Problemi i kokainës për Evropën është një mallkim… dhe jo vetëm për Evropën
Ka dy keqkuptime të mëdha për kokainën:
1- Kokaina nuk të vret, ndërsa heroina, po.
2- Kokaina është e pranueshme në shoqëri (sepse përdoret nga njerëzit me kollare të bardha).
Megjithëse nga specialistët dihet se këto mite nuk janë të vërteta, një pjesë shumë e madhe e evropianëve janë të prirur t’i marrin për të mirëqena. Kjo dhe për faktin se heroina shihet me një sy përçmues, sepse konsumohet nga shtresa të mënjanuara të shoqërisë, poshtë urave, në parqe apo në lagje të braktisura.
Kokaina ka një imazh tjetër, si dhe thirret me emra miklues: zonja e bardhë, mbretëresha e dëlirë, sheqeri joshës. Në pamje nuk është e errët, thithet me hundë, dhe nuk injektohet; konsumohet në disko dhe jo në getot e qytetit; është karburanti mendor i fitimtarëve të shoqërisë dhe jo malli i rëndomtë i humbësve të saj. Madje, dhe rënia e dollarit ndaj euros duket se po e favorizon këtë ekspansion - çmimi i ko/kës nga përtej Andeve është i ulët.
Statistikat për përdorimin e kokës janë në rritje. Në Spanjë, më shumë se 3% e popullsisë midis moshave 15-64 vjeç e marrin kokainën, të paktën një herë në vit. Për fat ka disa shenja përmirësimi. Në 2004 numri i të rinjve spanjollë të grup-moshës 14-18 vjeç që përdorte kokainë një herë në muaj ishte 7,2% - tashmë ka rënë në 4,1%. Por në vende të tjera shifrat janë në rritje. Përqindja e njerëzve në Britani që përdorin kokainë është dyfishuar në dhjetë vitet e fundit - nga 1,3% në 2,6% këtë vit. Edhe në Itali statistikat janë rrëqethëse - problemi është më akut në moshat e reja.
Rritja e vartësisë ndaj kokainës në Evropë ka tri pasoja tragjike:
Së pari, vartësia nga koka është e dëmshme për atë që e përdor. Kokaina mund të perceptohet si një drogë për festa, por në të vërtetë është një substancë adiktive. Përdorimi i saj rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, dëmton rrugët dhe organet e frymëmarrjes, dhe i bën përdoruesit të prekshëm ndaj çrregullimeve psikiatrike, si dhe dëmton trurin. Të gjitha këto pasoja janë të mirënjohura dhe të dokumentuara.
Së dyti, edhe pse mallistët e kokës nuk kujdesen për shëndetin e tyre, ata duhet të marrin një lloj përgjegjësie për dëmet që mund t’i shkaktojnë të tjerëve. P.sh., ata që ngasin automjetet nën efektin e kokainës, e që vrasin viktima të pafajshme. Vetëm vitin e fundit në Evropë pati rreth 400 vdekje në aksidente rrugore që lidhen me përdorimin e kokainës. Por koka sjell dhe dëme të tjera: shumë vende prodhuese shkatërrojnë pyje të tëra për të mbjellë bimën e kokës. Ata rrezikojnë jetën duke financuar terrorizmin - siç ndodhi me shpërthimet e bombave në Madrid, ku drogat (hashashi) u shkëmbye me eksplozivët që morën dhjetëra jetë të pafajshme.
Së treti, evropianët e pasur që përdorin koka për stimulim vetjak po shkatërrojnë kombe të tëra. Kjo nuk ka lidhje me “teorinë e kaosit” që argumenton se rrahjet e krahëve të një fluture në Amerikë mund të shkaktojnë një shpërthim vullkanik në Azi. Jo, po flasim për diçka më konkrete - një rrezik real dhe kërcënues. Një vizë këtu, një vizë atje në Evropë, që shkaktojnë trazira në Afrikë, duke shtuar me shumë varfëri, papunësi dhe pasoja të tjera të rënda.
Afrika e sulmuar
ǒlidhje ka kokaina me Afrikën?
Rrugët tradicionale të trafikimit nga vendet e Andeve drejt Amerikës së Veriut kontrollohen me rreptësi. Trafikimi për në Evropë është bërë i vështirë, sepse hapësirat ajrore dhe vijat bregdetare nuk përshkohen kollaj. Sasitë e kapura janë thuajse sa gjysma e sasisë që prodhohet. E megjithatë, kërkesa për kokainë në Evropë vazhdon të rritet, dhe trafikantët kanë gjetur rrugë të tjera nëpërmjet Afrikës Perëndimore - p.sh., nga Venezuela në Guineja Bisau. Trafikimi bëhet për tri net me një barkë të shpejtë, që mban 1-2 tonë drogë.
Qeveritë e këtyre vendeve janë të varfra, të korruptuara dhe të dobëta për të përballuar fluksin e kokainës që kalon nëpër territoret e tyre. Trafikimi i kokës bëhet pa shumë rezistencë, dhe në shumë raste zyrtarë të lartë janë bashkëpunëtorë me trafikantët. Si rezultat, krimi, korrupsioni dhe varfëria po thellohen gjithnjë e më shumë duke i çuar këto vende drejt pikës së kolapsit. Pra, Afrika është e sulmuar dhe nuk mund ta mbrojë veten. Kokaina transportohet nga Amerika e Jugut drejt Afrikës Perëndimore me anije, me aeroplanë, pastaj paketohet me pako të vogla, dhe dërgohet drejt Marokut, për të përfunduar në Evropë. Komuniteti ndërkombëtar po reagon, por jo me forcën e duhur. Më shumë se 4 tonë kokainë u kapën në Afrikën Perëndimore gjatë vitit 2006. Spanja dhe Britania sekuestruan 9 tonë kokainë në brigjet e Afrikës gjatë vitit të fundit. Por ka të ngjarë që kjo të jetë vetëm maja e ajsbergut. Tregtia e drogës në Guineja Bisau mund të jetë e krahasueshme me të ardhurat kombëtare. Këtu mund të merret si shembull Afganistani si rasti më i keq, ku prodhimi i opiumit është thuajse sa gjysma e GDP. Pra, duket qartë se Afrika po përballet me një krizë me përmasa epike, që po nxitet nga përdoruesit evropianë të kokainës.
Eat it! Lick it! Snort it! F… it!
Deri më sot Afrika nuk ka pasur probleme me drogat - qoftë me prodhimin apo dhe konsumimin (duke mos përmendur kultivimin e kanabisit në Marok që po vjen drejt rënies). Vala e re e trafikimit të kokës në Afrikë ka plot gjasa që të shkaktojë abuzimin me drogat, si dhe probleme të tjera shëndetësore dhe sociale - një tjetër mallkim evropian ndaj një kontinenti që është shkatërruar tradicionalisht prej shekujsh nga kolonizatorët, shfrytëzuesit dhe skllavëria. Tani evropianët po e kuptojnë se nuk duhet të blejnë diamante të përgjakur apo rroba të bëra nga puna skllavëruese e afrikanëve. Iniciativa të rëndësishme janë ndërmarrë për të ndaluar tregtinë ilegale të fildishit, specieve të rrezikuara apo drurëve të çmuar. Bota e korporatave, opinioni publik po tregon një ndjeshmëri më të lartë.
Por me kokainën ndodh e kundërta. Askush nuk bën filma rreth kokës së përgjakur. Më keq se kaq: modeleve që nuk guxojnë të veshin një lëkurë tigri në pasarelë, nuk iu bën përshtypje të kapardisen me përdorimin e kokainës në publik. Shihni Kate Mos, e cila ende merr kontrata të majme, edhe pasi u fotografua duke thithur kokainë. Yjet e rock-ut si Amy Winehouse janë bërë të famshëm duke kënduar “Nuk do shkoj të rehabilitohem”, edhe pse ka shumë nevojë, dhe si përfundim ajo kërkoi trajtim për vartësinë e saj. Dhe ndërsa Britney Spears bërtet “Haje! Lëpije! Thithe! Q…! paparacët mbushin faqet e revistave të modës, dhe TV e transmetojnë me ngut në lajmet e mbrëmjes. Të gjithë këto personazhe të famshëm janë shndërruar në drogaxhinj - dhe në fakt kanë shpenzuar shumë pará dhe kohë në qendra rehabilitimi për drogat. Yje të tjera si Eric Clapton apo Madonna, që e pranojnë vartësinë e tyre, pa u mburrur, dhe kërkojnë trajtim, fitojnë simpatinë e publikut, por kthimi i tyre te jeta pa drogë ndiqet me pak vëmendje nga media.
Ku është problemi? Edhe kur yjet e modës apo të muzikës abuzojnë me droga dhe jetët e tyre shkojnë keq e mëkeq, përsëri ata arrijnë të tërheqin miliona e miliona spektatorë, më shumë se çdo car i drogës, dhe kanë një ndikim shumë më të madh se çdo konventë e OKB për drogat. Një këngë, një pikturë, një fjali që e bën kokainën të duket e pranueshme, mund të zhbëjë miliona dollarë që shpenzohen në luftën kundër drogës dhe të edukimit të të rinjve.
Të trajtosh një sëmundje
Ka dhe një ironi tjetër të trishtueshme. Kur personazhet e famshëm kërkojnë trajtim, ata zgjedhin klinikat më të shtrenjta, kur miliona njerëz në botë po mundohen t’i ikin kokainës ose kanë pak mundësi për t’u trajtuar. Kjo duhet të ndryshojë. Vartësia nga drogat është një sëmundje dhe duhet të parandalohet apo trajtohet si çdo sëmundje tjetër, si tuberkulozi apo HIV. Kontrolli i drogave më shumë se çështje morale, politike apo çështje ideologjike - është një problem shëndetësor.
Kjo do të thotë që të punohet me fëmijët, prindërit apo mësuesit, me qëllim që ata të marrin dashuri, kurajë dhe mbështetjen e duhur për të zhvilluar vetë-vlerësimin. Pjesa kryesore e parandalimit fillon në familje. Shkolla mund të ndihmojë duke mësuar aftësitë për jetën, si dhe duke diskutuar me të rinjtë për efektet e drogave. Duhet të krijohen mundësi për të rinjtë që të përfshihen në aktivitete të shëndetshme dhe konstruktive si: sporti, arti dhe kultura. Trajtimi i duhur duhet të sigurohet për ata që kanë nevojë. Aktualisht, kontrolli dhe parandalimi i drogës rrotullohet rreth heroinës, por qendrat e trajtimit duhet të orientohen drejt adresimit të abuzimit në rritje të kokainës. Ndryshe nga heroina që ka medikamente trajtuese (metadoni apo naltreksoni), për kokainën nuk ka ndonjë mjet farmakologjik për trajtim.
Meqë kokaina përdoret shumë në metropole dhe qytete të mëdha, bashkitë dhe sektori privat duhet të luajnë një rol më të fuqishëm në trajtim dhe parandalim.
Askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë së tij për të ndalur të këqijat që vijnë nga drogat. Nëse nuk veprojmë sot, tragjedia e abuzimit me drogat do të rëndojë në ndërgjegjet tona.
* Përgatitur në kuadër të GFATM