E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, rritet shuma e të ardhurave vjetore për bashkimin familjar

Flet Durim Hatibi, specialist i Emigracionit në Ministrinë e Punës. Ministria e Punës publikon një material me pyetje-përgjigje për emigrimin në Itali

Jonida Tashi

Rritet shuma e të ardhurave vjetore që duhet të sigurojë një emigrant, që jeton dhe punon në Itali, për të kryer bashkimin familjar. Lajmi bëhet i ditur nga specialisti i Emigracionit, në Drejtorinë e Politikave Migratore në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi. Ky i fundit sqaron se duke filluar nga data 1 janar e këtij viti, shuma e të ardhurave vjetore, e modifikuar me dispozitat e reja të miratuara së fundmi nga qeveria italiane, është rritur. Shuma vjetore e përcaktuar e çekut social për vitin 2009 është baraz me 5.317,65 euro. Në zbatim të Nenit 29 të Tekstit Unik mbi Imigrimin, duhet të realizohet një e ardhur vjetore, nga burime të ligjshme, jo më e vogël se shuma e çekut social, që shumëzohet me gjysmën për çdo familjar kandidat për ribashkim familjar. Për ribashkimin me dy a më shumë fëmijë në moshë nën 14 vjeç apo me dy a më shumë familjarë të mbajtësve të statusit të mbrojtjes së përkohshme, do të mjaftojë një e ardhur jo më vogël se dyfishi i çekut social.
Shuma
Një shtetas shqiptar, rezident në Itali, i cili kërkon të dijë shumën e të ardhurave bruto në mënyrë që të kërkojë ribashkim familjar me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, përkatësisht 2 dhe 9 vjeç, i cili i ka të plotësuara të gjitha kërkesat e tjera për ribashkim familjar dhe paga e tij aktuale mujore është 906 euro bruto dhe 785 euro neto për 14 muajt e fundit, specialisti i përgjigjet si më poshtë. “Meqë shuma vjetore e përcaktuar e çekut social për vitin 2009 është baras me 5.317,65 euro, del me përllogaritje se ty të kërkohet për ribashkimin me bashkëshorten dhe dy fëmijë nën 14 vjeç të realizosh një të ardhur vjetore 13.294,75 euro, në një kohë që ti realizon 12.684,00 euro”. Sipas Hatibit, disa Sportele Unike mbi Imigrimin, si organe kompetente për shqyrtimin e këtyre kërkesave, janë shumë të ngurtë në përllogaritjen e të ardhurave, duke kërkuar edhe në qindarka respektimin e ligjit, ndërsa disa të tjerë janë më fleksibël dhe mbajnë parasysh qëndrueshmërinë e marrëdhënieve të punësimit dhe disa parametra të tjerë, kur të ardhurat shmangen jo shumë nga kufijtë ligjore.
Materiali
Ministria e Punës, për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë, ka përgatitur një material me pyetje-përgjigje rreth problematikës së emigracionit shqiptar në Itali. Pyetjet janë drejtuar nga emigrantë shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj, ndërsa përgjigjet janë dhënë nga specialisti i Emigracionit, në Drejtorinë e Politikave Migratore në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi. Pyetjet e dërguara nga emigrantët shqiptarë kanë të bëjnë me çështje të ndryshme si marrja e nënshtetësisë dhe lejet e qëndrimit për të cilat ata janë sqaruar nga specialisti i emigracionit. Përsa i përket marrjes së nënshtetësisë italiane, kur një shtetase/s shqiptar martohet me një shtetase/s italian/e dhe mban shtetësinë shqiptare, Durim Hatibi sqaron se ai mund të qëndrojë pa ndërlikime dhe telashe në Itali duke kërkuar kartën e qëndrimit si familjar i një shtetasi të BE-së.

Përgjigjet e dhëna nga specialisti për pyetjet e emigrantëve shqiptarë

Pyetje: Jam shtetas shqiptar, rezident në Itali. Jetoj me vëllain tim shtetas italian dhe zotëroj lejeqëndrimi si punëmarrës. A mund të kërkoj kartën e qëndrimit? Në Itali kam ardhur në suazën e Dekret-Flukseve 2007 dhe kam lejeqëndrimi si punëmarrës. Njëherësh jetoj me vëllain tim, që është shtetas italian. Pra, jam familjar i shkallës së dytë i një shtetasi italian. Desha të di nëse kam të drejtën e kërkimit të kartës së qëndrimit si familjar i një shtetasi italian, duke e konvertuar edhe lejen e qëndrimit nga ajo me motive punësimi në atë me motive familjare. Sigurisht që lidhjen time familjare me vëllain mund ta provoj përmes Konsullatës Italiane në Tiranë.

Specialisti përgjigjet:
Nuk është e mundur të konvertosh lejen e qëndrimit si punëmarrës në kartë qëndrimi si familjar i shtetasit italian, sepse nuk bëhet fjalë për familjar në ngarkim të “shkallës së parë”, siç e parashikon edhe Direktiva Europiane Nr.38/2004, pra për bashkëshort/e dhe prindër dhe pasardhës/fëmijë.

Pyetje: Jam në Itali për motive turistike në harkun kohor 22 janar-1 mars 2009. Desha të di nëse mund të rikthehem atje dhe a përllogaritet gjithnjë gjashtëmujori i parë nga data e hyrjes, apo gjashtëmujori i parë nga data e largimit nga Itali?

Specialisti përgjigjet:
90 ditët e qëndrimit maksimal për motive turistike përllogariten duke iu referuar 6-mujorit që vjen nga data e hyrjes së parë. Deri më 22 korrik mund të qëndrosh edhe për 90 ditë të tjera, por me vizë të re hyrjeje, sepse nuk mund të shtyhet ky lloj qëndrimi, veç shkaqeve shumë madhore dhe të rralla.

Pyetje: Kam paraqitur kërkesën për shtetësinë italiane dhe kam katër vjet që po pres. Ende nuk kam marrë asnjë përgjigje. A është normale kjo dhe ç’duhet të bëj në këtë rast?

Specialisti përgjigjet:
Jo, kjo nuk është aspak normale. Afati maksimal i pritjes me ligj është parashikuar 730 ditë. Ke mundësi ama të kontaktosh Qendrën e Thirrjeve të Ministrisë së Brendshme me numra telefoni: 06 48042101 -102 -103 -104 për të marrë informacione mbi ecurinë e praktikës tënde.

Pyetje: Jetoj në Itali që nga viti 1994, me leje të rregullta qëndrimi. Në prill të vitit të shkuar u martova ligjërisht me një shtetas italian, duke qenë edhe vetë shtetase italiane. Desha të di nëse vëllai im, që jeton me mua me leje të rregullt qëndrimi, mund të bëjë kërkesë për marrjen e shtetësisë italiane, duke qenë se bën pjesë praktikisht në familjen time në Itali? Aq më shumë dy fëmijët e mi të mitur janë shtetas italianë.

Specialisti përgjigjet:
Nuk ka asnjë “shteg të shkurtër” për vëllain e një shtetasi/se italian/e, për të kërkuar dhënien e shtetësisë italiane. Për këtë vlejnë të gjitha rregullat në fuqi për shtetasit e huaj, duke nisur nga ai i qëndrimit të rregullt 10-vjeçar minimalisht në Itali, mes disa tjerash.

Pyetje: Kam gjetur një punëdhënëse italiane, e cila është e gatshme të më punësojë si bashkëpunëtore familjare (colf), me kontratë të rregullt të kësaj kategorie. Çfarë dokumentesh mund të përgatisë ajo për mua dhe ç’duhet të përgatis unë? Ku duhen paraqitur këto dokumente?

Specialisti përgjigjet:
Në Dekret-Flukset 2008 nuk është dhënë mundësia për të paraqitur kërkesa të reja për punësim, veç atyre të mbetura të paplotësuara me Dekretin 2007. Sidoqoftë, sipas zhvillimeve mund të botohen dekret-flukse të reja, ku të parashikohet kjo mundësi për punësime të reja të shtetasve nga shtete jo anëtare të BE-së.

Pyetje: Kam lexuar diku që punëdhënësi nëse ka punësuar “në të zezë”, ndëshkohet me një gjobë prej 150 eurosh në ditë nëse punëmarrësi provon se ka punuar në “të zezë”. A është e vërtetë kjo? Punëdhënësi im nuk do të më paguajë punën e kryer për të në këto pesë muajt e fundit. Inspektorati i “Guardia di Finanza”-s kërkon prova. Unë zotëroj vetëm fotokopje, sepse origjinalet janë shkatërruar nga punëdhënësi im.

Specialisti përgjigjet:
Po, kjo është e vërtetë. Punëdhënësi duhet të paguajë një gjobë administrative 150 euro në ditë, si ndëshkim maksimal. Provat të takojnë ty, sepse ai jo vetëm që nuk do t’i ofrojë, por madje edhe do të bëjë të pamundurën për të provuar të kundërtën.

Pyetje: Po ju shkruaj nga Siena. Nëna ime jeton me mua prej dhjetë vitesh. Në prill 2008 bëri kërkesë për lëshimin e kartës së qëndrimit dhe e mori. Dua të di nëse mbajtësi i kësaj karte ka të drejtën e një pensioni minimal apo social. Kjo fillon ditën kur kemi paraqitur kërkesën për pajisje me kartë qëndrimi, apo nga dita kur na u dorëzua? Mes të tjerash, nëna ime është 72 vjeç.

Specialisti përgjigjet:
Një shtetas i huaj, tashmë mbajtës i kartës së qëndrimit (dhe jo nga dita e paraqitjes së kërkesës) mund të parashtrojë kërkesë për përfitimin e çekut social kur nuk realizon asnjë të ardhur apo realizon të ardhura nën vlerën monetare të çekut social, aktual, ka mbushur 65 vjeç dhe ka qëndrim të vazhdueshëm në Itali. Nëse mbajtësi i çekut social e zhvendos rezidencën e tij jashtë, atëherë e humbet këtë të drejtë. Çeku social është një përfitim që nuk u kalon trashëgimtarëve.

Pyetje: Do të doja një informacion lidhur me lejen e qëndrimit CE të rezidentit afatgjatë, apo kartën e qëndrimit. Për personat që kanë rinovuar pasaportën, më kanë thënë se duhet rinovuar edhe karta e qëndrimit. Cilat do të ishin pasojat nëse nuk do të rinovohej kjo kartë? Nëse po, ajo nuk do të ishte më “Kartë Qëndrimi”, por “Leje Qëndrimi CE e Rezidentit Afatgjatë”? Data e skadencës do të ishte po ajo, d.m.th. në kartën e qëndrimit është shkruar pa kufizim kohor. A do të ketë skadencë pas pesë vitesh?

Specialisti përgjigjet:
Nuk ka ndryshim mes kartës së qëndrimit dhe lejes së qëndrimit CE të rezidentit afatgjatë, përsa pyet, dhe nuk kërkohet rinovimi, por vetëm azhurnimi me pasaportën e re. Afati i skadencës është i pakufizuar në kohë, por pas çdo pesë vitesh dokumenti elektronik duhet të azhurnohet dhe jo të rinovohet.

3 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›