E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli paralajmëron Iranin: Jemi një vend i fortë

Tel Aviv - Kryeministri izraelit, Ehud Olmert i bëri sot një paralajmërim Iranit, të nesërmen e një njoftimi për përfundimin e ndërtimit të centralit të parë bërthamor iranian. "Ne jemi një vend i fortë, shumë i fortë, ne disponojmë kapacitete ushtarake, shtrirja dhe intensiteti i të cilave është e vështirë të imagjinohen", tha Olmert, deklaratat e të cilit u transmetuan nga radioja publike.

"Izraeli do të dijë të mbrohet në të gjitha situatat, kundër të gjitha kërcënimeve, kundër çdo armiku, nuk mund të them më shumë, por besomëni sepse i di këto që po them", shtoi kryeministri. Sipas ekspertëve të huaj, Izraeli është pajisur me arsenal bërthamor, por shteti hebre nuk e ka pranuar kurrë se disponon një armatim të tillë.

Një zyrtar rus njoftoi të mërkurën përfundimin e ndërtimit nga Rusia të centralit të parë bërthamor iranian në qytetin Bushehr në jug të Iranit. Pak pas këtij njoftimi, ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak u bëri thirrje SHBA të ashpërsojnë sanksionet kundër Teheranit.

Duke aluduar ndaj një opsioni të mundshëm ushtarak kundër programit bërthamor iranian Ehud Barak nënvizoi se vendi i tij e konsideron "vazhdimin e projektit bërthamor iranian si një rrezik potencial për ekzistencën e shtetit të Izraelit". "Qëndrimi ynë është i qartë: sanksionet janë të nevojshme, por Izraeli nuk e mënjanon asnjë opsion dhe u sugjeron vendeve të tjera të bëjnë më shumë", shtoi ministri i deritanishëm i Mbrojtjes.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›