E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkatërrimet në Jalë. Raporti i IDA-s dënon Bankën Botërore dhe qeverinë shqiptare

Auditi i Brendshëm i Bankës bën përgjegjës zyrtarët e huaj në Tiranë dhe qeverinë. Përfaqësuesit e BB-së në Tiranë pranojnë shkeljen e rregullave të këtij institucioni

Habjon Hasani

Tiranë - Përfaqësia e Bankës Botërore në Tiranë ka pranuar pjesën e saj të përgjegjësisë lidhur me shkatërrimet e disa ndërtimeve në Jalë në vitin 2007. Ky reagim erdhi pas raportit të Auditit të Brendshëm të Bankës Botërore (IDA). Aksioni u krye në vitin 2007, në kuadër të prishjes së ndërtimeve pa leje, por më vonë doli se ky aksion ishte një plan i mirorganizuar, në kuadër të projektit “Për bregdetin e Jugut”, të financuar nga Banka Botërore. Kryekoordinatori i këtij projekti në Shqipëri është Jamarbër Malltezi, dhëndri i kryeministrit. Me këtë raport është njohur dhe Bordi Ekzekutiv i Bankës Botërore. Prezantimi që Paneli i Inspektimit (Auditi) të BB-së i ka bërë Bordit Ekzekutiv ka ardhur pas një pune të gjatë në terren dhe vizitës që tre zyrtarë të lartë të Panelit kanë bërë në vitin 2007 në vendin tonë. Gjithçka ka filluar me kërkesën për inspektimin që i është dërguar Panelit nga disa përfaqësues të familjeve në fshatin Jalë dhe nga përfaqësuesi i Shoqatës së Operatorëve Turistikë në Vlorë, Petrit Levendi. Pasi janë njohur me pretendimet e tyre, tre përfaqësues të lartë të Panelit kanë vizituar Shqipërinë më 21-25 shtator të vitit 2007, ku kanë takuar përfaqësi të banorëve në Jalë dhe në Vlorë, si dhe ekipin e menaxhimit të projektit, i cili kryesohet nga z. Malltezi.
Investigimi
Nisur nga fakti se Panelit i kishin ardhur dy kërkesa për inspektim, ai vendosi që gjatë analizës së punës t’i trajtonte veçmas këto dy kërkesa, fakt ky që pasqyrohet dhe në konkluzionet e raportit, ku ndërsa është vendosur se ka pasur shkelje për ngjarjet e ndodhura në Jalë, për kërkesën e ardhur nga Vlora është arsyetuar se nuk është arritur të bëhet një lidhje e qartë mes pretendimeve të hetim-kërkuesve dhe zhvillimeve të konstatuara në terren. Gjithsesi, ekspertët e Panelit të Inspektimit kanë shtuar më tej se ka disa indicie (jo shumë domethënëse), të cilat, nëse do të kompletohen, mund të shkaktojnë një hetim edhe për këtë pistë. Nisur nga përmbajtja e raportit vërehet se përplasja mes ekipit të menaxhimit dhe përfaqësisë së banorëve të Jalës qëndronte në faktin se ekipi i menaxhimit i kishte konsideruar prishjet e ndërtesave në Jalë si një plan qeveritar të shkëputur nga projekti, por publikimi në media i një plani të panjohur të këtij projekti (për të cilin qeveria kishte dijeni), ka minuar pozicionin e ekipit të menaxhimit dhe e ka bindur Panelin e Inspektimit se janë shkelur rregullat strikte me të cilat operon Banka Botërore.
Hetuesit
Mëngjesin e 21 shtatorit të vitit të kaluar, në Rinas kanë zbritur tre përfaqësues të lartë të Panelit Inspektues të BB-së, që të tre persona me funksione “kyçe” në Bankën Botërore. Drejtoresha e Përgjithshme e Panelit, Uerner Kiene, së bashku me sekretaren ekzekutive të Panelit, Dilek Barlas dhe ekspertin special Eduardo Abbott (ish-drejtor i Panelit dhe një ekspert me shumë autoritet), vizituan Shqipërinë për të parë në terren zbatimin e projektit dhe për të vlerësuar qëndrueshmërinë dhe vërtetësinë e ankesave që kishin ardhur nga Shqipëria. Pasi janë njohur me pretendimet e përfaqësive të zonës së Jalës dhe asaj të Vlorës, tre përfaqësuesit e lartë kanë kontaktuar dhe ekipin e menaxhimit të projektit për të dëgjuar dhe versionin e tyre. Kësisoj, pasi kanë inspektuar për katër ditë dhe pasi kanë arkivuar qëndrimet, argumentet dhe pozicionimet e të dyja palëve, ata kanë filluar hartimin e këtij raporti, që sot ndodhet në zyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Bankës Botërore.

Projekti, Banka Botërore dhe qeveria heshtën pas publikimeve mediatike

Gazeta “Albania” botoi në vitin 2007 ekskluzivisht planin sekret të qeverisë dhe të Bankës Botërore për “Bregdetin e Jugut”. Projekti qeveritar, i koordinuar nga vetë dhëndri i kryeministrit, është trajtuar nga Ekzekutivi si një sipërmarrje e dorës së parë. Këtë e vërteton dhe akomodimi që i është bërë dhëndrit të kryeministrit, i cili zyrën e tij të punës si koordinator i këtij projekti e ka në katin e tretë të Ministrisë së Transporteve! Një përqasje e rrallë kjo, pasi asnjëherë më parë “Njësitë e Menaxhimit të Projekteve” nuk kanë punuar në ambiente publike, e aq më pak ministrore. Nëse u referohemi objektivave që ka kjo zyrë e drejtuar nga zoti Malltezi, si rregull, ajo duhet të ndodhej diku pranë Rivierës shqiptare, pasi i gjithë menaxhimi që kryen kjo zyrë lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm me vijën e bregdetit të Jugut. Pasi “Albania” siguroi projektin e mbajtur sekret, kërkoi menjëherë të kontaktonte zyrën e punës së zotit Malltezi. Me shumë kujdes zoti Malltezi na komunikoi se axhenda e tij e ngjeshur nuk i jepte kohë për t’i dhënë përgjigje interesimit tonë. Gjithsesi, ai na siguroi se tre bashkëpunëtoret e tij në këtë zyrë do të ishin në dispozicion. Por punonjëset e zyrës, porsa panë se gazeta dispononte projektin sekret, refuzuan kategorikisht të bashkëpunonin dhe të jepnin sqarime të mëtejshme.

Skandali 2, Malltezi në konflikt interesi me vetë Bankën Botërore

Jamarbër Malltezi, prej tre vitesh koordinator i projektit kombëtar të financuar nga Banka Botërore për “Zhvillimin e integruar të bregdetit të Jugut”, është bërë aksioner në një sipërmarrje private që komprometon statusin e tij. Dokumenti ekskluziv që boton “Albania” tregon se më datën 7 tetor të këtij viti, zoti Malltezi, së bashku me dy ortakë të tjerë (Ardian Shehu biznesmen dhe Lirim Selfo ekspert i licencuar mjedisor), kanë themeluar kompaninë “Mjedisi dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm” (ose: Environment and Sustainable Development, ESD). Deri këtu gjithçka duket krejt normale. Por janë objektivat dhe statuti i kësaj kompanie private që përputhen plotësisht me objektivat e projektit të financuar nga Banka Botërore për bregdetin e Jugut, projekt i cili në Shqipëri dirigjohet direkt nga zoti Malltezi. Në statutin e kompanisë “ESD”, në pikën 7 përcaktohen objektivat, ku e zezë mbi të bardhë shkruhet: “Shoqëria ka si objekt të aktivitetit të saj shërbime konsulence në fushën e mbrojtjes së mjedisit, infrastrukturës dhe zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe aktivitetet për të cilat kërkohet pajisja me leje. Shoqëria merr përsipër zhvillimin e tyre pas sigurimit të lejes”. Objektivat e kompanisë private të zotit Malltezi përputhen plotësisht me objektivat e projektit të Bankës Botërore, i cili përcakton se “do të sjellë një zhvillim turistik dhe kulturor të integruar, në kujdesin dhe mbrojtjen e mjedisit dhe të vlerave kulturore. Plani do të synojë planifikimin e investimeve në zonat e piketuara, duke respektuar rigorozisht standardet mjedisore dhe ato ndërtimore”. Përputhja dhe ngjashmëritë nuk lënë vend për koment!
Një tjetër ortak në firmën “ESD”, të krijuar një muaj më parë, është zoti Ardian Shehu. Sipas të dhënave të siguruar zyrtarisht nga gazeta pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve (QKR), rezulton se ka qenë pikërisht zoti Shehu ai që ka depozituar në këtë institucion gjithë dokumentacionin për regjistrimin e firmës së krijuar një muaj më parë. Por të dhënat tregojnë se ky nuk është i vetmi aktivitet tregtar i zotit Shehu, pasi ai, në vitin 2001, ka themeluar dhe vazhdon të jetë ortak në firmën “VIBER”. Për çudi, edhe kjo firmë lidhet në objektivat e saj me disa nga komponentët e projektit të financuar nga Banka Botërore. Mjafton të përmendet fakti se projekti “Për bregdetin” përfshin restaurimin e disa rrugëve, ndërtesave dhe ujësjellësve në zonat që ai mbulon, për të kuptuar se edhe firma “VIBER” lidhet me të. Kjo ndodh pasi firma “VIBER”, në statutin e saj përcakton se ajo merret me “Punime dheu, prodhim materiale inerte, ndërtime civile e ekonomike nën dhe mbi dy kate. Montimi dhe kompletimi me instalimet e nevojshme, ndërtime rrugësh, hidroteknikë etj.”. Pra, është e qartë se ndërsa zoti Malltezi menaxhon projektin “Për bregdetin”, (i cili prokuron dhe paguan shërbime konsulence dhe kompani zbatuese), një muaj më parë zoti Malltezi ka hapur pikërisht një firmë private konsulence, ku një prej ortakëve është pikërisht pronar i një tjetër firme që zbaton në terren ndërtime të një kategorie (ujësjellës, kanalizime, restaurime), që përkon dhe me objektivat e projektit kombëtar.

1 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›