E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe: Dua ta nis me Francën, ideale do të ishin 20-22 pikë

 
Trajneri i Kombëtares thotë se i pëlqen ta nisë me një kundërshtar të fortë, me Francën, fushatën eliminatore. Ai ka besim se mund të marrë pikë jashtë fushe dhe thotë se dëshiron që skuadra të implementojë filozofinë e çasteve të mira me Portugalinë
 
Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqiptarëve, Josip Kuzhe, tha sot se synon të zërë vendin e katërt në grupin “D” të eliminatoreve të Kampionatit Europian të vitit 2012. Përzgjedhësi kroat Kuzhe doli përpara mediave sot në Tiranë, për të analizuar grupin e Shqipërisë që ka kundërshtarë Francën, Rumaninë, Bosnje e Hercegovinën, Bjellorusinë dhe Luksemburgun. Josip Kuzhe tha se grupi është i vështirë. “është grup i fortë, i vështirë dhe i padëshirueshëm, nëse do të më pyesnit me vlerësimin nga 1 në 10. Duhet të jem realist dhe optimist dhe si realist, futbolli shqiptar renditet në vazon e pestë dhe duhet të bëjmë paraqitje të mira për t'u ngjitur në vendin e katërt ose të tretë. Duhet t'i marrim ndeshjet një e nga një dhe vetëm pasi të bëjmë lojërat e para, mund të bëjmë një parashikim. Pavarësisht forcës së skuadrave kundërshtare, ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën, duke nxjerrë në fushë një skuadër të fortë”, - tha Kuzhe. Përzgjedhësi kroat tha gjithashtu, se nuk dëshironte të ndeshej me Bosnje-Hercegovinën dhe Bjellorusinë. Kuzhe tha se ishte në dijeni të përvojës së paraardhësit së tij kroat, Oto Bariç, që u largua pas humbjeve me Rumaninë dhe Bjellorusinë. Kuzhe tha se homologu i tij bjellorus i tha pas shortit në Varshavë, se në fund të ndeshjes së fituar 4-2 në Tiranë më shumë kishte fjalë të mira, sesa lojë në fushë. Kuzhe premtoi të bashkëpunojë ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit, për të ndërtuar ekip të aftë në përballimin e eliminatoreve. Në 19 shkurt, në Luksemburg do të përcaktohen datat e ndeshjeve të grupit “D”. Kroati Kuzhe besohet se parapëlqen që me të nisur udha e eliminatoreve, të ketë përballë në Tiranë, ish-kampionen botërore dhe europiane Francën e trajnerit polemizues Rajmond Domenek. “Albania-Sport” raportoi një sërë çështjesh, mbi të cilat u përqendrua Kuzhe në shpjegimet që dha mbi shortin dje në Tiranë. Kuzhe iu përgjigj gjatë konferencës një pyetjeje mbi numrin e pikëve që ai kishte objektiv të grumbullonte: "Më duhet së parë të ndërtoj programin dhe të përzgjedh lojtarët e duhur për të fituar pikët. Së pari, dua të sqaroj se, kur erdha gjashtë muaj më parë, nuk njihja asnjë nga lojtarët, nuk kisha asnjë informacion mbi futbollistët e mi. Ne patëm disa momente të mira në ndeshjet tona, si ato kundër Portugalisë, kundër Danimarkës, kundër Suedisë, jo dhe aq të mira. Kjo edhe për shkak të pozicionit në momentin kur nisa punën si trajner i Shqipërisë. Tani unë e njoh skuadrën, i njoh lojtarët. Tani kërkoj të përmirësojmë shumë gjëra, për ta bërë lojën tonë më të fuqishme. Nëse luajtëm me sukses në disa momente kundër Portugalisë, ne duhet që këtë ta implementojmë edhe në ndeshjet që kemi përpara. Duhet të kemi ambiciet tona. Duhet të ndërtojmë një ekip që të ketë këtë filozofi. Opinioni im është të ndërtojmë një skuadër akoma më të fortë dhe unë shpresoj se ne mund të marrim disa pikë kundër ekipeve të forta. Nëse ju doni të arrini diçka në këto eliminatore, ideale do të ishte 20-22 pikë”.
 
 
-Zoti Kuzhe, tashmë kundërshtarët tanë për kualifikueset e Kampionatit Europian janë të njohur, Franca, Rumania, Bosnjë-Hercegovina, Bjellorusia dhe Luksemburgu. Cilat janë objektivat e Shqipërisë?
“Objektivat me këtë short nuk janë të lehta. Unë jam trajner dhe më duhet të mbaj një qëndrim realist, por nga ana tjetër, më duhet të jap edhe pak shpresë. Kam dëshirë të punoj në një atmosferë pozitive dhe realiste. Nëse unë do të flisja realisht në këtë situatë, ne duhet ta fillojmë startin tonë nga pozicioni ku ishim përpara hedhjes së shortit. Ndodheshim në vazon e 5-të”.
-A mund të jeni më i qartë?
“Objektivi ynë është përmirësimi i futbollit tonë, të renditemi më mirë në grup sesa ajo që ka bërë Shqipëria në të kaluarën. Përmirësim për ne do të thotë që të ngrihemi në renditje, pra në vend të katërt apo të tretë. Gjithsesi, unë jam trajner dhe më pëlqen të punoj në një atmosferë pozitive. Nuk dëshiroj të them se do të fitojmë ndonjë ndeshje speciale, por ne duam të fitojmë ndeshjet dhe pasi të kalojnë disa prej tyre mund të përgjigjem me realisht e të bëjë një definicion të objektivit tonë”.
-Ku mendoni se do të merrni pikë jashtë, pasi ato do të na shërbejnë edhe për rritjen në klasifikim?
“Kudo, përse jo? (Qesh) Nuk dëshiroj t’ju them se ku dhe kundër kujt ekipi do të marrim pikë në transfertë, kundër Bjellorusisë, Rumanisë apo Bosnjës. Dakord, Bosnjën e njoh është një ekip i fortë, kanë pika të forta gjatë një ndeshjeje, por kanë dhe pika të dobëta. Ne do të përpiqemi të jemi një ekip shumë serioz, nga ana konkurruese shumë të fuqishëm dhe me lojtarë të fortë. Besoj se do të marrim edhe rezultate jashtë fushës sonë”.
-A do të ishte dështim nëse nuk do të merrnit gjashtë pikët e plota me Luksemburgun?
“Po, pa dyshim. Nëse ne nuk do të fitonim të dyja ndeshjet kundër Luksemburgut, do të ishte natyrisht një rezultat i keq për trajnerin”.
-Në grupin tonë ndodhen skuadra jo me shumë emër dhe me pak tifozë në Shqipëri. Atmosfera mund të jetë e ftohtë në stadium. A i trembeni kësaj situate?
“Sigurisht, ndaj ekipeve të mëdha krijohet një atmosferë e zjarrtë, por gjithsesi çdo gjë do të varet edhe nga ecuria e rezultateve tona, por edhe të atyre kundërshtare. E kam parë Bjellorusinë në një ndeshje kundër Kroacisë, ka një ekip të mirë dhe mund të marrë rezultate të mira. Personalisht nuk do të dëshiroja atmosferë vetëm kundër ekipeve të mëdha, por kundër gjithkujt. E këtë mund ta krijojë edhe media e të ndihmojë në për atmosferën”.
-Mediat franceze kanë bërë vlerësime pozitive për fortësinë e ekipit shqiptar, duke përmendur barazimet me Suedinë, Portugalinë dhe Danimarkën. Sa e fortë është Shqipëria?
“Ne mund të jemi kundërshtarë seriozë për cilindo ekip. Dëshira ime është që pas këtyre ndeshjeve kualifikuese shumë ekipe të mëdha në Europë të flasin me respekt të plotë për ekipin kombëtar të Shqipërisë. Ky është dhe qëllimi im. Dëshirojmë t’i bëjmë krenarë shqiptarët për ekipin e tyre”.
-Grupi dhe emrat e skuadrave janë të njohura. Dëshironi ta nisni aventurën në kualifikuese me ekipe të mëdha apo të vogla. Cila është strategjia për këtë?
“Jemi duke punuar për të ndërtuar strategjinë tonë. Pas pak ditësh do të përcaktojmë edhe kalendarin zyrtar, por mua më pëlqen ta filloj me një ndeshje të vështirë kundër një ekipi të madh, ndoshta Franca”.
-Në kualifikueset e mëparshme të Europianit kishim kundërshtarë Holandën e Rumaninë, ndërsa tani Francën dhe Rumaninë. Oto Bariçi grumbulloi 11 pikë. A do të merrni më shumë ju?
“Po, mua më pëlqen të marr më shumë dhe do t’ia dal, por këtë do ta shohim ndeshje pas ndeshjeje. Gjithsesi, grupi ynë nuk është dhe aq i lehtë. Do të hyjmë në çdo ndeshje për të marrë pikë”.
-Cili nga kundërshtarët që kemi në grup ngjan me lojën e Irlandës së Veriut, ndaj së cilës do të luajmë miqësore më 3 mars?
“Kundër Irlandës se Veriut ne do të praktikojmë atë lloj loje që do të bëjmë edhe kundër kundërshtarëve tanë. Edhe në muajin gusht ne do të përpiqemi të gjejmë një kundërshtar të ngjashëm me ata që kemi në grup”.
 
 
 
 
 
Kuzhe: Jam i lumtur që kthehem në Kosovë
 
“Do të kthehem pas 30 vjetësh, kështu që unë jam shumë, shumë i lumtur të jem atje. Si lojtar i Dinamos së Zagrebit (1971-1981) kam luajtur kundër ekipeve kosovare, kundër Prishtinës dhe Trepçes së Mitrovicës
 
Shqipëria e përbërë nga lojtarë që militojnë në kampionatin shqiptar do të zhvillojë në Prishtinë një ndeshje ndërkombëtare me karakter festiv me përfaqësuesen e Kosovës, më 17 shkurt, pikërisht në dyvjetorin e Pavarësisë të “motrës sonë” të vogël. Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, do të jetë edhe trajneri i seleksionit shqiptar. “Jam shumë i lumtur të shkojë sërish në Prishtinë dhe të jem trajneri i Shqipërisë pikërisht në ditën e Pavarësisë së Kosovës, në shenjë respekti të ditës më të madhe për atë vend. Do të festojmë të gjithë së bashku”, - tha Kuzhe për agjencinë e lajmeve “albania-sport.com”. “Unë do të kthehem pas 30 vjetësh, kështu që unë jam shumë, shumë i lumtur të jem atje. Si lojtar i Dinamos së Zagrebit (1971-1981) kam luajtur kundër ekipeve kosovare, kundër Prishtinës dhe Trepçes së Mitrovicës. Nuk ka qenë e lehtë të luaje atëherë kundër tyre. Kishin ndërtuar ekipe të mira. Në atë kohë të luaje në Ligën e Parë të Jugosllavisë duhej të ishe një ekip me të vërtetë i fortë. “Ndoshta për momentin, në kohën tonë, niveli i futbollit në Kosovë nuk është dhe aq i lartë, por jam i bindur se dhe aty ka lojtarë të mirë. Shpresoj të jetë një ndeshje e mirë. Edhe njëherë, kam emocione të bukura të rikthehem në Prishtinë”, - vijoi kroati.
 
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›