Italia, rregulla të reja për të emigruar për motive punësimi
Marrëveshja e re për Emigrimin për Motive Punësimi parashikon testime dhe kualifikime të kandidatëve para se të shkojnë në Itali
Personat që duan të emigrojnë drejt Italisë tashmë do t'u nënshtrohen rregullave të reja. Testimet për gjuhën dhe historinë italiane, si dhe trajnime për vendin e punës që do të kenë në vendin fqinj. Këto janë disa nga rregullat e reja që duhet të ndjekë çdo kandidat për emigrant në Itali. Kjo u bë e ditur dje nga ministri i Punës, Kosta Barka, gjatë takimit me Zyrën e Bashkëpunimit për Zhvillim dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin. Sipas Barkës synimi është pikërisht përcaktimin i rrugëve të reja të bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë për çështjet e migracionit, duke u fokusuar në kthimin vullnetar. "Marrëveshja e re për Emigrimin për Motive Punësimi, e cila pritet të nënshkruhet së afërmi, do të krijojë hapësira të reja për instalimin e emigrantëve të rinj shqiptarë në tregun italian të punës dhe formimin profesional të tyre në Shqipëri, me burime financiare të qeverisë dhe rajoneve italiane",- u bë e ditur në konferencë nga ministri Barka. Ndërkohë përfaqësuesi i qeverisë italiane, ambasadori Saba d'Elia pohon se në Itali tashmë ka 385 mijë emigrantë shqiptarë dhe se ata tashmë janë ambientuar mjaft mirë me Italinë.
Rregullat e reja
Italia do të vendosë ligj të ri, për të gjithë shqiptarët që duan të emigrojnë për motive pune drejt këtij shteti. Kështu, nëse doni të punoni si emigrant në Itali, më parë u duhet të kryeni kualifikime për zanatin që do ushtroni. Ky është kriteri që pritet të miratojë qeveria italiane për punësimin e emigrantët shqiptarë, atje ku oferta për punën dhe llojet e profesioneve do të përcaktohen nga pala fqinje. Sipas ministrit të Punës, Kosta Barka, kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet mes dy vendeve së shpejti. Për të arritur këtë, bëhet e ditur se në vendin tonë do të hapen zyra të posaçme, ku kandidatët për emigrantë në Itali do të testohen për njohuritë që kanë dhe më pas do të trajnohen që në Shqipëri për profesionin e kërkuar. Pas kësaj, ata do të dërgohen në Itali, ku i pret direkt dhe vendi i punës. Vetëm pas këtyre procedurave, kandidati për emigrant mund të shkojë në Itali për çështje pune. "Marrëveshja e re për Emigrimin për motive punësimi e cila pritet të nënshkruhet së shpejti mes Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Italiane, mes të tjerash, do të ngrejë në një nivel të ri cilësor bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën migratore, në përgatitjen e kualifikimit të burimeve njerëzore dhe të flukseve potenciale të rregullta",-pohon Barka.
Ambasadori
Përfaqësuesi i qeverisë italiane në Shqipëri, ambasadori Saba d'Elia pohon se emigracioni shqiptar tashmë është stabilizuar, duke iu përshtatur mjaft mirë jetës atje.
"Emigrantët shqiptarë nuk janë më si vite më parë. Plot 358 mijë shqiptarë janë rezidentë në Itali. Fëmijët e tyre ndjekin rregullisht shkollat dhe universitetet italiane",- pohon d'Elia duke shtuar se emigracioni shqiptar tashmë është zhvilluar dhe stabilizuar dhe se duhen gjetur mënyra për të rivlerësuar kapitalet e tyre.