Agjenti i policisë me avion special drejt Italisë
Mjekët thonë se gjendja e Bledi Haxhimihalit është përmirësuar. Oficeri do të trajtohet intensivisht në Spitalin civil të Barit
Luan Kondi
TIRANË - Agjenti i Policisë, i cili mbeti i plagosur gjatë operacionit për arrestimin e të shumëkërkuarit Ilir Paja, gati një javë më parë në kryeqytet u transportua dje me një avion special drejt Italisë, ku do të marrë edhe ndihmë më të kualifikuar mjekësore për të përmirësuar plotësisht shëndetin e tij. Burimet thanë se gjithçka ishte bërë gati nga një marrëveshje mes Ministrisë së Brendshme dhe ambasadës Italiane për transportimin dhe kurimin e inspektorit antikrim. Të gjitha shpenzimet do të përballohen nga pala italiane, e cila është njëkohësisht edhe donatore në të tilla raste për kurimin e rasteve të plagosjes në detyrë të oficerëve të Policisë shqiptare.
Transportimi
Burime nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku agjenti i policisë Bledi Haxhimihali u trajtua, thanë për gazetën “Albania” se gjendja shëndetësore e tij gjatë dy ditëve të fundit paraqitej më e përmirësuar, çka ka mundësuar edhe lëvizjen e tij drejt një klinike më të specializuar në shtetin fqinj. Para nisjes, nga ana e mjekëve të QSUT-së, agjentit Haxhimihali i është bërë edhe një kontroll i plotë me skaner, ku ai ka rezultuar me brinjë të thyera, mushkëri të dëmtuara dhe kafazi i kraharorit i gjithë i dëmtuar. Agjenti i Policisë mbeti i plagosur më datë 6 mars 2008, në vendin e quajtur “Farmacia 10” në Tiranë, gjatë një operacioni special për kapjen e të shumëkërkuarit, Ilir Paja.
Gjendja
Pas skanerit, agjenti i plagosur nga i shumëkërkuari Ilir Paja rezultoi me mushkëri të dëmtuara, brinjë të thyera dhe kafazi i kraharorit i gjithi i dëmtuar. Të kontaktuara nga gazeta bluzat e bardha thanë se agjenti ka dalë nga gjendja kritike për jetën, në të cilën ndodhej prej disa ditësh. Sipas mjekëve agjenti i policisë duhet të dërgohej drejt Italisë, ku do të trajtohej në Spitalin civil të Barit. Shkak i transportimit të pacientit drejt Barit ishte vazhdimësia e trajtimit duke qenë nën kontroll të plotë me aparatura moderne. Transportimi i agjentit të policisë do të bëhej me autoambulancë nga QSUT-ja drejt aeroportit “Nënë Tereza”. U tha se agjenti do të transportohej me një avion special të porositur nga Ambasada Italiane në Shqipëri, ndërsa qeveria italiane do të mbulonte të gjitha shpenzimet e trajtimit të tij në Spitalin civil të Barit.
13 Mars 2008