Gjykata më e lartë në Itali, të enjten mbështeti dënimin me katër vjet burg, që është shndërruar në një vit, për zotin Berlusconi, i cili është edhe pronar i disa organizatave të mediave në Itali.

Ky ishte dënimi i parë i plotfuqishëm kundër tij pas përfundimit të një varg të proceseve gjyqësore.

Duke folur mbrëmë para mbështetësve të tij, Berlusconi, 76-vjeçar, ka përsëritur se është i pafajshëm dhe tha se do të vazhdojë ta mbështesë koalicionin e partisë së tij të qendrës së djathtë dhe Partinë Demokratike të qendrës së majtë, të kryeministrit Enrico Letta.

Pritet që Berlusconi dënimin e tij do ta vuajë nën arrest shtëpiak ose duke bërë punë shërbyese në komunitet.

Ndërkohë në shenjë proteste ndaj dënimit të ish-kryeministrit, deputetët e partisë së Berlusconit kanë dhënë dorëheqjen. Koalicioni qeveritar italian është në rrezik, ministrat e partisë “Populli i lirisë” së Berlusconit janë po ashtu të gatshëm
të japin dorëheqjen dhe për të shkuar me to tek presidenti, Giorgio
Napolitano, në rast se nuk gjendet një zgjidhje për rastin
“Berlusconi”. “Ne jemi të gatshëm të dorëhiqemi për të mbrojtur idealet tona”, - ka thënë ministri i Brendshëm, Angelino Alfano. Me këtë hap rrezikohet koalicioni qeveritar i kryeministrit Enrico Letta.

Vetë kryeministri italian e ka përshkruar situatën si një periudhë të vështirë për politikën e vendit. Në të njëjtën kohë ai ka shprehur shpresën se “interesi i përgjithshëm” do të ngrihet mbi interesin personal.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›