Mbyllet stacioni i trenit në Tiranë, Bashkia nis ndërtimin e terminalit
Bashkia e ka spostuar trenin në Vorë, duke vendosur autobusë 60 lekë për nga Tirana
Bashkia e Tiranës ka bllokuar përkohësisht linjën e transportit hekurudhor në Tiranë. Prej dy ditësh qyetarët që zgjidhnin këtë mënyrë lëvizje si më të lirën, e kanë gjetur biletarinë pranë stacionit të trenit të mbyllur. Duke nisur nga kjo e hënë, Stacioni i Trenit është zhvendosur në Vorë për shkak të nisjes së punimeve për bulevardin e ri të Tiranës. Megjithatë Bashkia e kryeqytetit ka vendosur në dispozicion autobusë, për transportin e pasagjerëve nga Tirana në Vorë dhe anasjelltas. Por shumica e pasagjereve që bënin kryesisht linjën Tiranë-Durrës me abone treni, të pyetur dje nga gazeta thanë se kjo mënyrë iu kushton më shtrenjtë, pasi nëse më parë paguanin më pak se 60 lekë në ditë vajtje-ardhje (me abone mujore me tren), tashmë u duhet të paguajnë 120 lekë në ditë me autobus. Sipas skemës së re të Bashkisë, nisja me autobus bëhet nga stacioni aktual i trenit, sipas orareve të zakonshme. Pavarësisht pakënaqësisë së qytetarëve, zhvendosja e trenit, i hap rrugën ndërtimit të një projekti të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës; ndërtimit të bulevardit të ri, që do ti japë fund jo vetëm trafikut; dhe udhëtimit komod; por edhe ankthit të vetë banorëve nga problemet dhe aksidentet e shumta që janë shkaktuar këto vite. Me një njoftim të pasdites së djeshme, Bashkia e Tiranës thekson se javën e ardhshme nisin procedurat koncesionare, për ndërtimin e terminalit multimodal të pasagjerëve. Në këtë terminal i cili është i pari që do të ndërtohet në Shqipëri, me sipërfaqe 80.000 m², do të vendoset stacioni i ri i trenit dhe stacioni i tramit, i cili do të bëjë transportin e udhëtarëve nga terminali multimodal përgjatë bulevardit të ri, deri në sheshin Nënë Tereza. Terminali është pjesë e një strategjie të gjerë të transportit urban, i cili do tu japë zgjidhje nevojave urgjente për përmirësimin e trafikut në Tiranë, nëpërmjet parkimit të gjithë mjeteve të transportit të udhëtarëve nga i gjithë vendi dhe krijimin e kushteve optimale për transportin e tyre në Tiranë, thekson Bashkia e Tiranës. Terminali parashikon të përmbajë: stacionin e tramvajit dhe trenit, stacion për autobusët ndërkombëtarë, dhe ndërqytetas; zonë parkimi dhe një tarracë në formë katrore publike, në kufi në perëndim me terminalin e autobusëve urbanë; rrugët e brendshme të qarkullimit të automjeteve, tramit, etj, në territorin e terminalit; ambientet ndihmëse për mirëmbajtje, shërbime e furnizime të mjeteve të transportit; ambientet sociale dhe hoteleri, për akomodimin e udhëtarëve etj.