E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr fund investimi politik i Ina Ramës dhe keqpërdorimi i dosjes së rrugës Durrës-Kukës”

Gjykata e Lartë, vendos pushimin e gjykimit për Ministrin Lulzim Basha dhe ish-vartësin e tij Andi Tioma

TIRANE – Merr fund investimi politik i Ina Ramës, si edhe keqpërdorimi i Prokurorisë së Përgjithshme me dosjen e hetimit për abuzimet e supozuara me rrugën Durrës – Kukës. Gjykata e Lartë, vendosi dje shpalljen si të pavlefshme të hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe pushimin e çështjes lidhur me abuzimet me fondet publike në ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës. Me shuplakën e djeshme ligjore merr fund edhe përbaltja politike e kësaj rruge, e orkestruar nga selia e PS dhe Prokuroria e Përgjithshme. Gjykata e Lartë i ka dhënë fund kështu një prej proceseve më të paprecedentë në fushën penale ku zyrtarë të lartë përfundojnë në sallat e gjykatës, nga veprime të nxituara politikisht dhe aspak të mbështetura në ligj.
Me këtë vendim të Gjykatës së Lartë, prej ditës së djeshme pushohet çështja ndaj të pandehur kryesor në këtë çështje ishte ish-Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Lulzim Basha, aktualisht ministër i Jashtëm dhe Andi Toma ish- drejtor juridik në Ministrinë e Transporteve, të cilët akuzoheshin për shpërdorim detyre.
Pas një hetimi prej më shumë se një viti, Luzim Basha dhe Andi Toma u akuzuan nga Prokuroria e Përgjithshme për “shpërdorim detyre“ dhe “favorizim në tender” lidhur me fondet për ndërtimin e rrugës Rrëshen- Kalimash gjatë kohës kur ata mbanin poste drejtuese në ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
Hetimet për dosjen Durrës-Kukës, nisën në fillim të vitit 2007 nga Prokuroria e Përgjithshme. Fillimisht nën akuzë u vunë, ish-zëvendësministri i Transporteve, Armand Teliti, ish-drejtori juridik i këtij institucioni, Andi Toma dhe ish-drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve, Lejla Saraçi, si edhe ish-Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe telekomunikacionit, Lulzim Basha. Ndërsa hetimet për Telitin dhe Saraçin ishin mbyllur, disa muaj më parë, dje mori fund edhe pjesa tjetër e farsës së Prokurorisë së Përgjithshme për Bashën dhe Tomën.

Seanca
Sikurse ishte paralajmëruar, seanca e dytë për gjykimin e dosjes Durrës – Kukës, u zhvillua dje. Në seancën e djeshme, objekt i saj ishte shprehja e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë,me relator gjyqtarin Spiro Spiro, lidhur me kërkesën e seancës së parë të këtij gjykimi, kur të pandehurit dhe avokatët e tyre, kishin kërkuar pushimin e gjykimit ndaj tyre, për shkak të pavlefshmërisë së hetimeve nga prokuroria, tej afateve ligjore, hetimet për të cilat ishin rrëzuar edhe nga gjykatat e dy shkallëve më të vogla.
Kolegji Penal i kësaj gjykate i mbledhur dje paradite, pasi kishte dëgjuar edhe pretendimet e prokurorëve të çështjes, vendosi të pushojë çështjen ndaj Lulzim Bashës dhe Andi Tomës, që ishin hetuar për abuzime në tendera në kohën kur ata respektivisht mbanin postet e Ministrit të dhe Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe ish-drejtorit të juridik në këtë ministri.
Në argumentimin e djeshëm, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, e quajti të pavlefshme hetimet ndaj Ministrit pasi i konsideroi ato jashtë afatit.
“Kërkesa për gjykim e prokurorisë është e pavlefshme”, vendosi Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.
Kolegji Penal pushoi çështjen me vendim të formës së prerë duke argumentuar me termin “pavlefshmëri absolute” edhe dërgimin e kërkesës për gjykim në Gjykatën e Lartë.
Vendimi vijon më tej edhe me pavlefshmëri të dërgimit të fletë-thirrjes nga ana e prokurorëve ndaj Lulzim Bashës. Duke gjykuar kështu, Kolegji madje deklaroi se ish-ministrit Basha i është shkelur e drejta kushtetuese për t’u njohur me aktet, duke e penguar atë që të përgatitej për t’u mbrojtur. Gjykatësit argumentuan madje se e pavlefshme është edhe akuza e pabarazisë në tendera për dy të pandehurit, Lulzim Basha dhe Andi Toma, pasi akuza është ngritur jashtë afateve hetimore.
Gjykata pohoi se gjen të pajustifikuar vakuumin e kohës prej gati një viti, gjatë të cilit prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit dhe më pas njoftoi akuzën. Sipas Gjykatës, Prokuroria e përfaqësuar nga Arben Kraja dhe Artur Selmani, gaboi edhe në dërgimin e dosjes për gjykim, para se t’i njoftonte akuzën ministrit Basha.
Përmes vendimit të publikuar dje nga Gjykata e Lartë, kërkesa për gjykim ndaj ministrit Basha dhe ish-vartësit të tij Toma, shpallet e pavlefshme dhe të gjitha veprimet e ndërmarra prej tij pas datës 6 nëntor, konsiderohen pa bazë.
Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë për pavlefshmërinë e akuzave ndaj Lulzim Bashës dhe Andi Tomas është i formës së prerë.
Pas këtij vendimi do të pushohen edhe hetimet e prokurorisë për këtë aks, pasi Kolegji Penal vendosi që ministri të mos jetë më i pandehur duke hedhur poshtë kështu aktin e Prokurorisë për të.

Dosja
Gjykimi për dosjen e rrugës Durrës – Kukës filloi në Gjykatën e Lartë në datën 27 shkurt të këtij viti. Përfundimi, sikurse ai i djeshmi i këtij gjykimi, duket se ishte paralajmëruar që në seancën e parë, më se një muaj më parë.
Gjatë seancës së parë të 27 shkurtit, Kolegji i Bashkuar i së cilës i kryesuar nga gjyqtari Spiro Spiro, nuk ka lejuar prokurorët e kësaj dosje të kërkojnë fillimin e gjykimit, ka vendosur shtyrjen e seancës së parë deri në 16 mars, datë kur Gjykata e Lartë do të shprehet, “pro” apo “kundër” kërkesës së Lulzim Bashës, Andi Tomës dhe avokatëve të tyre, për pushimin e kësaj çështje.
Në fillimin e seancës së parë , më se një muaj më parë, avokatët ishin të parët që i adresuan gjykatës kërkesat e tyre paraprake. Sipas kërkesave të avokatëve, aktet dhe mënyra e përcjelljes së tyre për gjykim nga ana e prokurorisë, nuk i lejojnë kësaj gjykate për ta shqyrtuar këtë dosje, e cila për avokatët është jashtë kompetencës së Gjykatës së Lartë.
Hetimet për Durrës-Kukës, janë konsideruar në këtë fazë nga avokatët si një rast i paprecedent. Duke i konsideruar veprimet e prokurorisë si në kundërshtim me Kushtetutën, avokatët, kërkuan pushimin e çështjes për klientët e tyre. Avokatët janë ndalur te vendimet e gjykatave të Shkalles së Pare dhe të Apelit, në bazë të të cilave, cilësohen ta paligjshme veprimet e prokurorisë pas skadimit të afatit zyrtar të hetimit, që ishte data 6 nëntor 2008.
Kërkesa e avokatëve, u pasua nga interesimi i Kolegjit të bashkuar të Gjykatës së Lartë, i cili kërkoi më shumë shpjegime lidhur me pretendimet e Lulzim Bashës dhe Andi Tomës, të shprehur respektivisht nga avokatët e tyre Zef Nikaj dhe Genci Gjokutaj.
Përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja dhe Artur Selmani, duke kundërshtuar kërkesat e mbrojtjes ligjore si të pabaza, kërkuan shqyrtimin e çështjes nga Gjykata e Lartë. 
Sipas prokurorëve personat e marrë nën hetim kishin refuzuar të paraqiteshin në Prokurori, ndaj ata ishin detyruar që një ditë përpara përfundimit të afateve t’i dërgojnë me postë Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha një kopje të dosjes penale.
Pas pretendimeve të palëve, Gjykata e Lartë nuk lejoi prokurorët të lexojnë kërkesën për gjykim.

Reagimi i Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, pas vendimit të Gjykatës së Lartë

“Pushimi i gjykimit, dita e vajtimit të kukuvajkave
komplotiste kundër rrugës Durrës – Kukës”

TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, deklaroi dje në përfundim të gjykimit ndaj tij se, “Gjykata e Lartë me vendim të formës së prerë pushoi çështjen penale dhe konstatoi se Prokuroria e Përgjithshme nëpërmjet një procesi të parregullt ligjor shkeli me dashje Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë. Me vendimin e Gjykatës merr fund komploti ndaj aksit Rrëshen-Kalimash. Sot është dita e vajtimit të komplotistëve kundër rrugës Durrës-Kukës”.
Pas pushimit nga Gjykata e Lartë të çështjes për rrugën Durrës-Kukës-Prishtinë, ministri Basha u shpreh se, “fundi i këtij komploti politik është një lajm i mirë, që gëzon anembanë të gjithë shqiptarët, që presin me padurim të hapin së bashku me tunelin e Kalimashit, një kapitull të ri dhe të ndritur të historisë sonë kombëtare”.
Ministri informoi se, “me vendim të formës së prerë Gjykata e Lartë pushoi çështjen penale dhe konstatoi se Prokuroria e Përgjithshme, nëpërmjet një procesi të parregullt ligjor, shkeli me dashje Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë”.
“Sot është dita e kukuvajkës për Edi Ramën dhe të gjithë ata që investuan për dy vjet me radhë për përbaltjen e këtij projekti dhe krenarisë legjitime të shqiptarëve për të. Lutem që Zoti t’i falë, pasi kam bindjen se as shqiptarët dhe as historia nuk do t’ia falin kurrë”, u shpreh ministri Basha.

Kronologjia
18 nëntor 2008 – Gjyqtari Sokol Tona i Gjykatës së Shkallës së Parë e Tiranës, vendos se rishtyrja e hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme për dosjen “Durrës – Kukës” pas datës 6 nëntor 2008 është e pavlefshme.

24 nëntor 2008 – Prokuroi Arben Kraja, i Prokurorisë së Përgjithshme, i dërgon fletëthirrjen Ministrit Lulzim Bashës, për ta pyetur si të pandehur për dosjen “Durrës – Kukës, kundër vendimit të gjykatës të datës 18 nëntor 2008.

26 nëntor 2008 – Avokati i Ministrit Lulzim Basha, Zef Nikaj depoziton në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës një ankesë kundër fletëthirrjes së prokurorisë, për marrjen si të pandehur të klientit të tij, kundër vendimit të gjykatës.

27 nëntor 2008 – Ministri i Jashtëm Lulzim Basha refuzon dhe nuk paraqitet në prokuroi, duke e cilësuar flet-thirrjen ndaj tij si ta papajtueshëm me vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës të 18 nëntor 2008.

05 dhjetor 2008 – Prokurori Arben Kraja, i Prokurorisë së Përgjithshme, dërgon në Gjykatën e Lartë dosjen në ngarkim të Ministrit Lulzim Basha, ndërsa avokati Zef Nikaj, kishte refuzuar nënshkrimin e mbylljes së hetimit.

11 dhjetor 2008 – Gjyqtari Altin Abdiu i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, rrëzoi kërkesën e prokurorit Arben Kraja, për përjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari nga gjykimi i ankesë së mbrojtjes së Ministri Lulzim Basha.

15 dhjetor 2008 – Gjyqtarja Fatmira Hajdari e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, vendosi pranimin e kërkesës së mbrojtjes së Ministrit Lulzim Basha, duke e  quajtur të jashtëligjshme fletëthirrjen e prokurorisë.

23 dhjetor 2008 – Gjyqtari Dalip Bushi, i Gjykatës së Apelit Tiranë, lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës dhe vendos se rishtyrja e hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme për dosjen “Durrës – Kukës” pas datës 6 nëntor 2008 është e pavlefshme.

02 shkurt 2009 – Gjyqtari Pajtim Hoxha i Gjykatës së Apelit të Tiranës, vendosi refuzimin e kërkesë së Prokurorisë së Përgjithshme, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që e quante të jashtëligjshme fletëthirrjen e prokurorisë.

27 shkurt 2009 – Kolegji i Bashkuar i Gjykatës së Lartë, i kryesuar nga Spiro Spiro, shtyn fillimin e gjykimit ndaj Ministrit Lulzim Basha dhe Andi Tomës, pas kërkesës së tyre për pushimin e gjykimit të çështjes.

25 mars 2009 – Gjyqtari Gani Dizdari dhe relatorja e Majlinda Andrea të Gjykatës së Lartë, lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit të Tiranës dhe vendos se rishtyrja e hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme për dosjen “Durrës – Kukës” pas datës 6 nëntor 2008 është e pavlefshme.

10 prill 2009 – Kolegji penal i Gjykatës së Lartë, me relator Spiro Spiro, vendosi pushimin e gjykimit të dosjes së rrugës Durrës - Kukës, me argumentin e pavlefshmërisë së hetimeve nga prokuroria, tej afateve të parashikuara me ligj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›