Izrael, 10 të vdekur nga një atentat
Të paktën 10 të vdekur është bilanci i atentatit terrorist ndaj një autobusi me turistë i drejtuar për në qendrën turistike të Detit të Kuq. Mes të vdekurve numërohen të paktën dy agresorë dhe disa prej pasagjerëve që udhëtonin në autobus. Mediat lokale raportojnë se autobusi u godit me granatë-hedhëse në jug të Izraelit, dhe menjëherë më pas u ndoq nga një konflikt me armë mes terroristëve dhe forcave të sigurisë izraelite. Një zëdhënës i ushtrisë bëri me dije se u regjistruan dy sulme kundër një autobusi të një linje udhëtimesh pak kilometra nga Eilat në detin e Kuq. Mediat informojnë se numërohen të paktën tre episode atentatesh të ndodhura sot në jug të Izraelit, jo larg nga gadishulli egjiptian i Sinait, ku së fundmi ka shpërthyer një konflikt me armë mes forcave të sigurisë izraelite dhe agresorëve.
Situata në zonën e atentatit mbetet ende e paqartë, kur raportohen edhe përleshje të armatosura mes agresorëve dhe forcave të sigurisë në afërsi të kufirit me Egjiptin. Ndërkohë mësohet se një zonë e tërë është izoluar dhe rrethuar nga forcat izraelite. Më herët u raportua se trupat izraelite ishin vënë në ndjekje të një grupi të përbërë nga tre persona të gjithë të veshur në blu që ndodheshin në bordin e një makine. Por,siç raportojnë mediat lokale nuk përjashtohet fakti se sulmet ndaj autobusit u drejtuan nga më shumë se një grup terrorist. Autobusi i parë i sulmuar sot, ku një person mbeti i vdekur po udhëtonte nga Beersheva për në Eilat, dhe në bordin e tij ndodheshin edhe disa ushtarë të liruar nga detyra.