E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja pasuritë e deputetëve socialistë

TIRANË- Nuk ka rëndësi nëse një deputet është në maxhorancë apo në opozitë por thjesht fakti që janë deputetë mjafton që të kesh të ardhura dhe përfitime shumë të mira.


"Shekulli" ka publikuar në të kaluarën pasuritë e qeveritarëve, kryetarëve të partive, zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe deputetëve kryesoë të maxhorancës ndërsa
sot vijon publikimin e pasurive të disa prej deputetëve opozitarë. Të gjitha të dhënat e publikuara janë marrë nga deklarimet zyrtare të bëra nga vetë deputetët në ILDKP.

Ben Blushi

Sipas Deklarimit të bërë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, gjëndja financiare deputetit të Partisë Socialiste për qarkun e Korçës, Ben Blushi, rezulton të jetë përmirësuar ndjeshëm, ndërkohë që me të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes është duke shlyer këstet e një kredie të marrë që në vitin 2001, për blerjen e një apartamenti.


Pasi ka shlyer edhe këstin vjetor prej 288 mijë lekësh, deri në fund të vitit 2008, gjëndja e kredisë në fjalë është zbritur në nivelin e rreth tre milionë lekëve.


Po ashtu, deri në fund të vitit të shkuar, deputeti Ben Blushi ka shlyer plotësisht detyrimet ndaj një koncesionari makinash në Tiranë duke paguar edhe këstin e fundit prej pesë mijë eurosh për makinën e blerë.


Krahas aktivitetit të mësipërm financiar, deputeti Ben Blushi ka pasur shtesa të ndjeshme në llogarinë e tij bankare. "Në depozitën me afat janë shtuar nëntë milionë lekë të reja.


Këto para kanë ardhur nga shitja e librit, dy milionë lekë; paga e një viti të cilën nuk e kam prekur; depozita e mëparshme prej tre milionë lekësh si dhe interesat e përfituara",- ka shënuar Ben Blushi në deklarimin e tij të pasurisë.


Ndërkohë bashkëshortja e tij ka mbyllur një tjetër llogari që ishte në shumën 50% ku ka tërhequr 2.650.000 lekë të reja. Ndërkohë që ende nuk ka shlyer plotësisht këstet e kredisë për shtëpinë e marrë në vitin 2001, deputeti Blushi mendon që këtë vit të blejë edhe një objekt tjetër të cilin në deklaratën e pasurisë nuk e specifikon se çfarë është.


Një pjesë të të ardhurave për blerjen e këtij objekti
ai i ka siguruar nëpërmjet tërheqjes së një shume prej 2.6 milionë lekësh nga llogaria që ai kishte hapur bashkë më një të afërm në një bankë tregtare në vend, ndërsa pjesën tjetër deklaron se e ka në gjëndje CASH, të cilën e ka pasqyruar edhe në vitet e shkuara. Në total shuma që parashikohet për blerjen e këtij objekti deri më tani ka shkuar në 5.2 milionë lekë.

Arben Malaj

Të ardhurat vjetore të Deputetit Arben Malaj Shqipërisë, paga vjetore e bashkëshortës së tij, të ardhura nga qiraja e një apartamenti në Tiranë dhe nga disa llogari bankare të tij dhe të familjarëve në disa banka tregtare në vend. Kështu, Malaj është pronari i dy llogarive bankare me nga 400 mijë lekë secila në një bankë tregtare.


Ndërsa në emër të bashkëshortes së tij ekzistojnë tetë llogari të ndryshme bankare në disa banka të vendit, të cilat në total përbëjnë një shume prej rreth 30 mijë eurosh. Po ashtu, një shumë prej 13.400 eurosh rezulton të jetë derdhur edhe në llogaritë e vajzës së deputetit dhe që do përdoren për shkollimin e saj. Në total familja Malaj ka 14 llogari bankare.


Nga puna e tij si Deputet i Kuvendit të Shqipërisë Arben Malaj ka deklaruar të ardhura vjetore prej 1.5 milionë lekësh. Ndërsa në emër të tij rezultojnë edhe 500 mijë lekë të ardhura prej mësimdhënies dhe honorareve të përfituara nga aktiviteti i tij si pedagog.


Shumës së të ardhurave vjetore të deputetit Malaj i shtohet edhe qiraja e një apartamenti në Tiranë, rreth 600 mijë lekë në vit. Ndërsa të ardhurat vjetore të përfituara nga paga e bashkëshortes së tij, janë 2.1 milionë lekë.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›