E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli ndryshon kursin në Gazë

Izraeli ka hartuar një listë me mallrat, të cilat nuk do t’i lejojë të hyjnë në Rripin e Gazës. Në këtë listë përfshihen armë dhe materiale lufte, ndërkohë të gjitha mallrat e tjera mund të futen në Gazë.

Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu njoftoi se Izraeli do të publikojë një listë me mallrat, që nuk lejohen të futen në brezin bregdetar.

Lista do të përfshijë armë dhe material lufte si dhe mallrat e ashtuquajtura "dual use", pra mallra që mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe për qëllime ushtarake. Të gjitha prodhimet tjera do të lejohen të importohen në Rripin e Gazës.

Kjo përbën një ndryshim të dukshëm nga praktika e deritanishme.

Njëkohësisht, kabineti i sigurisë kumtoi përmes deklaratës me shkrim, se Izraeli do të zgjerojë kapacitetet e doganave në pikëkalimet kufitare në Rripin e Gazës, për të lejuar kalimin e sasive më të mëdha të mallrave dhe për të nxitur aktivitetet ekonomike në Rripin e Gazës.

Synohet gjithashtu që të lehtësohen hyrjet dhe daljet e punonjësve të organizatave ndërkombëtare të ndihmës si dhe të banorëve të Rripit të Gazës, të cilëve u duhet të udhëtojnë jashtë vendit për trajtim mjekësor.

Megjithatë, do të vazhdojnë të jenë në fuqi kontrollet për të gjitha mallrat, që transportohen përmes rrugëve detare për në Rripin e Gazës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›