Mozaiku i Muzeut Kombëtar i shpëton shkatërrimit
Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar do të restaurohet. Ideja që qarkullonte me shkresa në tavolinat e tre institucioneve përgjegjëse, Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Muzeut Kombëtar dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, është miratuar në parim në mbledhjen e djeshme të këshillit shkencor në IMK. Specialistët kanë vërejtur dëmtime në disa fragmente të mozaikut, të cilat nëse shtyhen në një kohë të mëvonshme, përbëjnë një rrezik serioz që do të ketë një faturë më të kripur ekonomike. Sipas specialistit Agron Islami, i cili së bashku me Klajdi Zguron kanë hartuar një relacion të hollësishëm mbi dëmtimet e mozaikut dhe strukturën e tij, së pari do të bëhet vetëm një ndërhyrje fillestare për të mos lejuar degradimin e mëtejshëm të mozaikut e më pas do të hartohet një projekt restaurimi që do të kalojë në strukturat përkatëse. Pas një inspektimi të kryer nga specialistë të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare janë konstatuar dëmtime dhe shkëputje të një numri të madh teserash dhe akoma të tjera që janë pothuajse të shkëputura prej sipërfaqes. Nëse kalon afër e ndalesh para kësaj vepre, disa prej këtyre dëmtimeve arrin t’i shohësh edhe me sy të lirë. Lajmi i restaurimit e kthen edhe njëherë në vëmendje këtë mozaik jo pak të përfolur. Vetëm dy vjet më parë, në kohën që në krye të Muzeut Kombëtar ishte Beqir Meta, u hap një debat publik mbi idenë e tij se ky mozaik duhej të zhvendosej nga fasada e MHK-së për arsye të ngarkesës ideologjike që ai mbarte. Meta qe shprehur atëherë se një vepër e tillë nuk i shkon më për shtat një muzeu kombëtar që u përket të gjithëve, duke thënë se mozaiku ishte i lëvizshëm e mund të ekspozohej në pavijonin e brendshëm si dëshmi e komunizmit. Ky mendim shkaktoi reagimet jo vetëm të autorëve, por edhe të disa specialistëve, të cilët iu kundërvunë hapur kësaj ideje. Prej asaj kohe, ra heshtja, deri sa sot vjen lajmi i një ndërhyrjeje restauruese. Drejtori aktual i Muzeut Kombëtar, Luan Malltezi, i pyetur nëse është hequr dorë nga ideja e zhvendosjes, u shpreh se ajo ka qenë thjesht një ide personale, e diskutuar në një rreth të ngushtë. “Ky është një problem që nuk mund të vendoset nga drejtori i muzeut. Edhe nëse mund të mendohet zhvendosja e kësaj vepre, më parë duhet të bëhet objekti i një diskutimi të madh publik, pastaj, nëse ka një vendim qeverie, mund të zbatohet. Unë personalisht, duke pasur parasysh një periudhë 50-vjeçare, mendoj se ka shumë objekte që mund të cenoheshin nga një qëndrim për të larguar objekte të kësaj natyre. është e qartë se mozaiku është i politizuar, është ndërhyrë edhe më parë në të dhe diskutimi vazhdon ende. Për ne si institucion është problematik fakti që ky objekt po dëmtohet dhe duhet të ndërhyhet, sepse mund të degradojë edhe më shumë. Ne mbajmë përgjegjësi për të, si për çdo pjesë tjetër të muzeut”, ka thënë Malltezi. Ndërkohë, pas miratimit të idesë restauruese në parim, kanë parashikuar ngritjen e një skelarie përreth mozaikut në mënyrë që mund të ruhet në gjendjen aktuale. Specialisti Agron Islami shprehet se në një fazë të mëvonshme do të studiohet nga afër mozaiku dhe do të diskutohet më gjerë për hartimin e një projekti restaurimi. Mozaiku i quajtur “Shqipëria” është realizuar në vitin 1981, kur u ndërtua edhe Muzeu Historik Kombëtar. është vepër e 5 artistëve: Vilson Kilica, Aleksandër Filipi, Agim Nebiu, Josif Droboniku dhe Anastas Kostandini. Mozaiku është më i madhi në llojin e tij.
#