Italia njeh patentat shqiptare, Kryeministri Rama: Tani përpara për pensionet

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka zyrtarizon nesër në Romë marrëveshjen për njohjen e lejeve të drejtimit të automjeteve të shqiptarëve në Itali. Lajmi i u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili falënderon ministrin e jashtëm të Italisë Luigi Di Maio për zyrtarizimin e kësaj marrëveshje. “Më në fund! Faleminderit Luigi Di Maio dhe faleminderit të gjithë atyre që punuan me durim për të arritur këtë marrëveshje. Tani përpara me marrëveshjen për pensionet e shqiptarëve në Itali, qytetarë shembullorë që nderojnë miqësinë vëllazërore midis Italisë dhe Shqipërisë, duke punuar shumë dhe duke kontribuar në ekonominë italiane tashmë prej shumë vitesh”, – thekson Kryeministri Rama.
Gjatë vizitës në Itali në 5 mars në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio, dhe guvernatorin e Puljas, Michele Emiljano, Kryeministri Rama i kërkoi autoriteteve italiane zgjidhjen përfundimtare për njohjen e patentave shqiptare në Itali.