“Gërdeci”, përcaktohet Kolegji Penal që do të gjykojë Fatmir Mediun
Shorti me gogla i hedhur gjatë ditës së djeshme në Gjykatën e Lartë, ka përcaktuar Kolegjin Penal që do të gjykojë 28 të pandehurit për tragjedinë e Gërdecit, mes të cilëve edhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Sipas shortit të djeshëm, do të jetë gjyqtarja Majlinda Andrea ajo që do të drejtojë trupin gjykues, që përbëhet dhe nga gjyqtarët Evgjeni Sinoimeri, Irma Bala, Evelina Qirjako dhe Besnik Imeraj. Tashmë, pritet vetëm caktimi i datës për nisjen e një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore në vendin tonë. Ndërkohë, po në Gjykatën e Lartë pritet që të nisë procesi gjyqësor edhe ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, i akuzuar për abuzime dhe shkelje të rënda gjatë tenderimit dhe ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës.
Trupi gjykues
Pas më shumë se një viti nga tragjedia e rëndë e Gërdecit, në të cilën gjetën vdekjen 26 persona, të akuzuarit si përgjegjës për të, pritet që shumë shpejt të përballen me togat e zeza. Dje, ashtu si dhe për dosjen e rrugës Durrës-Kukës, me të pandehur Lulzim Bashën, Gjykata e Lartë ka vendosur që përcaktimi i gjyqtarëve që do të gjykojnë ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si dhe 27 të pandehurit e tjerë, të bëhet me short me gogla dhe jo me elektronik. Shorti i hedhur ka përcaktuar gjyqtaren Majlinda Andrea në krye të Kolegjit Penal që do të shqyrtojë dosjen voluminoze për shpërthimin në Gërdec. Ndërkohë, trupi gjykues plotësohet edhe me gjyqtarët Evgjeni Sinoimeri, Irma Bala, Evelina Qirjako dhe Besnik Imeraj. Andrea u dekretua si anëtare e Gjykatës së Lartë nga presidenti, Bamir Topi, në korrik të 2008, ndërkohë që ka qenë për disa vite me radhë gjyqtare në gjykatën e Durrësit.
Në bankën e të akuzuarve për shpërthimin e 15 marsit do të ulen 28 persona, nga të cilët 4 prej tyre do të procedohen nën masën e sigurisë “Arrest me burg”. Nën këtë masë do të gjykohen ish-administratori i firmës “AlbaDemil”, Mihal Delijorgji, ish-drejtori teknik i punimeve në Gërdec, Dritan Minxholli, ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, dhe ish-punonjësi i MEICO-s, Sokol Gjeci. Ndërsa 24 personat e tjerë, të gjithë ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, do të gjykohen në gjendje të lirë. Në bankën e të akuzuarve do të ulet edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të cilin prokuroria ka ngritur akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Të pandehur në këtë dosje me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” janë edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral. lejtnant., Luan Hoxha, ish-komandanti i Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu, ish-komandanti i Forcave Mbështetëse, Zija Bahja, ish-komandanti i Logjistikës, Dashnor Çaushi, të gjithë këta të shkarkuar nga detyra menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit. Ndërkohë, akuza e “Shpërdorimit të detyrës” i është komunikuar edhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, Ardian Mullai, si dhe Armand Tartarit, ish-drejtor në Drejtorinë e Buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, Ndue Markut, ish-zyrtar në Drejtorinë Juridike të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe ish-zëvendëskomandantit të Shtabit të Përgjithshëm, Agim Lala. Tragjedia, për të cilën akuzohen 28 personat, ka ndodhur një vit më parë, kur si pasojë e shpërthimit të fabrikës, në të cilën kryheshin demontimet e municioneve, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Nga fuqia shpërthyese u shkatërruan edhe një numër i madh banesash dhe biznesesh, të cilat ndodheshin përreth. Sipas prokurorisë, të 28 të pandehurit ndaj të cilëve rëndojnë akuza të ndryshme, kanë ndikuar me veprimet dhe mosveprimet e tyre në shpërthimin tragjik të kësaj punishteje, që solli vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve të plagosur.