E Martë, 3 Nëntor 2026

JEMEN – 31 të vdekur pas sulmeve amerikane kundër rebelëve Houthis

SANAA, 16 mars /ATSH-AFP/ – Të paktën 31 persona janë vrarë në Jemen në një seri sulmesh amerikane kundër rebelëve Houthi pas kërcënimeve të tyre kundër tregtisë detare, sipas një raporti të njoftuar sot.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka premtuar se do të përgjigjet me “forcë dërrmuese vdekjeprurëse”.

Në një mesazh në rrjetin e tij Truth Social, presidenti amerikan i bëri thirrje gjithashtu Iranit që “të ndalojë menjëherë” mbështetjen e tij për Houthis, të cilët kontrollojnë zona të mëdha të Jemenit të shkatërruar nga lufta, duke përfshirë kryeqytetin Sanaa.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë Houthi, sulmet kishin në shënjestër kryeqytetin Sanaa, qeveritë e Saada (në veri) dhe Al-Bayda (në qendër) dhe qytetin Radaa (në qendër).

Ato lanë të paktën 31 të vdekur dhe 101 të plagosur, “kryesisht fëmijë dhe gra”, tha zëdhënësi i ministrisë Anis Al-Asbahi në rrjetin social X.

Stacioni televiziv rebel, ”Al-Massirah”, njoftoi të shtunën në mbrëmje se një “sulm amerikano-britanik” kishte shënjestruar lagjen Shououb në veri të Sanaa, si dhe Saada, një bastion i rebelëve në Jemenin verior.

Londra nuk ka njoftuar ndonjë sulm.

”Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë aksione ushtarake vendimtare dhe të fuqishme kundër Houthis në Jemen”, tha Donald Trump.

“Ne do të përdorim forcë dërrmuese vdekjeprurëse derisa të arrijmë objektivin tonë”, paralajmëroi ai.

Këto janë sulmet e para të SHBA kundër Houthis që kur Donald Trump mori detyrën më 20 janar./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›