E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italianët: “Ushtria shqiptare, e denjë për në NATO”

Torino - Kryeqendra piemontese u bë objekt i një vizite të rëndësishme të atasheut ushtarak të Shqipërisë në Itali, kapiten i rangut të parë, Astrit Aliaj. Qëllimi i vizitës ishte takimi me oficerët shqiptarë të specialiteteve të ndryshme, që ndjekin studimet në Shkollën e Specialiteteve dhe të Studimeve Ushtarake në Torino. Gjatë takimit me studentët oficerë u diskutuan problematikat, rezultatet mësimore dhe shkalla e përvetësimit të dijeve ushtarake prej tyre. Ushtaraku shqiptar pati një takim paraprak me drejtuesit e këtij institucioni të lartë mësimor, përkatësisht: gjeneral korparmate Giuseppe Maggi, komandant i përgjithshëm, si dhe kolonel Dante Zampa, komandant i kurseve për oficerë, të cilët informuan mbi performancën e studentëve oficerë shqiptarë aty. Vlerësimi i Komandës italiane ndaj oficerëve shqiptarë ishte mjaft i mirë. Me gjithë vlerësimin pozitiv të drejtuesve italianë të shkollës, në takim me studentët shqiptarë atasheu Aliaj kërkoi angazhim maksimal në procesin mësimor, duke iu referuar profesionalizmit që i kërkohet çdo oficeri të ardhshëm të Aleancës Atlantike. Oficerët shqiptarë u njohën edhe me direktivat dhe stadin e procesit të hyrjes së FA-së shqiptare në NATO, si dhe me planin për pjesëmarrjen e një njësie shqiptare në misionin ushtarak në Çad, dalja e parë e Forcave të Armatosura shqiptare në kontinentin afrikan. Një argument i e rëndësishëm ishte dhe pavarësia e shpallur e Kosovës, për të cilën atasheu shprehu qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare dhe mesazhin e ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për të gjithë ushtarakët në detyrë. Në këto takime, atasheu Aliaj ishte i shoqëruar nga Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë në Krahinën e Piemontes Giovanni Firera. Atasheu shqiptar Astrit Aliaj, konsulli Firera dhe oficerët shqiptarë qenë të ftuar nga gjeneral divizioni Franco Cravarezza, komandant i Komandës Ushtarake Krahinore të Veriut. Gjeneral divizioni Cravarezza dhe gjeneral brigade Sulis (komandant i SEEBRIG në periudhën 2003-2005) kishin vizituar shpesh Shqipërinë dhe e njihnin mirë progresin e Ushtrisë shqiptare. Për to u fol si për “një forcë aleate të ngushtë dhe të sprovuar shpeshherë”. Gjeneralët italianë flisnin për Ushtrinë shqiptare njësoj si për njësitë shumëkombëshe të NATO-s, që komandonin rregullisht nëpër misione të ndryshme. Ky ishte një lloj aprovimi “italisht” për pranimin e Shqipërisë në NATO.

Përgatiti Ervin Koçi

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›