Përmbytjet rrezikojnë prodhimet në Dimal – Dëmet në bujqësi janë të mëdha, rrezikojnë kalbëzimin e bimëve

Pas përmbytjeve të javës së kaluar, uji është tërhequr nga tokat bujqësore, por dëmet janë ende të mëdha. Kultura bujqësore e prekur kryesisht përfshin serrat dhe pemët frutore, që janë në rrezik asfiksimi për shkak të qëndrimit të gjatë në ujë.
“Ka gati 4-5 ditë që uji qëndron gati një metër e gjysmë në këto toka dhe kuptohet që dëmi është shumë i madh. Shpresojmë që ujërat të largohen sa më shpejt dhe të ndërhyjnë fermerët sa më shpejt”, u shpreh specialisti, Agim Toromani.
Rreziku është i madh edhe për ullishtat, ndërsa përmbytjet në Dimal kanë dëmtuar serat dhe tokat bujqësore. Në Goriçan, 30 hektarë sera dhe 120 hektarë tokë u përmbytën nga dalja e lumit Seman.
“Kryesorja është që fermerët të marrin masa të shpejta për kullimin e tyre dhe largimin e ujit dhe më pas për ndërhyrje për trajtime kimike tek bimët”, Kadri Gaxho, Specialist bujqësie.
Fermerët janë të shqetësuar për situatën e mëvonshme duke shpresuar në një përmirësim të motit.
/rtsh.al/