Italia miraton ligjin e veçantë për feminicidin – Vrasja e grave njihet si krim i ri, dënohet me burgim të përjetshëm

Dhoma e Deputetëve në Itali miratoi unanimisht projektligjin për femicidin, i cili bëhet ligj dhe fut në Kodin Penal të vendit një krim të ri që parashikon burgim të përjetshëm për këdo që shkakton vdekjen e një gruaje përmes diskriminimit, urrejtjes ose abuzimit, ose përmes akteve të kontrollit, posedimit ose dominimit.
Akti, i cili mori gjithashtu miratimin dypartiak në Senat këtë verë, fut në Kodin Penal nenin e ri 577-bis, krimin e femicidit, i cili rregullohet si një formë specifike e vrasjes kur viktima është grua dhe akti motivohet nga arsye diskriminuese. Ligji e vendos këtë krim midis veprave më të rënda penale në Itali, ndërsa projektligji mbi dhunën seksuale është shtyrë për shqyrtim në Senat.
Legjislacioni synon të forcojë kuadrin e mbrojtjes kundër dhunës me bazë gjinore në shtetin fqinj. Ndonëse opozita e qendrës së majtë e mbështeti ligjin në parlament, ajo theksoi se qasja e qeverisë trajton vetëm aspektin kriminal të problemit, por jo atë ekonomik dhe kulturore.
Akti i mbështetur nga qeveria konservatore e kryeministres Giorgia Meloni, vjen në përgjigje të një serie vrasjesh të grave në Itali. “Jam shumë e kënaqur me miratimin nga Parlamenti të projektligjit që njeh krimin e femicidit. Është një shenjë e rëndësishme e unitetit politik kundër natyrës barbare të dhunës ndaj grave.
Po shtojmë një mjet tjetër në ato që kemi tashmë.”- u shpreh kryeministrja italiane. Agjencia e statistikave Istat në Itali ka regjistruar 76 vrasje të grave gjatë këtij viti duke shënuar një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 106 vrasje të grave.
Gazetare: Vjollca Zhari
/rtsh.al/