E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen nga SHBA i kërkuari Gramoz Yzeiri

Kërkohej për një vrasje të kryer në bashkëpunim me një person tjetër në Fier në vitin 1998


TIRANË- Deportohet nga SHBA Gramoz Yzeiri, i akuzuar për vrasje për hakmarrje të kryer në vitin 1998, dhe gjithashtu i njohur si mik i ngushtë i Renato Saliajt gjithashtu në kërkim policore.


Lajmi i ekstradimit të Yzeirit, 38- vjeçar, është bërë i ditur nga Policia e Shtetit nëpërmjet një njoftimi zyrtar të dhënë prej saj. I shumëkërkuari Gramoz Yzeiri, 38 vjeç, nga Fieri, është ekstraduar në orët e vona të së mërkurës, duke u gdhirë e enjte,........................ "Nënë Tereza".


Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, ku thuhet se Yzeri ishte një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale të vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim, organizimit dhe drejtimit të organizatave kriminale, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim dokumentesh.


Vrasja për të cilën akuzohet Gramoz Yzeiri ka ndodhur 11 vite më parë në qytetin e Fierit, më 13 qershor të vitit 1998 në Lagjen "Kastrioti", të këtij qyteti. Sipas burimeve zyrtare të policisë, në këtë datë është gjetur i vrarë me armë zjarri një person i njohur me emrin Xheladin Qelia.


Sipas burimeve zyrtare të policisë, nga të dhënat hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen ka rezultuar se viktima po udhëtonte me një motor i shoqëruar nga një person tjetër me inicialet Sh. J dhe janë ndaluar nga dy persona, të identifikuar më pas si Gramoz Yzeiri.


Po sipas variantit zyrtar të policisë për ngjarjen, autorët nën kërcënimin e armëve, pasi kanë ndaluar viktimën dhe personin që e shoqëronte kanë qëlluar mbi shtetasin Xheladin Qelia, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.


Krimi mendohet të ketë ndodhur për hakmarrje, ndërsa pas kryerjes së këtij krimi, dy personat që dyshohet se kryen vrasjen janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ku më pas njëri prej tyre, i ekstraduari i djeshëm nga përtej Atlantikut, ka qëndruar për një kohë të gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t'i shpëtuar arrestimit të Policisë shqiptare. Ndërsa bashkëpunëtori i tij në vrasjen e 13 qershorit të vitit 2008, në lagjen "Kastrioti", është akoma në arrati.


I depërtuari i djeshëm është ndaluar dje nga ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, i akuzuar si autor i një vrasjeje të ndodhur në mes të qytetit të Fierit 11 vite më parë, ndërsa ndaj këtij të fundit si Gjykata për Krime të Rënda ashtu dhe Gjykata e Fierit kanë vendosur ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg". Në ngarkim të 38 vjeçarit fierak, janë hapur dy procese penale, për shkak se akuzohet për disa vepra penale, jo të ngjashme.


Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, më datë 25 shkurt 2005, ndaj të kërkuarit ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale të "organizimit dhe drejtimit të organizatave kriminale, armë mbajtjes pa leje dhe municioneve në sasi të mëdha dhe falsifikimit të dokumenteve.


Ndërsa nga të dhënat hetimore të dosjes së Gramoz Yzeirit mësohet se dy vjet më vonë, më 25 gusht të vitit 2007, Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka vendosur të njëjtën masë sigurie si Krimet e Rënda për "vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim".


Arrestimi i Yzeirit

Gramoz Yzeiri është arrestuar në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 7 prill të këtij viti, me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, në momentet që po hynte në territorin amerikan me emrin e falsifikuar Adriatik Papa.


Autoritet e policisë dhe drejtësisë shqiptare, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar të 38 vjeçarit, dërguan në zyrat e Interpol Uashingtonit dosjen me të dhënat personale si dhe karakteristikat e shenjave të gishtërinjve që bënë të mundur më pas dhe arrestimin e tij.


Agjentët amerikanë pas verifikimeve që iu kanë bërë të dhënave që ishin dërguar nga Shqipëria kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të kërkuarin Gramoz Yzeiri, me qëllim ekstradimin e tij drejt vendit tonë.


Ndërsa Yzeiri, bashkë me Renato Saliajn (Çami), i kanë shpëtuar në vitin 2004 një operacioni të RENEA-s në qytetin e Fierit, për arrestimin e tyre, të cilit akuzoheshin nga policia për kryerjen e një sërë veprash penale.


Pas tentativës së dështuar për arrestimin e Yzeirit pesë vjet më parë, në banesën që mendohej se strehohej ky i fundit policia gjeti dhe sekuestroi 2.5 kg lëndë narkotike e llojit heroinë, tre pistoleta, dy automatikë, një sasi të madhe municioni si dhe disa dokumente të falsifikuara.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›