E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli bombardon Sirinë për të ndaluar Hezbollah

Gazeta Shqip

Lufta Civile

bombardimet SiriAvionët izraelitë bombarduan Sirinë gjatë ditës së djeshme duke tronditur Damaskun për shumë orë dhe duke ngritur kolona tymi në atë që një burim perëndimor e komentoi si shkatërrim të raketave iraniane që po transportoheshin për te lëvizja Hezbollah në Liban.

Banorët vendës raportuan shpërthime masive. Kundërshtarët sirianë të Presidentit Bashar al-Asad u gëzuan nga bombardimet e Izraelit, të tretat për këtë vit, ndërsa Teherani vuri në dukje se lufta civile në Siri po rrezikon të kthehet në një konflikt rajonal.

Izraeli, ndërsa nuk konfirmoi zyrtarisht të ketë kryer bombardime, këmbënguli te fakti se nuk ka ndërmend të lejojë që armiqtë e saj në Liban të marrin armë të reja nga Irani, ndërsa theksoi se nuk ka në plan të mbështesë asnjë nga palët në luftën e Sirisë. Asad është parë prej kohësh si një kundërshtar pa dhëmbë i Izraelit ndërsa rebelët, megjithëse kanë fituar simpati në Izrael dhe Perëndim, përmbajnë elementë ekstremistë kundërshtarë të shtetit të hebrenjve.

Duket se Izraeli vlerëson se Asad nuk do të rrezikojë duke përdorur forcat që tashmë i ka për të luftuar rebelët, në një luftë me Izraelin, që është ushtarakisht shumë më i fuqishëm. Televizioni shtetëror i Sirisë tha se bombardimet përreth një qendre kërkimore ushtarake shkaktuan shumë viktima mes civilëve dhe dëme të mëdha dhe citoi një letër të ministrit të Jashtëm për Kombet e Bashkuara ku thuhej: Agresioni i hapur i Izraelit ka për synim të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake për grupimet terroriste, pasi këto të fundit kanë dështuar në kontrollimin e territorit.

Banorët përreth zonës folën për shpërthime që vijuan për shumë orë. Nata u kthye në ditë, tha një banor për Reuters.

CNN citoi një zyrtar të Sirisë që tha se sulmi qe një deklaratë lufte, ndërsa Irani u bëri thirrje vendeve fqinje ti rezistojnë Izraelit.

Një zyrtar i Izraelit tha në kushtet e anonimitetit se Tel Avivi beson se duke mos konfirmuar zyrtarisht bombardimet, do të zbusë një reagim të mundshëm nga armiqtë e vet. Deri më sot ka pasur shumë pak përgjigje nga Hezbollah, Siria apo Irani ndaj një sulmi të mëparshëm.

Një burim perëndimor i tha Reuters: Në sulmin e natës së kaluar, u sulmuan magazinat e raketave Fateh 110 që qenë në transit nga Irani te Hezbollah. Hezbollah refuzoi të komentojë. Irani mohoi.

Izraeli beson se armët e Iranit, nëse bien në duart e Hezbollah, janë në gjendje të mbërrijnë në Tel Aviv me një shkallë saktësie. Është e paqartë nëse Izraeli është përpjekur të marrë miratimin e SHBA-së për këtë aksion; në të shkuarën, zyrtarët kanë bërë të ditur se Izraeli e sheh të nevojshme vetëm të informojë Uashingtonin se një sulm është duke u kryer. Disa aktivistë të opozitës thanë se janë të lumtur për faktin se bombardimet mund të dobësojnë Asad, edhe pse shumë pak sirianë kanë ndonjë pëlqim për Izraelin. Ne nuk na intereson kush e bëri atë, tha një aktivist. Ne na intereson se ato armë nuk janë më atje për të na vrarë ne.

Izraeli bombardon Sirinë për të ndaluar Hezbollah burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›