“Në 4 vitet e ardhshme do të vazhdojë dyfishimi i buxhetit dhe pagave për arsimtarët”
Kryeministri Sali Berisha viziton shkolla te Korçës dhe ripërsërit premtimet për arsimin
TIRANE - “Në 4 vite, në Shqipëri janë rindërtuar ose ndërtuar të reja 1012 shkolla. Unë dua t’ju jap fjalën se në 4 vitet që vijnë nuk do të ketë shkollë në Shqipëri që të mos jetë e re ose e rindërtuar”.
Kështu është shprehur Kryeministri Berisha gjatë vizitës së zhvilluar ditën e djeshme në Korçë, duke e vlerësuar arsimin si prioritet të kësaj qeveria, çka është demonstruar më së miri, në të gjitha investimet që janë bërë në këtë sektor, të cilin vetë Kryeministri e ka cilësuar si jetësor për vendin.
Duke theksuar se reforma në sistemin arsimor ka qenë në epiqendër të përpjekjeve të qeverisë, Kryeministri tha se në 4 vjet, për sistemin arsimor janë investuar 4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Në këto 4 vite, ne kemi dyfishuar buxhetin dhe kemi investuar në sistemin arsimor 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Këto 4 vite, duke filluar nga data 1 maj, të gjithë mësuesit e Shqipërisë do të marrin një pagë dy herë më të madhe, sesa në vitin 2005,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha tha se qytetarët shqiptarë nuk mund t’i investojnë askund më mirë taksat e tyre, se për fëmijët dhe mësuesit e fëmijëve të tyre, duke lënë të kuptuar qartë se një pjesë e mirë e taksave të mbledhura nga qytetarët, kanë shkuar për investime në arsim.
“Ndaj, ne do t’i dyfishomë pagat në 1 maj dhe do të vazhdojmë rritjen e madhe gjatë 4 viteve që vijnë”, tha Kryeministri. Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e inaugurimit të shkollës së “Re” në Korçë, Kryeministri Berisha u shpreh “Së pari, dëshiroj t’ju uroj gëzuar shkollën e re, një shkollë e bukur, siç jeni dhe siç ju e meritoni. Kjo shkollë është një investim prej rreth 1 milion dollarë. Së bashku me shkolla të tjera të ndërtuara në rrethin e Korçës e mbarë Shqipërisë, kjo është shkolla e 1012 që ndërtohet apo rindërtohet gjatë këtyre 4 viteve në mbarë vendin”, u shpreh Kryeministri.
Duke sjellë në vëmendje punën e bërë nga qeveria, përgjatë mandatit të saj, Kryeministri u shpreh se “Këto 3 vjet e 8 muaj kanë qenë vitet e përqendrimit të madh të qeverisë sime në reformën e sistemit arsimor. Asgjë nuk mund të jetë më serioze për një komb e shoqëri, sesa arsimi dhe ne jemi përpjekur ta vendosim atë në epiqendër”.
Duke e rikthyer vëmendjen anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Kryeministri u shpreh se “Sot, ne inaugurojmë shkollën vetëm pak ditë, kur ju fëmijët dhe nxënësit e Korçës e të mbarë Shqipërisë jeni tani e tutje qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, çka do të thotë liri e garantuar për ju dhe për brezat që vijnë, çka do të thotë besim shumë i madh tek Shqipëria dhe shqiptarët, çka do të thotë detyrime të mëdha për ne, për të qenë në lartësinë e kohës”.
Të gjitha këto sipas Kryeministrit “do të marrin përgjigjen më të mirë nëpërmjet arsimit. Asgjë nuk do të ndikojë në të ardhmen tonë më shumë, sesa procesi i edukimit të fëmijëve të Shqipërisë. Ndaj, edhe një herë ju garantoj se për qeverinë time shkollimi do të jetë gjithmonë përparësi kryesore”.
Duke kujtuar premtimin e tij se Shqipëria do të jetojë tashmë moshën e internetit, Kryeministri u shpreh se “duke filluar nga muaji maj, në të gjitha shkollat e Shqipërisë do të ketë internet. Unë ju garantoj se në 4 vitet që vijnë, do të ketë zhvillime shumë më të mëdha për moshën dixhitale. Në 4 vitet që vijnë, qeveria do të bëjë çdo përpjekje që nxënësit të kenë kompjuter dhe internet edhe në shtëpitë e tyre”.
Duke u ndalur ne një tjetër reformë që është bërë në arsim, Kryeministri u shpreh se “në vitin 2005, ne premtuam se do të hapim dyert e universiteteve tona. Shqipëria sot, ka 115 mijë studentë, kundrejt 52 mijë që kishte në vitin 2005”.
Kryeministri shtoi përpos kësaj se “në vitin 2013 Shqipëria do të ketë 160 mijë studentë.
Duke u ndalur tek bursat që qeveria shqiptare akordon për studentët, Kryeministri tha se “Tre ditë më parë, një prind nga Durrësi më dërgonte një mesazh, ku më njoftonte se vajza e tij kishte aplikuar dhe fituar të drejtën e studimit në universitetin e Bristolit, një nga më të mirët në botë. Unë iu zotova se do ta mbështesim dhe autoritetet kanë marrë porosinë që t’i akordojnë bursën, në përputhje me premtimit të dhënë”.
Kryeministri nënvizoi se këto bursa i jepen të gjithë studentëve shqiptarë pa asnjë dallim.
Gjatë vizitës së tij në qytetin e Korçës, Kryeministri Berisha është ndalur edhe në shkollën profesionale “Demir Progri”, ku zhvilloi një takim me trupën pedagogjike të saj. Duke vlerësuar punën dhe misionin e mësuesit, në këtë fushë jetike për vendin, Kryeministri interesua dhe për mbarëvajtjen, zhvillimet dhe problematikat e kësaj shkolle, duke siguruar mbështetjen e plotë të qeverisë, për të përmbushur çdo nevojë për shkollat e Korçës dhe të mbarë Shqipërisë. Nga ana e tyre, mësuesit e falënderuan Kryeministrin për këtë vizitë në shkollën e tyre, duke e vlerësuar atë dëshmi të seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e Kryeministrit në drejtim të zhvillimit të arsimit dhe përkrahjes për mësuesit shqiptarë. Ata theksuan se pa mbështetjen dhe kontributin e tij personal dhe të qeverisë që ai drejton nuk mund të realizohej reforma në arsim dhe ai nuk mund të pësonte ndryshime rrënjësore.
Kryeministri tha se në katër vitet e ardhshme, përpjekjet do të përqendrohen në hapjen ndaj sektorit privat në arsim, në mënyrë që ky sektor të angazhojë sa më shumë fonde, duke e çuar kontributin në arsim deri në 8 për qind të PBB-së dhe të mund të shumëfishohet financimi për arsimin.
Një tjetër drejtim i reformës në arsim, u shpreh Kryeministri, është rritja e cilësisë së mësimdhënies.
Gjatë bashkëbisedimit me stafin pedagogjik, Kryeministri u ndal edhe në rëndësinë e zhvillimit të arsimit profesional. Me gjithë investimet që janë bërë në qytetin e Korccës në këtë sektor, Kryeministri tha se, “duhet të kemi të qartë se kudo arsimi profesional është 50 për qind me 50 për qind. Ne duhet t’u ngjallim të rinjve dashurinë për arsimin profesional. Nëse këtë proces nuk e fillojmë në shkollat fillore dhe 9 vjeçare, sërish do të mbetemi në nivel të ulët në arsimin profesional”.
Kryeministri u informua se rrethi i Korçës ka arritur të ketë 28-30 për qind të arsimit profesional, ndërkohë që para 4 vitesh ka qenë 15 për qind dhe kur mesatarja e vendit është rreth 22 për qind. Kryeministri Berisha përshëndeti këtë arritje dhe kërkoi inkurajimin e mëtejshëm të nxënësve për t’u afruar në këto shkolla.
Lidhur me këto arritje të arsimit në qytetin e Korçës, Kryeministri u shpreh se “Eksperienca pozitive e Korçës duhet të transferohet në qytete të tjera të mëdha të vendit. Shifra për shtrirjen e arsimit profesional në këtij rrethi është shumë inkurajuese, ndërkohë që në shkallë vendi ajo është 22 për qind. Kjo na jep shpresë që gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm të kapim shifrën 40 për qind”.
Qeveria ka investuar 6.5 milion dollarë për infrastrukturën arsimore në Korçë
“KE-ja ka dhënë 24 milionë dollarë ëpr Tiranën,
Edi Rama nuk ka ndërtuar asnjë shkollë të re”
TIRANE - Nga Korça kryeministri ka sulmuar indirekt kryetarin e bashkisë së Tiranës, duke deklaruar se “Për Tiranën, kanë qenë në dispozicion 24 milion dollarë investime nga Këshilli i Evropës, krahas grandeve të tjera apo fondeve të buxhetit. Kudo po realizohet ndërtimi i shkollave, ndërkohë që kjo nuk po ndodh në Tiranë, sepse trojet e shkollave nuk kanë përqindje”.
Lidhur me sistemin arsimor në kryeqytet, Kryeministri u shpreh se “në Tiranë ekzistojnë probleme, jo për shkak të fondeve, sepse ne i kemi dhënë Tiranës fonde për arsimin më shumë se çdo rrethi tjetër. Sigurisht që i takon se është rrethi më i madh. Ju më informuat se për qarkun e Korçës kanë qenë në dispozicion 6.5 milion dollarë investime, për Tiranën 24 milion dollarë investime nga Këshilli i Evropës, krahas grandeve të tjera apo fondeve të buxhetit. Kudo po realizohet ndërtimi i shkollave, ndërkohë që kjo nuk po ndodh në Tiranë, sepse trojet e shkollave nuk kanë përqindje dhe kjo është arsyeja”, shpjegoi Kryeministri.
E me gjithë këto problematika që ka sistemi arsimor në Tiranë, Kryeministri u shpreh se “ne do të bëjmë përpjekje që edhe Tirana të gjejë mënyrat për ta realizuar këtë objektiv”.