Ja kush janë senatorët e PS të pakënaqur me qeverinë e Edi Ramës
Nga mënjanimi total i Ruçit tek distanca e Majkos me Ramën e deri tek kushti i Dades
Revista prestigjioze britanike në një artikull të para disa ditëve dedikuar qeverisë së re të Partisë Socialiste, vinte në dukje se kryeministri i ri, Edi Rama duhet të nxitojë të punojë, se ndryshe senatorët e PS-së nuk do ta presin gjatë. Sipas prestigjiozes britanike emrat e mëdhenj të PS-së kanë mbetur të pakënaqur nga krijimi i Qeverisë së re pasi prisnin që të vlerësoheshin me vende pune pas zgjedhjeve. Sipas revistës, ata për momentin do ta mbështesin Ramën, ashtu siç do të bëjë edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Një bashkë-kryeministër e quan The Economist, ndërsa shton: nëse ndonjë nga palët do të tregojë dobësi, thikat do të rishfaqen. E në fakt kjo analizë e The Economist është e saktë, pasi vërtet garda e vjetër e PS ka ngelur e pakënaqur nga qeveria e re e Edi Ramës. Fakt të cilin ata deri tani nuk e kanë deklaruar publikisht, por e thonë vetëm nën zë, ose nëpër tavolina kafenesh me miq.
Ruçi-Blushi-Majko
Gramoz Ruçi, është një ndër personalitet më kryesore që ka ngelur i pakënaqur me qeverinë e re të Ramës, jo se njeriu i hekurt i Partisë Socialiste kërkonte ndonjë post ministror, por sepse atij nuk i është marrë mendimi për asnjë post ministror. Në këtë mënyrë njeriu që deri dje ka qenë numri dy historik i PS-së ndihet i mënjanuar nga politikat e qeverisë. Një tjetër personalitet është Ben Blushi, i cili ndihet jashtë loje. Atij iu propozua nga Rama të ishte kryetar i Grupit Parlamentar të PS, por ai e ka refuzuar këtë post për dy arsye. E para ishte se Blushi priste të vlerësohej për punën e tij në zgjedhje duke aspiruar një nga ministritë kryesore të qeverisë, propozim të cilit Blushit nuk i erdhi kurrë nga Rama. Dhe arsyeja e dytë është prania e Ramës në Parlament. Duke qenë se kryeministri do të ishte në Parlament vetë, atëherë ai do të jetë edhe violina e parë e mazhorancës në debatet parlamentare dhe Blushi do të ishte në plan të dytë, një rol të cilin Blushi nuk mund ta përtypte kurrë. Një tjetër kolos i selisë rozë si Pandeli Majko është i pakënaqur më qeverinë e re. Ashtu si Blushi, edhe Majko priste një post kryesor në qeveri. Aq më tepër që Majko ende nuk e ka përtypur lëvizjen e tij nga Korça drejt Tiranës në zgjedhjet e 23 qershorit. Madje, Rama tre figurave të mësipërme nuk i ka takuar më pas zgjedhjeve për të diskutuar me ta për emrat e qeverisë.
Kushti i Arta Dades
Nga ana tjetër deputetja Arta Dade deri tani nuk ka shfaqur shenja pakënaqësie ndaj emrave të rinj të qeverisë, por ajo në një intervistë i ka vënë kusht kryeministrit të ri Edi Rama, që nëse nuk çon para drejtësisë Sali Berishën, ajo do të lërë mandatin e deputetes.
Të tjerët
Por edhe Valentina Leskaj, Blendi Klosi, Namik Dokle, etj, janë lënë jashtë loje nga Rama. Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, po luftohet fort nga disa deputetë socialistë. Prishja e ndërtimeve pa leje nga qeveria e re (një aksion i paralajmëruar disa herë nga Rama), do ta acarojë edhe më shumë marrëdhënien mes Gjikës dhe PS-së. Por edhe Bashkim Fino, Taulant Balla, Fidel Ylli, Tom Doshi, etj, prisnin që të ishin në qeveri.
Qeveria si pushtet lokal
Nëse ulesh dhe bisedon me senatorët e PS, ata të thonë që Edi Rama po e bën qeverinë si bashkinë e Tiranës, sepse sipas tyre ai ministra ka vënë bashkëpunëtorët e tij dhe njerëz që më përpara kanë punuar në bashkinë e Tiranës.
Disa nga senatorët e PS të pakënaqur me qeverinë e re
-Gramoz Ruçi
-Ben Blushi
-Valentina Leskaj
-Pandeli Majko
-Arta Dade
-Bashkim Fino
-Bendi Klosi
-Namik Dokle
-Shpëtim Gjika