E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria serbe kërkon për këshilltar ish-kreun e FMN-së

Qeveria e Serbisë dëshiron që ish-kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss Kahn të bëhet këshilltar i saj. Kërkesa është bërë zyrtarisht nga ana e zëvendëskryeministrit Aleksandar Vuçiq.

“Kemi folur shkurt për mundësinë e një bashkëpunimi”, ka deklaruar Vuçiq në një prononcim për televizionin lokal B92.

“E sigurt është se Kahn nuk do të jetë ministër, por këshilltar që do të na ndihmojë në menaxhimin e borxhit publik”, ka saktësuar numri dy i qeverisë serbe.

“Është bërë vetëm kontakti i parë. Gjithçka mbetet për t’u caktuar edhe për faktin se Kahn kërkon shumë para”, shtoi Vuçiq, transmeton TCH.

Në një intervistë të dhënë një ditë më parë për një televizion rus, Kahn deklaroi se ideja për hyrjen në politikë i përket së kaluarës dhe shprehu interesin për të punuar si këshilltar për qeveritë e vendeve të ndryshme dhe kompanitë e mëdha.

Nga ana tjetër, atij nuk po i ndahen telashet gjyqësore, pasi së fundmi një gjykatë franceze shtyu procesin ndaj tij për akuzën e përfshirjes në një rrjet prostitucioni në veri të Francës./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›