Zjarr në Orosh, rrezikohen banesat
MIRDITË- Flakët e zjarrit gllabërojnë pyjet dhe në dimër. Një zjarr gjigant përfshiu dje pyjet e Oroshit. Sipas banorëve të këtyre zonave, zjarri nisi në orët e pasdites. Flakët filluan në pyjet e Grykë Oroshit duke iu ngjitur pyjeve afër Nënshejtit. Z. Zefi, banor i kësaj zone, thotë në telefon se situata ka qenë tejet e rëndë, zjarri përparonte dhe flakët duken dhjetëra kilometra larg në fshatrat sipër luginës së Fanit. Sipas tij, flakët po u afroheshin dhe vendeve të banuara, ndërkohë që nuk ka ndërhyrë kush për të qetësuar situatën. Gjendja e dalë tërësisht jashtë kontrollit, mendohet të ketë si shkaktarë zjarrvënës persona që merren me lëndën drusore, qoftë për mungesë kujdesi në lënien e ndonjë zjarri ku ngrohen druvarët, apo të qëllimtë. Kjo zonë e pasur pyjore gjatë verës së vitit të kaluar u përfshi në flakë në një sipërfaqe prej afro 500 ha, madje pjesa më e madhe në atë që u shpall dhe zonë e mbrojtur pyjore me përparësi si pasuri kombëtare. Zjarri i rënënë mes të dimrit, nëse vazhdon kështu, do të përpijë tërë masivet e Oroshit, një nga pyjet më të bukura në vend.