E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli sulmon Gazën: 2 fëmijë të plagosur

Sipas hebrenjve, objektiv i sulmeve kanë qenë vetëm depot e armëve

Avionët dhe helikopterët izraelitë kanë hedhur të paktën 7 raketa në Rripin e Gazës, që qeveriset nga Hamasi, duke shkatërruar një depo municionesh aty. Katër goditje kanë shpërthyer dy karvanë në afërsi të qytetit të Khan Younis, bëjnë të ditur zyrtarët e Hamasit dhe dëshmitarët. Ndërsa një raketë e pestë goditi një fabrikë djathi në qytetin e Gazës, duke shkaktuar një zjarr të menjëhershëm e të madh, që ka shkaktuar shumë dëme. Në këtë rast u dëmtuan edhe dy fëmijë, të cilët janë dërguar menjëherë në spital. Për sa u takon helikopterëve, ata kanë goditur dy herë rresht kampin e refugjatëve të Nusseiratit, duke shkatërruar një fonderi, por në këtë rast nuk pati të plagosur. Sipas zëdhënësit ushtarak të ushtrisë izraelite, i cili i ka konfirmuar sulmet, qëllimi i tyre ishin vetëm facilitetet ushtarake. Sulmet izraelite nga ajri janë një kundërpërgjigje e një rakete me rreze të shkurtër, që ka kaluar një ditë më parë nga Gaza në Izrael. Ky sulm, që nuk u mor përsipër nga ndonjë grup ekstremist palestinez, nuk shkaktoi asnjë dëm. Izraeli ndërkohë ka bërë të ditur që do të mbajë përgjegjës Hamasin për çdo sulm që do t’i vijë nga Gaza. Lideri i Hamasit në Gaza, Ismail Haniyeh, tha se grupi i tij ishte duke u përpjekur për të riafirmuar një marrëveshje të arritur një vit më parë me grupe të tjera palestineze, për të mos lejuar asnjë hedhje raketash në Izrael. Kjo është hera e parë që Izraeli po ndërmerr një sulm të këtij niveli në Gaza, pas luftës së shkurtër të fillim të vitit 2009, kur vdiqën mbi 1 mijë civilë palestinezë, ndër të cilët mbi 300 ishin fëmijë. Hamasi ka kohë që thotë se do t’i mbajë nën vëzhgim të gjitha tentativat për të lëshuar raketa në Izrael, duke dialoguar dhe duke u marrë vesh me të gjitha grupet në tokat palestineze. Në fakt, Hamasi nuk i ka kritikuar kurrë qartësisht sulmet ndaj Izraelit, edhe pse, sipas të gjithë analistëve, sulme të tilla nuk do t’i shërbenin çështjes palestineze në këto momente. Megjithatë, disa raketa sporadike janë hedhur gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar në Izrael, por përgjegjësia për lëshimin e tyre nuk është marrë nga askush. Për sa i përket Izraelit, ai nga ana e tij është interesuar për të mbajtur tensionin nën kontroll në komunitetet e jugut. Një dhunë e re ndaj banorëve të Gazas mund të zgjonte menjëherë një dënim ndërkombëtar e madje këtë herë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilat Izraeli i ka pasur së fundmi marrëdhëniet e tensionuara. Këto marrëdhënie u tensionuan pas deklarimit për ndërtime të reja në Jerusalemin Lindor nga ana e Natanjahut, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara ishin duke krijuar kushtet për bisedime paqeje.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›