Kur duhet përdorur trumza e maleve dhe mënyra e përgatitjes së saj
Trumza, (Thymus serpyllum), është bimë shumëvjeçare, gjysmëshkurre me kërcell të gjatë me bazë drunore të shtrirë. Në të zhvillohen rrënjët adventive dhe në majë mbaron me fletë rozete (të dekoruara). Ka lartësi deri në 30 cm. Degët me lule janë me gjatësi 4-7 cm dhe zhvillohen për së gjati me kërcellin të mbuluara me qime, fletët i ka të imëta me madhësi 0.5-1.5 cm dhe gjerësi deri 6 mm dhe lule të përbëra me madhësi deri në 5 mm me qime dybuzore, ka mbajtëse të vogël dhe janë të shoqëruar në lulëza para majës së kërcellit. Lulet lulëzojnë gjatë gjithë verës. E gjithë bima është me shumë erë aromatike dhe me shije të këndshme, sidomos kur fërkohet. Rritet në vende të thata me diell dhe në livadhe.
Mbledhja, tharja dhe ruajtja
Nga mënyra e mbledhjes, tharjes, ruajtjes dhe paketimit, varet edhe roli i saj veprues. Në qoftë se njëra nga këto nuk bëhet në mënyrë të drejtë, atëherë edhe efekti i saj do të jetë i dobët ose do të mungojë fare për arsye se substancat që përmban kjo bimë mjekuese janë shumë të paqëndrueshme dhe nga pakujdesia mund të eliminohen. Kjo është një arsye shumë e madhe që shumica ankohen se çaji i egër nuk ka pasur efekt. Mbledhja duhet të bëhet paradite kur nuk ka lagështi, në kohë të nxehtë dhe me diell. Nuk duhet të mblidhen në thasë, por në shporta. Bima nuk duhet të shkulet për arsye se ajo zhduket dhe në anën tjetër fitohet drogë e dobët. Mund të prehet, ose shkurtohet me brisk ose me gërshërë të mprehta vetëm pjesa e sipërme e degëzave me gjethe dhe me lule. Pas mbledhjes duhet të bëhet menjëherë tharja në shtresë të hollë, me rrymim ajri, në hije. Tharja më e mirë bëhet në tertore, mirëpo duhet të llogaritet që temperatura të mos kalojë mbi 40 gradë C. Droga (pjesa kuruese e bimës) e mbledhur dhe e tharë mirë duhet të ruhet e paketuar në kartuça të trashë dhe në vende të thata pa lagështi.
Përbërja
Bima përmban deri 1 për qind vaj eterik, taninë, përbërës të ithët, rrëshirë etj. Vaji eterik i luleçajit përmban: timol dhe karvakrol. Përbërësit e tjerë janë: metil, etër, cineol, linalol dhe terpene të tjera. Përbërësi kryesor i vajit eterik të luleçajit është cimeni. Vaji eterik është spazmolitik i lehtë. Gjithashtu, ai ka edhe veprim bakteriologjik.
Kolla
Në vendin tonë trumza është përdorur si bar për shërimin e organeve të tretjes dhe është si përbërës i shumë çajeve. Sidomos rëndësi të madhe ka kur vaji eterik, i cili fitohet me anë të ekstraktimit, përdoret kundër kollës. Sipas specialistëve, te ne çaji i egër përgatitet në mënyrë të gabuar, sepse bashkë me ujin lihet të vlojë edhe çaji. Mënyra e drejtë e përgatitjes së çajit është: uji së pari duhet të vlohet, pastaj hidhet në të çaji. Më pas, ena mbulohet në mënyrë që të mos avullohen substancat avulluese dhe lihet të qëndrojë në qetësi për dy orë.
Barkqitja
Substancat mjekuese ndodhen kryesisht në gjethet e lules, kështu që parapëlqehet që të mblidhen vetëm lulet dhe gjethet, të cilat duhet të paketohen dhe të mbyllen mirë për të penguar largimin e materieve avulluese. Kjo bimë është shumë e mirë kundër barkqitjes, për arsye se ka sasi të konsiderueshme të tanineve. Është edhe konservues i mirë për shkak të përmbajtjes së lëndëve me aromë. Trumza rekomandohet të përdoret edhe kundër parazitëve të kuq, sidomos te fëmijët kundër oksiureve.
Organet e frymëmarrjes
Çaji i egër si edhe temjani kanë veprim në pastrimin e sekrecioneve nga organet e frymëmarrjes. Për këtë është shumë e rëndësishme te sekrecionet e tepërta te organet për frymëmarrje, te kalljet e mushkërive, kollitjet, katari bronkial etj. Me rëndësi të veçantë është përdorimi i saj edhe te sëmundjet e lukthit dhe nervave, sidomos zvogëlon shtrëngimet e lukthit si edhe pagjumësinë. Skrupfuloza, zbehtësia dhe pagjakësia janë sëmundje të tjera që mjekohen nga trumza e maleve.
Ftohja te fëmijët
Për të larguar ftohjen nga fëmijët përgatitet çaji i mëposhtëm. Merret 50 gr çaj i egër, 20 gr plantago lancelota, 20 gjethe drosera rotundifolia, 20 rrënjë glycyrrhiza glabra. Nga kjo përzierje merret një lugë çaj për një gotë ujë, të ëmbëlsuar me mjaltë.
Për pagjakësi
Për përgatitjen e çajit për kurimin e pagjakësisë nevojiten 50 gr çaj i egër dhe 50 ithë. Një lugë e kësaj përzierjeje merret për një gotë çaj dhe pijet dy deri tri gota në ditë të ëmbëlsuara me mjaltë. Çaji nuk duhet të zihet, por duhet të përgatitet me ujë të valuar dhe ena duhet të mbyllet mirë, në mënyrë që të mos eliminohen materiet avulluese, të cilat kanë rolin veprues.
Përgatiti: JONIDA TASHI
SHBA heton kompaninë kineze për ilaçin defektoz heparin
Globalizimi konsiderohet shpesh si një koncept ekonomik. Por ai mund të ndikojë edhe te shëndeti publik, duke filluar nga lojërat e prodhuara në Kinë, që përmbajnë plumb, deri te ushqimet për kafshë të prodhuara në Kinë, të cilat përmbajnë kimikate të dëmshme. Tani amerikanët po mësojnë se disa nga ilaçet që ata përdorin prodhohen në Kinë dhe fatkeqësisht njëri prej tyre ka shkaktuar probleme. Gruaja dhe i biri i LeRoy Hubley-it (HUGH-blee) vdiqën para pak kohësh dhe ai thotë se shkaku ishte përdorimi i heparinit gjatë dializës së veshkave. Heparini është një medikament për hollimin e gjakut që parandalon trompozat. Hubley e ka hedhur në gjyq prodhuesin e tij. “Nuk di çfarë të them. Jam tepër i indinjuar dhe nuk mund të bëj asgjë”, - ka pohuar ai. Heparini prodhohet nga një kompani amerikane. Por ilaçi përmban një element që prodhohet në Kinë, nga një kompani që Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve nuk e kishte inspektuar kurrë. Ligjvënësja demokrate Rosa DeLauro e kritikon këtë agjenci. “Kjo është një agjenci që duhet të kujdeset për shëndetin e publikut, por në fakt drejtohet nga individë jokompetentë. Kjo është një situatë e papranueshme”, - pohon ajo. Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve po bëhet gati të inspektojë uzinën dhe që prej atëherë firma Baxter International e ka ndërprerë prodhimin e heparinit. Ky ilaç ka sjellë rreth 350 reaksione alergjike, kryesisht tek pacientët që kanë bërë dializën e veshkave dhe operacione në zemër. Katër veta kanë vdekur gjatë këtyre procedurave. Nuk është e qartë nëse problemi me heparinin e ka origjinën në uzinën kineze, por Peter Barton Hutt, ish-avokat i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Ilaçeve thotë se kjo dëshmon për një rrezik të mundshëm shumë të madh. “Rreth 80 për qind e atyre që ne i quajmë elementë farmaceutikë aktivë prodhohen jashtë vendit tonë”.
Mijëra kompani prodhojnë ilaçe jashtë Shteteve të Bashkuara, por Administrata e Ushqimeve dhe Ilaçeve nuk ka informacion për ilaçet që shiten në Amerikë nëse dhe sa përbërës kimikë të tyre vijnë nga këto firma. “Edhe në qoftë se ata do të kishin një listë të saktë dhe në qoftë se gjithçka do të ishte e kompjuterizuar, ata nuk kanë fondet dhe personelin e nevojshëm për të bërë atë që ne presim prej tyre”, - thotë ish-zyrtari i kësaj agjencie, Peter Barton Hutt. Me ligj, Administrata e Ushqimeve dhe Ilaçeve duhet të inspektojë uzinat farmaceutike amerikane çdo dy vjet, por jo uzinat e huaja, në një interval të njëjtë kohe. Pak muaj më parë, në dhjetor të vitit 2007, sipas një raporti të vetë këshilltarëve të Agjencisë, thuhet se ajo nuk ka as personelin dhe as fondet e mjaftueshme, prandaj edhe nuk po e kryen punën si duhet. Pikërisht për këto arsye, Administrata e Ushqimeve dhe Ilaçeve pranon se jeta e pacientëve amerikanë është hera-herës në rrezik, një pohim ky që mbështetet edhe nga problemet me heparinin.
13 Mars 2008