E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ivi Kaso për RTSH: PD do të kërkojë hapjen e kutive të votimit edhe për kandidatët e PS

Partia Demokratike, me udhëzimin e kryetarit Sali Berisha, do të mbështesë secilin kandidat për deputet në kërkesën për verifikim të procesit të numërimit të votave preferenciale në zgjedhjet e 11 majit.

Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, në një intervistë për RTSH-në tha se ky proces bën transparencë për çdo kandidat demokrat në garë, sikundër të palës kundërshtare.

“Transparenca mbi kërkesat e kandidatëve tanë do të sjellë transparencën mbi çdo votë të numëruar për secilin kandidat që ka qenë në garë në atë njësi, zonë apo qendër votimi ku kërkohet hapja e kutive”, tha z. Kaso.

Sipas tij, kjo sipërmarrje nuk pritet të ketë ndikim në ndryshim rezultati, por ndërmerret për të bërë “autopsinë” e procesit të 11 Majit, që PD-ja e cilëson farsë.

“Janë aspekte margjinale dhe teknike, të cilat nuk besoj të kenë ndikuar shumë në vullnetin e zgjedhësve”, tha ai.

Partia Demokratike pritet të hartojë shumë shpejt raportin përfundimtar për zgjedhjet, që do t’i dorëzohet kancelarive ndërkombëtare. Pjesë integrale e raportit do të jenë edhe informacionet e kërkuara nga KQZ-ja, veçanërisht për administrimin e votës së diasporës. Ky institucion, tha z. Kaso, ktheu përgjigje për votat e Greqisë, dhe nga korrespondenca me me DHL-në ka faktuar pretendimet e Partisë Demokratike.

“Pretendimi ynë kryesor, që fletët e votimit nuk u janë shpërndarë në mënyrë të personalizuar zgjedhësve të identifikuar nëpërmjet kartës së identitetit, si edhe që zgjedhësit duhej të vinin nënshkrimin në momentin që pajiseshin nga DHL me fletën e votimit… ky pretendim që kemi ngritur që në kryer të herës, nga materiali që na vihet në dispozicion, del më se i mbështetur”, tha sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD.

DHL-ja, sipas z. Kaso, pranoi se në kundërshtim me marrëveshjen, zarfet me votat e diasporës mbërritën në vend edhe përmes kompanive të nënkontraktuara. Demokratët do të kërkojnë hetim administrativ edhe për mungesën e 130 mijë fletëve të votimit.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›