E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia merr kritika për diskriminimin e emigrantëve


"Emigrantët që mbërrijnë në Itali nuk duhen trajtuar si mbeturina toksike". Me këto fjalë Komisarja e Lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut Navi Pillay, e cila po zhvillon një vizitë dy ditore në Romë, ka kritikuar politikën e qeverisë italiane në fushën e emigracionit. Pillay u shpreh se është e shqetësuar për disa nga normat e përfshira në paketën e sigurisë së qeverisë italiane, në mënyrë të veçante për sa i përket masës që parashikon dënim më të rëndë në rast se personi që kryen një shkelje është emigrant ilegal.
Në këtë kuadër ka mbërritur edhe vendimi i Gjykateës së Kasacionit e cila hodhi poshtë kërkesën e një emigranti shqiptar për t'u pajisur me dokumenta qëndrimi. Baba i dy fëmijëve të vegjël dhe me bashkëshorten në pritje të shtetësisë italiane, ai kishte paraqitur një ankesë kundër dëbimit duke u bazuar në një vendim, të nxjerrë po nga Gjykatat e Kasacionit në muajin janar të këtij viti.
Sipas normës së mëparshme emigrantët ilegalë që kanë fëmijë të mitur, mund të qëndrojnë në Itali pasi në këtë mënyrë respektohet e drejta e të miturit për t'u rritur me të dy prindërit.
Por tani Gjykata ka ndërruar linjë. Në vendimin kundër shtetasit shqiptar lexohet "se nevoja për mbrojtjen e legalitetit të kufijve, del mbi të drejtën e të miturit për t'u shkolluar dhe mbi nevojën e tij për një zhvillim psikofizik, harmonik dhe të plotë".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›