TURQI – Erdogan: Të papranueshme qasjet separatiste në BH

STAMBOLL, 16 mars /ATSH-AA/ – Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi se uniteti dhe integriteti territorial i Bosnjë-Hercegovinës kanë një rëndësi themelore duke i quajtur të papranueshme qasjet separatiste në vendin ballkanik.
Erdogan i ka bërë këto komente gjatë një takimi me dyer të mbyllura me Denis Beçiroviçin, kryesuesin e presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, në zyrën presidenciale të pallatit ”Dolmabahçe” në Stamboll.
Erdogan tha se ai po e ndjek nga afër situatën pas vendimit gjyqësor kundër Milorad Dodikut, presidentit të entitetit serb të Bosnjë-Hercegovinës, Republika Srpska (RS), dhe gjithashtu ka qenë në kontakt me udhëheqësit rajonalë.
Gjykata boshnjake muajin e kaluar e dënoi Dodikun me një vit burg dhe e ndaloi atë nga politika për gjashtë vjet për kundërshtimin e autoritetit të zyrtarit të lartë ndërkombëtar që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Paqes të Dayton-it të vitit 1995, e cila i dha fund luftës në BH.
Pas vendimit, Asambleja Kombëtare e RS-së votoi për ndalimin e institucioneve shtetërore – duke përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, Zyrën e Prokurorisë, Gjykatën e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Agjencinë e Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) – nga veprimi brenda entitetit serb.
Dodik, i cili nënshkroi masat që kundërshtojnë Kushtetutën e Bosnjës, tha se ai nuk do të zbatonte thirrjet e gjykatës ose prokurorisë sapo ligjet e diskutueshme të hyjnë në fuqi, duke pretenduar se ai do të mbrohet nga policia e Republikës Srpska.
Media kombëtare i ka quajtur veprimet grusht shteti”, ndërsa Gjykata Kushtetuese e Bosnjës anuloi vendimet e tij të diskutueshme.
Gjatë takimit Erdogan theksoi rëndësinë e shpërshkallëzimit të tensioneve brenda kornizës kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës dhe sundimit të ligjit.
Ai bëri thirrje për një konsensus të gjerë shoqëror për të ruajtur unitetin e vendit dhe hodhi poshtë përpjekjet separatiste.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkan në mes të sfidave në rritje rajonale dhe globale të sigurisë dhe riafirmoi mbështetjen e Turqisë për integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës./ a.jor.