E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli i shqetësuar për fjalimin e Barak Obamës

Jerusalem - Izraeli është mjaft i shqetësuar lidhur me mesazhin që pritet t’i drejtojë Barak Obama botës myslimane nesër në Kajro të Egjiptit. Israel Katz, ministri izraelit i Transporteve, deklaroi se shpresonte që fjalimi i presidentit amerikan nuk do të jetë në dëm të tij.

"Obama ka një qasje të ndryshme nga ajo e presidentit George W. Bush. Ai i jep mesazhe të tjera botës arabe dhe myslimane, ky është një realitet tjetër, që nuk është i lehtë", deklaroi Israel Katz.

"Presidenti amerikan ka të drejtë të përpiqet për pajtimin me botën myslimane dhe të bëjë konkurrencë me Al-Kaidën ose Iranin për të fituar pëlqimin e saj, ne, nga ana jonë duhet të verifikojmë që kjo nuk do të cenojë interesat e përbashkëta me amerikanët", theksoi ministri i Transporteve.

Barak Obama pritet të mbajë nesër fjalimin e tij, në një kohë kur marrëdhëniet ndërmjet SHBA-ve dhe Izraelit janë të tensionuara. Shkak i këtij tensioni është kundërshtimi i Izraelit për njohjen e shtetit palestinez dhe refuzimi për ndalimin e kolonializmit në Cisjordani.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›