Izrael, festohet 62 vjetori i pavarësisë
Në Izrael, me manifestime të ndryshme në mbarë vendin, përkujtohet 62 vjetori i shpalljes së deklaratës së pavarësisë. Në këto ceremoni përkujtohen ushtarët dhe civilët e vrarë në luftëra dhe në sulme terroriste të ndryshme kundër Izraelit.
Në fjalimin e tij, presidenti Shimon Peres tha se Izraeli dhe pjesa tjetër e botës, ballafaqohen me kërcënim nga programi iranian bërthamor dhe theksoi se askush nuk duhet t'i nënvlerësojë kapacitetet mbrojtëse izraelite.
Në Uashington, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, nëpërmjet një deklarate, tha se Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i Izraelit, "nuk do të hezitojë në mbrojtjen e sigurisë së Izraelit dhe në promovimin e së ardhmes së Izraelit". Më tej, kryediplomatja amerikane theksoi se administrata Obama beson se është e domosdoshme arritja e "paqes gjithëpërfshirëse" në Lindjen e Mesme, që izraelitëve, palestinezëve dhe të gjithë popujve në rajon, do t'u siguronte siguri dhe prosperitet. Në izrael janë zhvilluar ceremoni solemne të dielën për të shënuar fillimin e ditës së pavarësisë në shtetin hebre. Ministri izraelit i mbrojtjes tha se nga viti 1860, janë vrarë 22,684 burra dhe gra në përpjekje për të mbrojtur vendin. Ndërsa vitin e kaluar janë vrarë 112 ushtarë dhe anëtarë të forcave të sigurisë. Kryeministri vendit Benjamin Netanyahu tha në njërën prej ceremonive përkujtimore se paqa ndërmjet izraelit dhe fqinjëve, do të realizohet. Në murin perëndimor në qytetin e vjetër Izraelit, pjesëmarrësit në ceremoni të ardhur nga i gjithë vendi, mbajtën një minutë heshtje. Një sërë ceremonish dhe memorialesh do të mbahen në të gjithë izraelin gjatë ditës së hënë.