JAPONI – Tre të vdekur nga shpërthimi në një qendër tregtare, pas tërmetit

TOKIO, 29 korrik /ATSH-DPA/- Të paktën tre persona humbën jetën dhe tre të tjerë janë shpallur të zhdukur nga një shpërthim në Qendrën Tregtare Aeon, në Kumamoto, pas një tërmeti të fuqishëm në jugperëndim të Japonisë, raportuan sot mediet lokale.
Sipas agjencisë “Kyodo”, duke cituar autoritetet vendase, tre gra u konfirmuan të vdekura, pas një operacioni shpëtimi që zgjati disa orë gjatë natës.
Transmetuesi publik NHK bëri të ditur se pesë persona të tjerë u shpëtuan.
Dyshohet se shpërthimi u shkaktua nga një rrjedhje gazi pas tërmetit me magnitudë 7,1 ballë Rihter, i cili goditi prefekturën Kumamoto, në ishullin jugperëndimor Kyushu, dje pasdite.
NHK transmetoi pamje të filmuara nga një drejtues automjeti, ku shihej momenti i shpërthimit.
Si pasojë, u shembën tavanet dhe muret e ndërtesës, duke lënë të ekspozuar strukturën prej çeliku.
Sipas kompanisë që administron qendrën tregtare, punonjësit dhe klientët ishin evakuuar, për shkak të tërmetit përpara se të ndodhte shpërthimi.
Tërmeti shkaktoi gjithashtu dëme në disa ndërtesa dhe rrugë të tjera në rajon, ndërsa dhjetëra persona mbetën të plagosur, sipas medieve lokale.
Ndërkohë, një oxhak u shemb në një fabrikë letre, ku më pas u gjetën dy persona në gjendje “arresti kardiopulmonar”, një term që përdoret zakonisht në Japoni për personat pa shenja jete, përpara se një mjek të konfirmojë zyrtarisht vdekjen. //a.i/