Itali, qeveria e Letës në rrezik
Tronditen themelet e koalicionit të qeverisë së kryeminsitrit Italian, Enriko Leta, pas vendimit të gjykatës që dënoi ish kryeministrin, Silvio Berluskoni.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve Agi, dorëheqjen e tyre kanë vënë në dispozicion të përfaqësuesve të grupeve parlamentare të partisë së qendrës së djathtë në Dhomën e ulët dhe Senat, Reanto Brouneta dhe Renato Skifani, respektivisht në mënyrë që të nxisin qeverinë dhe Presidentin e Italisë Georgio Napolitano, të falë Berluskonin.
Skifani mohoi se parlamentarët kanë dhënë dorëheqjen, por paralajmëroi se kjo do të ndodhë në qoftë se nuk plotësohet kërkesa e tyre.
Të dy përfaqësuesit e grupeve parlamentare duket se kanë planifikuar për t’iu drejtuar sa më shpejt të jetë e mundur pallatit presidencial, për të kërkuar nga Napolitano të “rivendos demokracinë” dhe ti japë falje liderit të PDL.
Ish-kryeministri Italian, Silvio Berlusconi, vazhdon me reagimet ndaj vendimit të gjykatës: “Një vendim i bazuar në asgjë” sipas tij. Të Premten prokurorët e Milanos firmosën ekzekutimin e vendimit për proçesin “Mediaset”, duke hequr dënimin me burg por duke konfirmuar arrestin shtëpiak ose shërbimin ndaj komunitetit.
Ndërsa Kavalieri nisi menjëherë lëvizjet e tij dhe gjatë pasdites është takuar me deputetët e partisë së tij, Populli i Lirisë, PDL, me të cilët ka parashtruar hipotezën e daljes nga koalicioni qeverisës. “Duhet të kërkojmë sa më shpejt zgjedhje për të fituar. Të gjejmë rrugën më të mirë për të arritur këtë objektiv”, ka deklaruar Berlusconi.
Ish-kryeministri është pritur me ovacione kur ka hyrë në dhomën e mbledhjes me deputetët e tij, të cilët e kanë duartrokitur për disa minuta.