Ja 9 pikat që tregojnë pavlefshmërinë e kontratës së MTKRS me Vodafon
Mozaiku në Muzeun Historik Kombëtar me sipërfaqe 440 metra katrorë, prej disa muajsh po shfrytëzohet për qëllime biznesi nga një kompani celulare, e cila gjatë kësaj kohe ka grabitur jo pak para nga qytetarët shqiptarë. E ndërkohë që kjo marrëveshje,
sipas juristëve ka shumë parregullsi ligjore. Këto parregullsi sigurisht që u bënë publike dhe para disa ditësh nga gazeta SOT, por që tani ato kanë dhe konfirmimin e juristëve. E para sipas tyre, që në fillim të saj bie në sy mungesa e shumë detajeve, që për një institucion të tillë siç është Ministria e Kulturës si dhe drejtoria e DRKK, që pretendojnë se janë me njerëz të aftë dhe dinë të lidhin marrëveshje, ajo ka në krye të saj një numër protokolli shënuar me stilolaps, por gjithashtu dhe datën se kur është lidhur marrëveshja, ndërkohë që të dyja këto duhet të ishin të shënuar me stilolaps, ndërkaq data e dokumentit duhet të ishte shënuar në brendësi të marrëveshjes. Disa ditë më parë në gazetën SOT u bë publike marrëveshja që ishte nënshkruar mes Arbër Kadisë, drejtor i DRKK dhe firmave La Strada dhe Skela Syla, por vetëm emri i kompanisë Vodafon nuk figuron? Marrëveshja, e cila pretendohet nga MTKRS që është e rregullt, në fakt vetëm në pamje të parë ajo ka një sërë parregullsish. E ndërkohë që për juristët kjo madje e cilësuar dhe si një marrëveshje skandaloze. Marrëveshja është fiktive, pasi ajo përmban vetëm nga ana e jashtme elementët ligjor që duket të ketë një kontratë. Por nëse e shikojmë atë në brendësi dhe e analizojmë nga ana ligjore ajo që konstatohet është mosrespektimi dhe mungesa e anës ligjore, pohojnë ata. Teksa zyrtarët e MTKRS shpjegojnë raportin e firmës La Strada, ata nuk shpjegojnë pikërisht pozicionin e kompanisë Vodafon në këtë marrëveshje. Megjithëse flitet se po i nënshtrohet një restaurimi edhe pse kanë kaluar shumë kohë ai ende nuk ka nisur, dhe nga ana tjetër një reklamë si kjo është diçka shumë fitimprurëse që i bëhet kësaj kompanie, e cila ka pushtuar 440 metra katrorë të këtij mozaiku. Në këtë marrëveshje të bërë publike dhe para disa ditësh nga gazeta SOT, nuk ka asnjë datë dhe afat të punimeve të projektit, që do të ndërmerret ndaj këtij Mozaiku, i cili prej muajsh po qëndron i mbërthyer nga baneri i një kompanie celulare, që po përfiton me qindra milionë lekë, pasi tashmë ai po shërben për fasadë publiciteti. Për këtë juristët pohojnë se: Mungesa e datave dhe afateve të marrëveshjes, sjell një tjetër parregullsi ligjore në këtë marrëveshje që është bërë për këtë projekt. Më tej duke juristët pohojë se nëse kjo do të ishte një marrëveshje e plotë nga ana ligjore, sipas tyre një marrëveshje e tillë sigurisht që do të duhet të kishte të dhëna dhe për shoqëritë që kanë nënshkruar këtë marrëveshje, por në fakt këtu ato nuk ekzistojnë, madje nuk figuron veprimtaria e objektit. Më tej juristët pohojnë se në rast se do të ketë probleme në marrëveshjen që është lidhur mes palëve, këtu mungojnë klauzolat, të cilat përcaktojnë se si do të arrihet që të zgjidhet çështja. Nëse ndonjë nga palët do të vendoste që ti drejtohej gjykatës, për prishjen e kësaj marrëveshje, nga ana e togave të zeza nuk do të mund të merrej dot asnjë lloj vendimi, shkaku është mungesa e ligjshmërisë së marrëveshjes, që të vërtetojë se kush janë palët. Kjo marrëveshje nga gjykata mund të konsiderohet si një shkresë e thjeshtë, dhe jo si një provë, pasi nuk është kontratë, por thjesht një marrëveshje me mungesa ligjore, shpjegojnë juristët. Kush e lexon këtë marrëveshje të zotit ministër dhe vartësve të tij në MTKRS arrin të kuptojë se kjo nuk është asgjë tjetër veçse një pranim i gjithë atyre fakteve që gazeta SOT ka parashtruar gjatë gjithë këtyre ditëve. Zoti ministër, cila është përgjigja që i jepni qytetarëve shqiptarë, pasi ju po i tregoni fare hapur se po i përdhosni vlerat e kulturës kombëtare, duke lejuar që të shitet për hapësirë reklame, një vepër e cila është shpallur dhe Monument Kulture. Cili është ai ligj që të jep këtë drejtë, për të bastarduar në këtë mënyrë vlerat e kombit tuaj. Zoti ministër La Strada është një firmë, e cila nuk ka si veprimtari restaurimin e veprave të artit, ndërkaq që sot Mozaiku është një monument kulture dhe si i tillë kërkon që ai të jetë i mbrojtur nga çdo parregullsi që ndërmerret ndaj tij, nga institucioni që ka si detyrë që ta mbrojë, por duket e tashmë MTKRS e ka humbur këtë funksion, pasi e ka shitur si një fasadë për publicitet.
Parregullsitë e marrëveshjes
1-Marrëveshja, e cila ka kaluar në dorë të juristëve, bëri që këta të fundit të tregojnë disa nga parregullsitë që ka sot kjo marrëveshje që nga MTKRS me aq krenari pohohet se është gjithçka brenda rregullave ligjore. Që në fillim të saj bie në sy mungesa e shumë detajeve, që për një institucion të tillë siç është Ministria e Kulturës si dhe drejtoria e DRKK, që pretendojnë se janë me njerëz të aftë dhe dinë të lidhin marrëveshje, ajo ka në krye të saj një numër protokolli shënuar me stilolaps, por gjithashtu dhe datën se kur është lidhur marrëveshja. Krenaria, që ata po merren me këtë projekt sigurisht që ka bërë që ata nga nxitimi të mos dinë se data duhej të jetë në brendësi të dokumentit të nënshkruar, pasi ajo qëndron në krye të marrëveshjes me stilolaps.
2-Nëse flitet për një marrëveshje që është nënshkruar brenda të gjitha rregullave, sigurisht që ajo do të kërkonte që të ishte bërë në prani të noterit, e ndërkohë tek marrëveshja që DRKK dhe MTKRS pretendojnë se e kanë nënshkruar brenda ligjit, vihet re sa ajo nuk është e nënshkruar në prani të noterit, gjë e cila sjell një tjetër shkelje ligjore.
3-Në këtë marrëveshje të bërë publike dhe para disa ditësh nga gazeta SOT, nuk ka asnjë datë dhe afat të punimeve të projektit, që do të ndërmerret ndaj këtij Mozaiku, i cili prej muajsh po qëndron i mbërthyer nga baneri i një kompanie celulare, që po përfiton me qindra milionë lekë, pasi tashmë ai po shërben për fasadë publiciteti. Mungesa e datave dhe afateve të marrëveshjes, sjell një tjetër parregullsi ligjore në këtë marrëveshje që është bërë për këtë projekt.
4-Nuk ka asnjë të dhënë për personat përgjegjës për nënshkrimin e marrëveshjes, pasi në marrëveshje të tilla ato figurojnë, por duket e DRKK dhe MTKRS kjo gjë i shërben për të tjera qëllime.
5-Një marrëveshje e tillë sigurisht që do të duhet të kishte të dhëna dhe për shoqëritë që kanë nënshkruar këtë marrëveshje, por këtu ato nuk ekzistojnë. Nuk figuron veprimtaria e objektit.
6-Në rast se do të ketë probleme në marrëveshjen që është lidhur mes palëve, këtu mungojnë klauzolat, të cilat përcaktojnë se si do të arrihet që të zgjidhet çështja.
7-Nëse ndonjë nga palët do të vendoste që ti drejtohej gjykatës, për prishjen e kësaj marrëveshje, nga ana e togave të zeza nuk do të mund të merrej dot asnjë lloj vendimi, shkaku është mungesa e ligjshmërisë së marrëveshjes, që të vërtetojë se kush janë palët. Kjo marrëveshje nga gjykata mund të konsiderohet si një shkresë e thjeshtë, dhe jo si një provë, pasi nuk është kontratë, por thjesht një marrëveshje me mungesa ligjore.
8-Firma La Strada nuk është e licencuar për restaurime, pro ajo ka si qëllim një tjetër veprimtari.
9-Marrëveshja është fiktive, pasi ajo përmban vetëm nga ana e jashtme elementët ligjor që duket të ketë një kontratë. Por nëse e shikojmë atë në brendësi dhe e analizojmë nga ana ligjore ajo që konstatohet është mosrespektimi dhe mungesa e anës ligjore, përfundimi është se kjo marrëveshje është një gënjeshtër dhe një mashtrim për ti hedhur hi syve njerëzve, të cilët po i grabitet çdo ditë lekët nga ana e firmave si Vodafon, La Strada dhe vetë Ministria e Kulturës.