Ivanov: Prioritet, integrimi i Maqedonisë në NATO dhe BE
Flet në emisionin “Faktori Plus” kandidati i VMRO DPMNE në zgjedhjet presidenciale të së dielës, Gjorgje Ivanov. Ai është favorit në sondazhe për të fituar postin e presidentit
Prioritetet tuaja si president?
Prioritetet më të rëndësishme janë ato ende të pazgjidhura, si anëtarësimi në NATO, problemet që kemi me Greqinë për çështjen e emrit dhe shumë gjera të tjera në lidhje me këto.
A është e bashkuar Maqedonia për në NATO dhe në tërësi për orientimin pro Perëndimit?
Nga të gjitha studimet që janë bërë, shumica e qytetarëve kërkojnë hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe kjo gjë as nuk vihet në diskutim.
Cilat janë rreziqet që mund ta pengojnë këtë proces?
Bllokimin tonë për hyrjen në NATO dhe për në Bashkimin Evropian e bën Greqia, që mendoj se është e vetmja pengesë që na bllokon. Ne kemi punuar dhe kemi marrë nota pozitive në rrugën për anëtarësimin, si për në NATO, ashtu dhe për në BE. Çdo gjë ne e realizuam. Bllokimi i këtij procesi është gjithashtu problem i NATO-s, edhe i BE, i cili nënvizon seriozitetin e këtij problemi.
Problem të ngjashëm me ne në princip ka tani dhe Sllovenia me Kroacinë.
Prandaj BE dhe NATO duhet të sjellin vendime të reja për zgjidhjen e problemeve.
Në Maqedoni po flitet për një lloj identiteti të ri etnik që përkufizohet si Maqedonia antike...
Unë nuk flas për të tilla identitete. Unë asnjëherë nuk e vë në dyshim identitetin tim.
Është ky debat që ka lindur nga shkenca dhe po e përdor politika, apo ka lindur nga politika dhe po e përdor shkenca?
Atë debat e hapi opozita, gjë që ajo mbarti me vete komunizmin dhe historinë e tij që në kohën e Beogradit se si e donte Beogradi Maqedoninë dhe që ne e dimë se ajo është Partia Komuniste e Maqedonisë. Diaspora jonë, si edhe populli ynë nuk dëshirojnë atë histori, por një histori të re, si atë që u arrit dhe që u quajt Republika e Maqedonisë, ku edhe nga kjo e vërtetë që është arritur, të gjithë gjatë gjithë kohës janë të trembur.
Por megjithatë, edhe Maqedonia, edhe Shqipëria, mund të ruajnë dhe respektojnë traditat dhe nuk duhet kurrsesi t’i humbin ato, por t’i mbajnë duke i ruajtur e t’i promovojnë. Ndaj emri i Maqedonisë është i ruajtur që nga ajo kohë antike. Ndaj dhe bëhet sot kjo pyetje. Ne duam dhe ruajmë çfarë është e jona, trashëgimia jonë që nuk e lejojmë të ndryshojë nga ato lloj historish dhe fjalësh. Në debate është folur vetëm për ide dhe projekte.
Shumica e kandidatëve për deputetë janë për një kompromis për çështjen e emrit. Ju si e mbështesni këtë dhe a jeni të gatshëm për një kompromis?
Unë jam sigurisht pro kompromisit, por pa cenuar aspak shtetin maqedonas dhe shtetasit e saj, si edhe duhet të punohet shumë që ne të jemi të barabartë me gjithë shtetasit e tjerë evropianë.
Qëndrimi shumë i ngurtë i qeverisë për çështjen e emrit, që po vlerësohet si nacionalist, a mund të pengojë kjo hapat tuaja drejt BE?
Jo, sepse 95% e popullsisë tregon se Maqedonia nuk do të humbasë anëtarësimin në BE dhe çdo qeveri duhet të mbrojë dhe të ecë me aspiratat e popullit të saj.
Kur thoni 95% e popullsisë, keni parasysh vetëm atë maqedonase apo edhe atë shqiptare?
Maqedonase.
Cilat janë sfidat aktuale, ekonomia, integrimi apo identiteti etnik?
Maqedonia i ka të gjitha këto probleme së bashku dhe nuk mund të ndahen nga njëri-tjetri. Problemi që kemi për identitetin ishte shkaku kryesor për embargon, si edhe ju në lidhje me tranzicionin demokratik.
Ekonomia jonë kishte një rezultat të mirë dhe për këtë të gjitha bizneset greke panë një interes të madh, si në rafineri, në atë të ushqimit, në tekstil e kudo.
Greqia këtë e sheh si një prioritet të madh, ku ky si problem i brendshëm dhe rajonal u bë dhe problem mbarëkombëtar.
Çfarë masash do të merrni, nëse bëheni president, për të futur frymën e një shteti qytetar, për të zbutur ndarjen etnike?
Ndarja etnike nuk zbutet vetëm nëpërmjet një politikani, por së bashku. E gjithë politika, e përfaqësuar nga shumica e votave politike, duhet të ecë me frymën evropiane, ku solidariteti, idetë, liritë, barazitë dhe shumë gjëra të tjera të bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën.
Në politikë duhet të diskutohet gjatë në lidhje me çështje të rëndësishme, si për shembull për doganat, liberalizimin e vizave etj.
Edhe vendet më të zhvilluara në Ballkan, 30% të këtyre problemeve nuk i kanë zgjidhur.
Standardet evropiane duhet të zbatohen, si për grupet etnike, ashtu edhe për minoritetet dhe pakicat e tjera.
Kështu që edhe ne duhet t’i respektojmë këto standarde si në çdo vend evropian.
Kështu që ne deri tani i kemi respektuar në të gjitha trevat dhe hapësirën e vendit tonë.
Kemi arritur një demokraci multietnike që edhe për shumë shtete të fuqishme, kjo është e vështirë, sepse do duhej shumë kohë.
Diplomatët kërkohen të jenë konstruktivë dhe të përpiktë, si edhe politikanët të jenë diplomatë.
Kjo ndodh në çdo politikë të brendshme, ku duhet të gjejmë kohë të mjaftueshme dhe të motivohemi të jetojmë së bashku.
A shpresoni ta zgjidhni çështjen e emrit deri në samitin e prillit?
Këtë e tha në 60-vjetorin edhe ish-Gjenerali i Përgjithshëm i NATO-s, ku ka të gjithë informacionet e nevojshme si eksponent që ka drejtuar NATO-n, ku cilësoi se është e turpshme ajo që bëri Greqia me intrigat e saj për të mos lejuar integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE.
Megjithëse thonë për argumente të tjera, ne besojmë në atë që vetë politikanët grekë sipas nenit 11, ku Maqedonia kishte marrëveshje me BE, nuk e respektuan dhe nxorën si justifikim që Maqedonia ka emrin Republika e Maqedonisë, por që e nisin fjalinë me ish-Maqedonia, ndaj dhe ne në lidhje me to, kemi konflikte dhe aq më tepër dhe nga ana juridike.
Si ndjeheni me Kosovën, si një vend i ri fqinj?
Kosova është një realitet i ri për ne për ta kuptuar si shtet, sepse ne nuk kemi pasur asnjëherë kufij për 1000 vjet dhe për 500 vjet kemi jetuar brenda një Perandorie Otomane si ish-Jugosllavi. Në Jugosllavi nuk kishte kufij, kështu që kemi qenë të gjithë bashkë dhe mund të them se ka dhe lidhje familjare ndërmjet nesh, meqë ka qenë një shtet i vetëm.
Kur Maqedonia mori pavarësinë në vitin 1991, për herë të parë u vendosën kufijtë. Kosova është një treg ku afaristët dhe biznesmenët maqedonas bëjnë me të. Sot, edhe akademikët tanë nga të gjitha fushat marrin pjesë nëpër projekte që bëhen në Kosovë. Por edhe kosovarë të shumtë vijnë çdo fundjavë për të bërë pazar në Shkup dhe të gjithë biznesmenët maqedonas janë të kënaqur nga lidhja me kosovarët. Kjo flet për një realitet të ri, gjë që ne e respektojmë, ku Maqedonia tregon se është pozitive me Kosovën, dhe pikërisht ky fakt pozitiv mund të na fusë në armiqësi me fqinjë të tjerë.
Nëse në raundin e dytë do t’ju duhen votat e shqiptarëve, çfarë do bënit? Ku është kufiri që do të shkonit ju?
Unë jam kandidat që nuk i takon asnjë partie dhe nga ku mbështetem nga koalicioni që përbëhet nga 22 parti dhe njëkohësisht jam edhe kandidat i zgjedhur nga PBI dhe PBNNJ. Sigurisht, mes këtyre dy partive ekziston konsensusi për çështje të tilla, kështu që unë e mirëpres mbështetjen e të gjithë qytetarëve, pasi motoja ime është: Një për të gjithë!
A është më lehtë të marrësh vota mes maqedonasve tani duke sharë shqiptarët, duke i luftuar ata?
Ato janë koncepte të atyre që mendojnë se janë të humbur në zgjedhje, që shfrytëzojnë retorikën që e kishin që në kohën kur jetonim në ish-Jugosllavi.
Njëkohësisht, kjo retorikë bën që të ftohen marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Unë asnjëherë nuk e përdor këtë lloj retorike, as në fushatën time dhe as me ndonjë vend tjetër.
Unë për 15 vjet kam punuar në Fakultetin e Shkencave Politike, ku kam kaluar 15 vjet mes shqiptarëve dhe maqedonasve, me të cilët kam pasur marrëdhënie shumë të mira dhe pozitive.