Pritet verdikti vendimtar për Silvio Berlusconin

Pasi Gjykata e Apelit më 8 maj të këtij viti konfirmoi vendimin e shkallës së parë për dënimin e Silvio Berlusconit me katër vjet heqje lirie dhe ndalimin për pesë vjet të mbulimit të posteve publike nga ana e tij, vendimi që pritet sot nga Gjykata e Kasacionit ka një rëndësi të madhe për të ardhmen e politikës italiane, veçanërisht nëse dënimi konfirmohet.
Në këtë rast, tre nga të katër vjetët e dënimit do t’i faleshin në baze të uljes së dënimeve të dekretuar në vitin 2006. Vitin e mbetur Berlusconi do ta kalonte në arrest shtëpie, sepse do të mund të përfitonte nga mosha mbi 70-vjeçare.
Por, si shkruan TCH, kjo është hipoteza më e keqe. Ish-kryeministri, i akuzuar për një shkelje fiskale prej 7.3 milionë eurosh, të kryer duke manipuluar çmimet e filmave të blerë nga “Mediaset”, mund të dënohet vetëm me ndalimin për pesë vjet të mbulimit të posteve publike, e kjo hipotezë do të trondiste ekuilibrat delikate të qeverisë.
Në këtë rast, ai nuk do të mund të ishte më deputet dhe forca politike e drejtuar prej tij dhe forcat e tjera që e mbështesin mund të krijonin një termet të vërtetë politik, me dorëheqjen masive të deputeteve të tyre.
Kjo do të evitohej nëse Gjykata e Kasacionit do ta anulonte dënimin. E ndërsa pritja vazhdon, njerëzit më pranë “Cavalierit” thonë se ai është i qetë dhe se ka besim në një zgjidhje pozitive të çështjes./Indeksonline/