Ja kompania për të cilën ka lobuar Fahri Balliu (FOTOT)
Kompania North Star Mining shpk, është një kompani e regjistruar në emër të disa shtetasve turq, për të cilën ka ndërhyrë pranë ish- Ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, botuesi i gazetës 55, Fahri Balliu. Kompania ka përfituar pas kësaj ndërhyrje, një licencë për shfrytëzim të hekur- nikelit në një minierë të zonës Librazhd- Pogradec dhe tani po synon të marr koncesion në zonën e Korçës.
Shumë shfrytëzues të minierave në këtë zonë shprehin shqetësimin për prioritetin që Ministria e Ekonomisë i jep kësaj kompanie, në raport me kompanitë e tjera profesioniste shqiptare. Investitorët turq nuk kanë kualifikimin e duhur dhe janë mbulesë reale e veprimtarisë së Fari Balliut, ku kunata e tij është thuajse pronare reale e kompanisë. Për shkak të lidhjeve të saj në Turqi, ku burri i saj është ambasador, kjo kompani shihet gjerësisht si Kompania Balliu, e cila po kthehet në kompani sunduese në juglindje të Shqipërisë.
Në videon e regjistruar në zyrën e Dritan Priftit në 1 mars 2010, dëgjohet qartë të flitet për të ardhmen e kësaj kompanie dhe nevojën për koncesione në minierat e kësaj zone.
Gazeta Tema ka publikuar qysh në muajin shtator faktin që ekziston një video e regjistruar mes ish- Ministrit të Ekonomisë dhe njeriut të njohur gjerësisht si sekser i pushtetit Fahri Balliu. Gazeta ka përshkruar bisedën e bërë pasi ka parë videon e regjistruar, e cila për shkak të procedurave hetimore nuk mund të bëhet ende publike në formën e videos.
Fari Balliu është shfaqur disa herë në disa afera të rënda vitet e fundit. Emri i tij u shfaq si ndërtues i fabrikës së Gërdecit, nga shpërthimi i të cilës vdiqën 26 vetë. Ai kishte futur aty emrin e vajzës së tij si aksionere me 20 për qind, kur ajo ishte me studime jashtë Shqipërisë, dhe për shkak të kësaj përqindje ai është përdorur si sekser për të tejkaluar pengesat ligjore që ndalonin ndërtimin e kësaj fabrike.
Ai po ashtu ka qenë ndërmjetësi mes Mihal Delijorgjit dhe Arben Qirjakos kur ky i fundit drejtonte KKRT e Tiranës në vitin 2006-2007 për lejet e ndërtimit në Tiranë si dhe ndërmjetës për një sërë aferash që kanë të bëjnë me një borxh të zhbllokuar të qeverisë shqiptare për një kompani greke në miliona euro, ortakëri përmes kunatës së vet me dy biznesmenë serb që morën ndërtimin e rrugës Levan- Vlorë të cilën se ka përfunduar akoma dhe Tepelenë- Fratar, të cilën nuk e nisi kurrë si dhe mbikalimin në hyrje të Tiranës, i cili ka marrë jetë njerëzish nga standardi i papranueshëm i ndërtimit.
Shfaqja e tij si sekser për një kompani ruse skrapi dhe për një kompani turke, është e reja më e fundit për të.
(NDIQNI FOTOT E MOMENTEVE NGA VIDEO PRIFTI-BALLIU)




