Izraeli strehon mbështetësit e Fatahut
Autoritetet izraelite thonë se gati 200 anëtarë të një klani që mbështet fraksionin Fatah të presidentit palestinez, Mahmoud Abbas janë lejuar që të hyjnë në Izrael pas shpërthimit të luftimeve të ashpra me rivalët e tyre të Hamasit në Rripin e Gazës.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se disa prej tyre kishin dorëzuar armët kur i ishin afruar kalimit në Gazë.
Personat e plagosur janë çuar për kurim në spitalet izraelite.
Të dyja grupet fajësojnë njëra-tjetrën për luftimet, gjatë të cilave kanë gjetur vdekjen të paktën nëntë vetë.
Njoftimet bëjnë të ditur se përplasjet shpërthyen gjatë një operacioni të Hamasit në një vend që konsiderohet si bastioni i një klani vendas pro Fatahut.
Hamasi akuzon mbështetësit e Lëvizjes Fatah se janë përgjegjës për sulmet me bomba javën e kaluar, gjatë të cilave vdiqën pesë anëtarë të Hamasit dhe një vajzë e vogël.
Fatah i mohon akuzat
Një komandant kufitar izraelit, Ron Ashrov, tha se mbështetësit e Fatahut u lejuan kur një grup, mes të cilit kishte edhe të plagosur vrapoi drejt pikëkalimit Nahal Oz.
Koloneli Ashrov tha se kur ushtarët izraelitë hapën gardhin mbi ta u qëllua me armë siç supozohet prej Hamasit.
Në momentin që kaluan kufirin në Izrael, mbështetësve të Fatahut iu vunë prangat dhe u zhveshën për kontrolle sigurie.
Koloneli Ashrov numëroi 22 të plagosur në mesin e tyre.
Izraeli e hapi kufirin kur Egjipti dhe presidenti Abbas kërkuan që mbështetësit e Fatahut të lejoheshin që të hynin.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak tha se Izraeli kishte pranuar për arsye humanitare. (BBC)