E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanoviq: Lista e përbashkët ka kuptim vetëm në zgjedhjet parlamentare

Dalja e serbëve të veriut në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, të cilat për herë të parë do të organizohen nga institucionet kosovare edhe për këtë pjesë të vendit, kanë ndarë në dysh serbët lokalë rreth asaj se a duhet të dalin serbët si një listë e vetme zgjedhore, apo të garojnë në parti të ndryshme.

Rada Trajkoviq, deputetja e Listës Unike Serbe në Kuvendin e Kosovës, shprehet pro daljes së serbëve në zgjedhje në një Listë të përbashkët. Sipas saj kjo për arsye të përforcimit të pozicionit të serbëve në institucionet kosovare.

“ Mendoj se është mirë që serbët të dalin në një listë të vetme. Sepse në zgjedhje natyrisht që do ta dalin edhe partitë serbe që janë pjesë e Qeverisë së Kosovës dhe ata do të kenë ndihmën e partnerit të tyre në koalicion. Me këtë rast kjo do të krijojë një jo balancë rreth mënyrës së financimit por edhe organizimit të partive serbe në Kosovë. Kjo ndarje në shumë parti kam frikë se do të ndikoj keq në realizimin e projektit për formimin e Bashkësisë së komunave serbe”, tha Trajkoviq, transmeton RTK.

Por, kundër kësaj ideje shprehet ish sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, i cili thotë se në zgjedhjet lokale serbët duhet të garojnë secilin në listën e partisë së vet politike.

“ Për mendimin tim lista e përbashkët ka kuptim vetëm në zgjedhjet parlamentare sepse kjo do të ndalonte ndarjen e votave, ndryshe në zgjedhjet lokale është mirë që secili kandidat të konkurrojë në listët e partive të tyre ose në listat e qytetarëve ”, tha Ivanoviq.

Por, përderisa Qeveria e Kosovës, ajo e Serbisë dhe komuniteti ndërkombëtar, po u bëjnë thirrje serbëve ne veri që dalin në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, janë vetë këta të fundit të cilët në vazhdimësi kanë deklaruar se do t’i bojkotojnë ato. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›