E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanoviç: Më shumë kontakte mes politikanëve shqiptarë e serbë

Drejtuesi i Iniciativës Qytetare Serbe në veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviç, ka vlerësuar se shqiptarët dhe serbët kanë nevojë për më shumë kohë për të përmirësuar marrëdhëniet mes tyre, pas gjithë atyre konflikteve historike që kanë pasur mes vete, sidomos në vite e 90-të.

Oliver Ivanoviç ka vlerësuar se takimet e zhvilluara deri më tani midis kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij Ivica Daçiç kanë pasur ndikim në krijimin e një perceptimi për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve. Ivanoviç ka vlerësuar edhe thirrjen e dy kryeministrave drejtuar qytetarëve serbë në veri për të dalë në zgjedhjet e nëntorit, por sipas tij kjo nuk është e mjaftueshme.

Duhet të ndërmerren edhe disa veprime shtesë, sidomos nga ana e kryeministrit Daçiç, sepse serbët në Kosovë u binden urdhrave të Qeverisë së Serbisë. Qeveria e Serbisë duhet të shprehet qartë dhe të thotë se kjo është e vetmja rrugë. Daçiç dhe Vuçiç duhet t”u bëjnë thirrje njerëzve të tyre në Kosovë që të dalin në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe që ti përgatisin listat. Mendoj se kur të vendoset një afat prej tyre, atëherë kjo është punë e kryer, tha Ivanoviç.

Ai gjithashtu ka kërkuar gjithashtu nga Qeveria e Serbisë tu zvogëlohet hapësira për manovra njerëzve të tillë si Jakshiq, që po kundërshtojnë zgjedhjet e nëntorit. Sa i përket çështjes së integrimit të serbëve të veriut në institucionet e Kosovës, Ivanoviç ka deklaruar se vështirësitë janë për shkak të së kaluarës, por i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të bëjë më shumë në këtë drejtim.

Është me shumë rëndësi që tani e tutje të ketë më shumë takime direkte midis qytetarëve dhe politikanëve serbë të veriut me politikanë shqiptarë dhe drejtues të institucioneve të Kosovës, sepse vetëm në këtë mënyrë mosmarrëveshjet zgjidhen shumë më shpejt, tha Ivanoviç.

Ndërkaq sa i përket rolit të Asociacionit të Komunave në të ardhmen, Ivanoviç tha se ky rol do të jetë i rëndësishëm nëse të rëndësishëm do të jenë njerëzit brenda këtij Asociacioni.

Ai ka bërë thirrje që Asociacioni të mos shndërrohet në një filialë për të strehuar kuadrot e partive politike serbe, që do të thotë njerëz me shumë pak kredibilitet.

Është me rëndësi që ky asociacion të përbëhet nga njerëzit më të mirë dhe që këta njerëz të jenë të dalë nga vota e lirë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Ky është sugjerimi dhe qëndrimi im, tha Ivanoviç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›