Izraeli: Irani dhe Hezbollah, komplot kundër izraelitëve

Byroja izraelite kundër-terrorizmit ka thënë sot se Irani dhe aleati i tij, lëvizja shiite libaneze Hezbollah, po bëjnë komplot kundër Izraelit dhe hebrenjëve në mbarë botën. Këto komente u bënë pas një vargu sulmesh dhe përpjekjeve për sulme kundër diplomatëve izraelitë në Indi, Gjeorgji dhe Tajlandë. Në një njoftim për shtyp byroja u ka tërhequr vërejtjen izraelitëve jashtë Izraelit, që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë udhëzimet lokale të sigurisë.
Në një shpërthim në makinën e Ambasadës izraelite në Nju Delhi të Indisë, të hënën e kaluar, u plagos bashkëshortja e një diplomati. Përpjekje për sulme me bomba kundër diplomatëve izraelitë, këtë javë, ka pasur edhe në Gjeorgji dhe Tajlandë. Izraeli e ka fajësuar Iranin dhe Hezbollahun për këto incidente. Por, Irani dhe Hezbollahu i kanë hedhur poshtë akuzat.